Emiriana Sako tashmë vepron hapur – I jep miliona firmës "Rajli Ndërtim" pa garë dhe konkurrencë!  

21 Nëntor 2026, 22:15Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Emiriana Sako tashmë vepron hapur – I jep miliona firmës
Emiriana Sako

Një tender i datës 19 nëntor 2026 ka ekspozuar kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, sërish me firmën Rajli Ndërtim, të cilës i ka dhënë miliona euro pa garë dhe konkurencë, duke sfiduar deri më tani të gjitha institucionet kontrolluese dhe ato ligjzbatuese. Nuk kanë mjaftuar raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit apo edhe procedimet apo referimet në prokurori për këtë dyshe, e cila po arrin që të zhvasë qindarkat e taksapaguesve durrsakë, pa asnjë drojë.

Pjesa më e madhe e procedurave tenderuese kanë qenë me një ofertues, pikërisht ato që ka fituar Rajli, ndërkohë që vetë kryetarja e bashkisë vepron sikur mos të kishte ndodhur asnjë gjë. Madje, edhe kompanitë e tjera që marrin informacion se në procedurat hyn në garë kompania Rajli, atëherë tërhiqen dhe nuk bëjnë ofertë, me idenë se “letrat janë kopsitur”.

Emiriana Sako tashmë vepron hapur – I jep miliona firmës

Emiriana Sako tashmë vepron hapur – I jep miliona firmës
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit për rikonstruksionin e disa qendrave shëndetësore në Durrës

Sipas dokumenteve që disponon Vox News, në datë 19 nëntor u finalizua tenderi me objekt “rikonstruksion i qendrave shëndetësore” me një fond limit 29,166,666 lekë pa TVSH. Kohëzgjatja e punës ishte 180 ditë ose 6 muaj. Ofertën e vetme e dha kompania “RAJLI NDERTIM”, duke ofruar 27.871.330 lekë.

Pra, oferta fituese është 95.56 % e fondit limit, me një diferencë prej vetëm 1,295,336 lekësh. Ose vetëm 4.44 % nën fondin limit. Një tender tjetër me flamur të kuq që ngre hije të tjera dyshimi se gjithçka ka qenë e paracaktuar ose dokumentet ishin “qepur” për vetë këtë firmë, që fiton gjithmonë në Durrës. Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox Neës, pronarë të kompanisë janë dy zonja, Enkeleda Gojashi (50%) dhe Lediana Mata (50%).

Emiriana Sako tashmë vepron hapur – I jep miliona firmës
Faksimile: Bilanci i kompanisë Rajli Ndërtim, me një fitim prej rreth 350 mijë eurosh në vitin 2025

Në vitin 2025 e njëjta kompani ka fituar vetëm nga Bashkia e Durrësit disa procedura të majme, me vlera të konsiderueshme, pavarësisht se KLSH shkruante se tenderat janë dhënë në mënyrë klienteliste. Por, pavarësisht se ka xhiruar dhjetëra miliona euro, dy zonjat kanë miratuar dhe publikuar bilancin e vitit 2025 me një fitim prej 31,903,333 lekë, i cili do të kalojë për divident.

Nëse ka apo jo fshehje, vetëm tatimet apo institucionet e tjera mund ta verifikojnë, por bilanci i nxjerrë duket se është shumë i ulët, në raport me vlerën e xhiruar. Dyshimet janë se, punët që kanë marrë Enkeleda Gojashi dhe Lediana Mata i kanë ndarë me firma nënkontraktore, pasi një kompani me vetëm 25 punonjës s’mund të bëjë gjithë ato ndërtime në Durrës.

Hekurin e betonin mund ta ketë marrë me firma të tjera po në Durrës, me lidhje tepër të fuqishme në atë qark, ndërkohë që e njëjta kompani ka fituar dhjetëra tendera për rindërtimin. KLSH ka dalë me një konkluzion se kryetarja Emiriana Sako “prokuroi dhjetëra miliona euro në shkelje të ligjit tek një grusht kompanish gjysmë fiktive”.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video