Çështja e Erion Veliajt tani është më e qartë, por më e komplikuar për të. Kryeministri Edi Rama ka marrë përsipër urdhrin për transferimin e tij në Fier, për shkak të dyshimeve se ai është përfshirë në komunikime të papërshtatshme nga burgu, të lidhura me revoltat e dhunshme në Tiranë, dhe se transferimi i përkohshëm e shkëput atë nga kjo paligjshmëri.
Nga ana ligjore, arsyetimi i Kryeministrit përpara grupit parlamentar, nëse provohet, e zhyt Veliajn në një hetim të ri për përdorim të paligjshëm të mjeteve të komunikimit. Nga ana politike, praktikisht e kthen atë në një kundërshtar të pushtetit, duke i mbyllur llogaritë politike me të.
Në fakt, unë nuk besoj se Veliaj qëndron pas ndonjë organizimi protestash në Tiranë dhe as se ka fuqi apo mjete logjistike për të ndihmuar ata që po protestojnë. Për më tepër, Erion Veliaj është politikani i burgosur më i sulmuar nga protesta, ku këndohet në kor parulla: “O Erion, o legen, prite Ramën se po vjen!”
Pra, nuk jemi as në kushtet kur protestuesit kanë konfidencë politike me të dhe as njerëzore.
Por nuk vë bast se ai nuk komunikon nga burgu, si çdo i burgosur tjetër. 1500 euro në muaj e kishte cmimin një telefon në kohën e Ulëziut.
Më shumë sesa miqësinë me flamingot, të cilën nuk e besoj, Erion Veliaj e ka bërë të qartë armiqësinë me pushtetin. Veprimet e tij të fundit, në përpjekje për të rivendosur autoritetin e vet mbi Bashkinë e Tiranës, si dhe deklarata politike për ngjarjet në Beograd, i dhanë fund dyzimit të tij si një politikan që përballej vetëm me padrejtësitë juridike dhe politike të drejtësisë së re shqiptare.Prej asaj dite ai është kthyer në një opozitar kritik ndaj pushtetit dhe qasjes së tij ndaj protestave në Tiranë.
Kjo është shumë më e rëndësishme sesa komunikimet e panjohura të tij, pasi ky është qëndrim publik. Qeveria nuk rrëzohet me biseda telefonike dhe as me muhabetet e burgut, por me rreshtim politik pro ose kundër saj. Erion Veliaj e ka bërë të qartë diferencën që ka me pushtetin lidhur me protestat dhe, si i tillë, është një kundërshtar i pushtetit.
Kundërpërgjigjja e Edi Ramës ndaj Veliajt nuk duhet të ishte transferimi në Fier apo kujdesi që “ai të mos thellohet në gabime”, por një deklaratë publike kundër tij. Ai nuk mund të sillet me dikë që tanimë e ka kundërshtar politik si me një kalama që duhet edukuar, duke i hequr lodrat nga duart, në këtë rast telefonat.
Edi Rama duhet të dilte e t’u thoshte socialistëve se Erion Veliaj është një kundërshtar yni tani e tutje dhe kush është me mua të vazhdojë pas meje. Kjo është e ndershme, e drejtë dhe politike. Mbi të gjitha, është edhe e vërtetë.
Prej asaj dite, Edi Rama ka të drejtë që, si kryetar i Partisë Socialiste, ta trajtojë Erion Veliajn si kundërshtar politik. Por si Kryeministër nuk ka pse të përzihet në regjimin e tij të burgut. Për më tepër tani që e ka kundërshtar politik. Ai duhet të qëndrojë përballë tij si kundërshtar politik, por jo si Kryeministër.
Madje, pikërisht pse tani e ka kundërshtar politik, ai duhet të tregojë shumë herë më tepër kujdes që të mos përzihet në çështje që i takojnë regjimit të burgut dhe burgosjes së tij, pasi, në vend që ta dëmtojë, mund ta bëjë hero politik, duke dëmtuar edhe kauzën e vet politike, edhe autoritetin e shtetit.
Ai nuk mund të sillet edhe si engjëlli i tij mbrojtës, edhe si xhelati i tij.
Tani që e ka kundërshtar politik, duhet të ruajë sportivitetin dhe distancën që ka ruajtur me çdo kundërshtar politik deri më sot, me të cilët ka pasur jo vetëm raporte të paqta, por ndonjëherë edhe respekt të tepruar.
Erion Veliaj tani është njëri prej atyre që ka përballë. Kthejeni në Durrës, që të jetë afër familjes së tij, dhe trajtojeni si kundërshtar.
Për fat, ka dy prokurorë te koka, të cilët janë gati t’i ngrenë akuzë edhe për vrasjen e Krishtit, pasi edhe denoncuesin ia kanë gjetur me një emër që, nga Greqia prej nga e kanë marrë frymëzimin, do të thotë një luftë e ringjallur.
Ndaj, i gjithë angazhimi i Kryeministrit në këtë histori është i tepërt për dikë që po vuan ende një përbetim për t’u dënuar me çdo kusht. Nuk ka nevojë për akuza të tjera. Dhe as Partia Socialiste nuk kishte nevojë për një luftë të re brenda saj.