Një aferë po ndodh në Bashkinë e Kurbinit, ku kryetarja Majlinda Cara i ka qepur letrat e një tenderi për Elvis Mirin, pronarin e kompanisë Vale Recycling, i arrestuar dhe hetuar për mashtrime në fitimin e parave publike. Kësaj herë rasti është më flagrant, duke qenë se Cara i ka dhënë tenderin e pastrimit të qytetit kësaj firme me ofertën më të lartë.
Vox News ka hulumtuar dokumentet e kësaj procedure, të cilat hedhin dritë se Cara e kishte ndarë mendjen më parë për t’ia dhënë Mirit këtë tender, pasi ka skualifikuar dy ofertat që ofruan më pak, për t’a shpallur fitues Vale me plot 99.2 % të fondit limit. Rasti meriton që të hetohet nga Prokuroria e Posaçme, duke qenë se kemi të bëjmë me një paracaktim fituesi.
Dokumenti i mësipërm është njoftimi i fituesit të tenderit për pastrimin e qytetit të Kurbinit, i datës 29 tetor 2026. Procedura ka pasur si objekt pastrimin, grumbullimin dhe depozitimin e mbetjeve të ngurta dhe mirëmbajtjen e hapësirave dhe varrezave për Njësitë administrative Milot dhe Fushë Kuqe.
Fondi limit i procedurës ishte 75 milionë lekë të rinj pa TVSH, teksa në këtë tender bëri ofertë firma Silver me vlerë 58 milionë lekë. Kompania Rej ofroi 61 miionë lekë dhe firma e tretë, për nga vlera ishte ajo e Vale me plot 74 milionë lekë, ose plot 16 milionë lekë më shumë se oferta më e ulët.
Nëse do të bëjmë një llogari me fondin limit dhe atë që akordoi firma Vale, fituese, del se ajo ka marrë plot 99.2 % të të gjithë fondit, duke lënë rrugës vetëm disa qindarka. Në dokument, Bashkia e Kurbinit shkruan se firma që ofroi më pak Silver, u skualifikua për shkak se s’kishte deklaruar të dhënat për mjetet.
Ndërkohë, firma Rej u skualifikua se s’kishte dorëzuar disa dokumente për punëtorë. Dyshimet janë se e gjithë procedura ka qenë një farsë që në fillim, pasi pronari i firmës Vale është nga zona e Kurbinit. Me lidhjet që ka bërë në zonë apo edhe me lidhjet me kryetaren Majlinda Cara, mori pothuajse të gjithë fondin limit të akorduar.
Elvis Miri ka qenë më parë i arrestuar dhe proceduar, për asgjësimin e mbetjeve spitalore. Por, që nga lirimi dhe më pas heqja e skualifikimit të firmës, ai ka arritur që të fitojë disa procedura me shumë zero, fillimisht në tenderat e asgjësimit të mbetjeve spitalore dhe tani në pastrimin e qyteteve.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016