SHKURT E SAKTË / Mamica dënohet të thajë kënetën e Maliqit; Doktori bën aleancë me arqiomarksistët

24 Nëntor 2026, 20:56Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
SHKURT E SAKTË / Mamica dënohet të thajë kënetën e
Bella duke përcjellë Mamicën për në Maliq

1. Mamicës i çirret maska, zbulohet grup i ri armiqësor

Siç u dëshmua edhe nga punimet e mbledhjes së jashtëzakonshme të grupit të zakonshëm parlamentar socialist, të transmetuara drejtpërdrejt për popullin e Tiranës nga kinema Republika, partia i dha dje dërrmën e fundit grupit armiqësor të drejtuar nga deputetja Mamica dhe të përbërë nga vetë ajo. Pasi refuzoi të tregojë shokët, kjo armike e hunjve dhe e litarëve u përjashtua nga grupi (që në shumicë përbëhet nga hunj dhe ushkurë), i cili, sipas kryetarit Tao Paralelopipedi, vendosi ta dërgojë atë të thajë e vetme kënetën e Maliqit, që është rikrijuar së fundmi nga rreshjet e shumta.

“Jemi të sigurtë se ajo nuk do ta thajë, por do ta sabotojë Maliqin”, pohoi Tao, “dhe atëherë do dalë fjala e partisë”.

Mbledhja vuri në dukje se shoqja Bella ja kishte dhënë një herë, dy herë dorën e ngrohtë Mamicës, por ajo nuk kishte bërë as kthesë, as autokritikë, dhe as ishte thelluar. Për më tepër, rezultoi se Mamica kishte patur edhe një dajo me Ballin – paçka se asokohe Balli drejtohej nga I Gjati – dhe kishte komunikuar me Fllotën e Gjashtë Amerikane të flamingove. Duhet shënuar se vetë Mamica nuk e kuptoi tamam se çfarë kishte bërë, për shkak të përmendjes me qindra herë të emrave të ngjashëm me B, si Bella, Balla, Ballukja dhe Balli. Megjithatë ajo si një armike e rregjur, nuk pranoi asnjë faj dhe deklaroi se edhe sikur t’ja prisnin kokën, do nxirrte shtatë të tjera, njërën me flokë më me onde se tjetrën.

Por partia u kundërpërgjigj me vendosmëri, duke deklaruar se edhe sikur kjo të ndodhte, socialistët do nxirrnin shtatë Tao të tjerë, njërin më kokëcepsh se tjetri.        

2. Doktori gati për aleancë me këdo; edhe me arqiomarksistët

Një deklaratë historike bëri Doktori këto ditë, kur pohoi se për të rrëzuar Të Gjatin, ishte gati të bënte aleancë me këdo e me gjithçka. Edhe vetë socialistët u emocionuan kur e dëgjuan, sepse iu kujtua aleanca e qelbësirave e 2013-ës, që solli këto ditë të lumtura që gëzojmë ne sot.

“Po po zotëri, ja po të them unë ty! Edhe me atë arqiomarksistin, Qorin, jam gati të bashkëpunoj. Ti e ke inat PD-në? Shumë dakord zotëri, mbaji bindjet e tua. Po hajde të bashkojmë forcat, të kërrejmë këtë të keqe të madhe, pastaj, kur të bëhem unë e keqja e madhe, më rrëzo dhe mua!”

Doktori shtoi se Qori ishte një armik i nderuar, ashtu si dhe Xhepi – mesa duket e kishte fjalën për Tiku Politikun, që dikur kishte milituar politikisht me Niku Juridikun – dhe se Shqipëria ishte më e madhe se partia. Bile për të treguar sesa i hapur ishte, Doktori shtoi:

“Për të rrëzuar të Gjatin, unë jam gati të bashkëpunoj edhe me Të Gjatin o zotëri! I them, hajde të të rrëzojmë, pastaj e zgjidhim çështjen e pushtetit. Shqipëria e para!”

Ndërkohë mësohet se arqiomarksisti Qori me stoicizëm e ka refuzuar tre herë ftesën. Nëpër grupet e protestuesve ka filluar të qarkullojë një këngë e re:

Tre herë të ftoi Doktori

Tre herë Jo i the,

Lule Qor o djalë,

Që re për atdhe!

3. I Gjati prezanton e-gjobat: S’ka më sorollatje, do t’ju vijmë në shtëpi

Kryeministri I Gjatë ka prezantuar së fundi nismën për krijimin e një sistemi unik të gjobave, i cili synon të shkurtojë në maksimum procesin e vendosjes, njoftimit dhe pagesës së tyre.

Gjatë prezantimit, I Gjati deklaroi shkurt se qytetarët do të njoftohen menjëherë përmes platformës e-Albania dhe me mesazh në telefon, sapo të vendoset një gjobë. Kryeministri bëri të ditur se një tjetër lehtësi do të jetë se, sapo të vjen njoftimi që ke marrë gjobë, po atë çast do të trokasë në derë shteti për ta vjelë gjobën.

“Në rast se nuk je në shtëpi, një çast më pas shuma e gjobës do të të hiqet nga llogaria bankare, duke shkurtuar burokracitë, pritjet nëpër sportele dhe malet me letra lart e poshtë. Me këtë rast mbrojmë dhe pyjet,” theksoi I Gjati.

Sipas tij, nëse i gjobituri është kaq leckaman sa nuk ka as lekë në bankë, atëherë shteti, duke eliminuar burokracitë do të marrë direkt në vendngjarje, domethënë në shtëpi, kundërvleftën e gjobës në mall e gjë; televizor, lavatriçe, pule, dele, lopë, lakra në bahçe etj.

Sa i përket apelimit të gjobës, I Gjati siguroi se të prekurit – nëse besojnë realisht se nuk kanë asnjë faj dhe ndihen të ndershëm thellë brenda vetes - mund të plotësojnë formularin e ankesës në platformën e-trapi për të marrë mbrapsht… paratë.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-burokratike


Vox Pop

Video