ZBULOHET SKEMA/ Arsyeja e vërtetë pse vijnë turistët e huaj në Shqipëri janë spitalet!

16 Gusht 2026, 15:36Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministrja Servis Pala duke falenderuar infermieret çorapebërëse

TIRANË – Krejt rastësisht është zbuluar skema diabolike që funksiononte prej vitesh në Shqipëri, dhe që kishte për efekt anësor të panevojshëm, rritjen e industrisë së turizmit në vend.

Ishte një shkarje goje javën e kaluar nga ana e ministres së Shëndetësisë Servis Pala, ajo që aksidentalisht zbuloi skemën e sofistikuar shumëvjeçare, e cila pastaj u zbërthye nga gazetarët investigativë.

“Turistët e huaj, apo më saktë, ata që ne quajmë turistë,” tha duke buzëqeshur ministrja Pala dhe bëri me të dyja duart shenjën e thonjëzave si amerikanët, “vijnë nga ana e anës vetëm për të shijuar cilësinë e spitaleve tona publike. Sigurisht, kërkesat janë kaq të mëdha saqë nuk ja arrijnë të gjithë. Në thelb, një turist që nuk ka ardhur në spital, është një vizitor i trishtuar që nuk ja ka arritur qëllimit”.

Në fillimet e veta, skema nisi pa shumë pretendime. Shumë vite më parë, ata të huaj që kishin shansin e madh të shtroheshin në spitalet tona, pasi mbeteshin të mahnitur nga shërbimi, - dhe sigurisht, nëse arrinin të dilnin me këmbët e tyre dhe jo horizontalisht - përhapnin fjalën e mirë te njerëzit e tyre. Nuk mund ta mbanin vetëm për vete atë përjetim.

Dhe vërtet, a mund të harrohen elemente të traditës si infermieret që thurrnin çorape në orar të punës, shitës ambulantë që venin e vinin nëpër korridore për të shitur çarçafë e peshqirë, shpërndarës ushqimi që me saktësi akrobatike ja hidhnin që nga dera lugën e supës çdo pacienti, mjekë të cilët që në pikë të mëngjesit vinin era raki, raki që vinte era alkool, alkool që vinte era jod, jod që vinte era çorape, çorape që vinin era infermiere…

Fjala solli fjalën, pastaj në mediat ndërkombëtare nisën të botoheshin artikuj ekzotikë si “QSUT-ja, sekreti i fundit i Afrikës”, “Trikot e thurrura të infermiereve shqiptare, tradita që s’duhet të humbasë” etj etj.

Gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj donin ta shijonin këtë përvojë. Mirëpo shtetasit e huaj nuk mund të hynin e dilnin qesim nëpër spitalet tona, si në mall të babait. Si t’ja bënin?

Atëherë u gjet zgjidhja: Do maskoheshin si turistë. 

Shumëkush e mban mend sesi vizitorë nga Italia, Gjermania, Polonia, por edhe shqiptarë të diasporës shumëvjeçare, sa zbrisnin në Rinas, në kufirin tokësor, apo nga tragetet e linjës në portet e Durrësit, Librazhdit dhe Këlcyrës, flisnin sa për sy e faqe për plazhet e mrekullueshme shqiptare, malet, arkeologjirat dhe shpifësirat e tjera, por me zë të ulët u jepnin porosi taksistëve, “më ço të shoh spitalin tuaj, shpejt”.

Ata që ishin me fat, e kishin prenotuar që më përpara një krevat dhe dy stola anash për familjarët. Por kishte dhe nga ata që pasi vinin vërdallë dy-tre ditë nëpër oborre spitalesh dhe flinin në lulishte, i humbisnin shpresat. Atëherë mblidhnin rraqet dhe shkonin të vrerosur, në ndonjë hotel plazhi në Durrës, Radhimë, Dhërmi, apo Sarandë. Të zhgënjyer, u telefononin familjarëve: “Jo jo, nuk pata fat kësaj rradhe. Do ta provoj prapë. Policia nuk dyshoi fare”.

Kuptohet, sa më shumë shtoheshin ardhacakët, aq më e paktë ishte mundësia t’u plotësohej ëndrra për t’u shtruar, qoftë dhe për një natë, në spitalet tona.

Çfarë do bëhej me gjithë të tjerët, që nuk kishin të ngopur me sistemin tonë shëndetësor, që mos u ngopshin jarebi?

*

Organizatorët e skemës – hetimet tregojnë se ishin përfshirë edhe qeveritarë të shkurtër, trupmesatarë dhe të gjatë – u detyruan të investojnë në hotele, beach-bare, restorante, shezlongje, për t’i mbajtur vizitorët këtu.

Një trutharë propozoi investime në shëndetësi, por e kuptoi shpejt gafën: Po të shtoheshin spitalet, shtretërit, mjekët, infermieret etj, nuk do gjenin kurrë infermiere veterane që thurrin çorape, as mjekë që vijnë era raki dëllinje.

“Hajvan, vizitorët e huaj nuk duan të shohin vajzuke infermiere që lyejnë thonjtë dhe mjekë të rinj që vijnë era redbull. Ata vijnë për traditën”, ja prenë shkurt.

Në të vërtetë, sot e kësaj dite turizmi do të vazhdonte të rritej si efekt anësor, si mbulesë për planin kryesor, po të mos ishte publikimi i disa videove të të huajve të kënaqur me spitalet shqiptare, nga ana e ministres Servis Pala.

Mes tyre spikati videoja e vizitorit italian Xhuzepe Sfaçiato: “Më në fund e realizova ëndrrën time. Kam dhjetë vjet që vij i maskuar si turist në Durrës, Shëngjin, Vlorë, Ksamil… Ja vlejti tortura për këtë magji që përjetova në QSUT. Nuk dua të bëhem palë, por vetë ministrja Pala erdhi dhe më fërkoi kurrizin me raki mani, dhe më hodhi kupa. Në fund më dhanë dhuratë edhe një palë pupa leshi. Ju e dini që dimri siçilian është i egër…”.

Fjalë të mira kishte edhe vizitori grek Kalamaris Oktapodas:

“Jua them hapur. Unë vërtet emrin dhe mbiemrin e kam me fruta deti, po supë si ajo e spitalit tuaj nuk kam ngrënë gjithë jetën time! Ndenja një javë dhe kam rënë dhjetë kile. Pale si e kapja lugën kur ma hidhnin në ajër që nga dera e dhomës. Bravo pedhja, bravo!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-spitalore para-universitare


Video