Protestues të “dënuar”?! Kush e futi në kurth Ramën brenda Kryeministrisë me informacione të pasakta!

23 October 2026, 16:02Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Protestues të “dënuar”?! Kush e futi në kurth
Ergys Llanaj/ Edi Rama/ Jon Sinoymeri

Kryeministri Edi Rama doli të premten përpara publikut me një dosje penale të ndërtuar për të provuar se mes protestuesve të dhunshëm nuk kishte studentë, por persona me precedentë, të përfshirë në drogë, vjedhje, dhunë dhe vepra të tjera penale.

Rama nuk i paraqiti informacionet si thashetheme. Përkundrazi, deklaroi se ishte koha që pretendimet e tij të mbështeteshin me “fakte e dokumente”, ndërsa në ekran u shfaqën fotografi, iniciale, mosha dhe të dhëna penale për dhjetëra persona të shoqëruar gjatë protestave.

Por, vetëm pak orë më vonë, dy prej rasteve të përdorura publikisht nga kryeministri u demaskuan, duke vënë në pikëpyetje fjalimin e Ramës.

Një prej personave të paraqitur nga Rama ishte një 20-vjeçar me inicialet J.S.

Protestues të “dënuar”?! Kush e futi në kurth
Jon Sinoymeri

Në materialin e prezantuar nga kryeministri ai u përshkrua si “jo student” dhe me precedent për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Pak më vonë, i riu u shfaq publikisht nga protesta.

Ai u identifikua si Jon Sinoymeri dhe deklaroi se është student i Universitetit të Mjekësisë. Përpara kamerave tregoi edhe rezultatet universitare, duke pretenduar se ka mesatare 10.0.

Sinoymeri tha se i vetmi rast kur ishte shoqëruar në polici kishte qenë pas pjesëmarrjes në protestë, ku sipas tij ishte mbajtur rreth shtatë orë e gjysmë dhe më pas ishte liruar. 

Rasti tjetër është ai i Ergys Llanajt. Rama e përfshiu mes personave të paraqitur si me precedentë penalë.

Protestues të “dënuar”?! Kush e futi në kurth
Ergys Llanajt

Por Adriatik Lapaj publikoi një version krejt tjetër të historisë. Sipas tij, Llanaj ishte arrestuar më herët, por gjykata e kishte deklaruar arrestimin të paligjshëm dhe më pas kishte pushuar procedimin me argumentin se fakti penal nuk ekzistonte.

Lapaj e përshkroi Llanajn gjithashtu si ish-ushtarak me 18 vite angazhim, doktor shkencash dhe person të pajisur ndër vite me certifikata sigurie të NATO-s. 

Por kush ia përgatiti Ramës këtë dosje me informacion të gabuar?

Vox News ka identifikuar 2-3 persona që kanë përgatitur dosjen për Ramën. Ata janë zyrtarë brenda kabinetit të kryeministrit, të cilët kanë përpiluar në bashkëpunim me strukturat ligjzbatuese këtë dosje penale.

Burime për Vox News bëjnë me dije se Rama ka shkundur kabinetin e afërt të tij për këto informacione të gabuara dhe deri tani, askush nuk ka pranuar kurthin e ngritur ndaj Kryeministrit. 

Sepse Rama nuk po bënte një bisedë private ku dhe mund të thuash ndonjë thashethem, por doli para qindra mijëra shqiptarëve duke prezantuar sipas tij fakte.

Diçka të tillë e bën shpesh Sali Berisha, ku qytetari dixhital ka plot pasaktësi, informacione tendencioze, manipulime me keqdashje etj. Por Berisha nuk ka kapacite shtetërore verifikimi, siç i ka Edi Rama. 

Këto nuk provojnë automatikisht se e gjithë lista e kryeministrit është e gabuar. Shumë nga personat e tjerë mund të kenë realisht dënime apo procedime të dokumentuara. Por këto dy raste rrëzojnë në publik të gjithë fjalimin e Ramës. Dhe po ta shihni, askush nuk merret me pjesën tjetër të listës, por vetëm me dy rastet ku Rama gaboi.

Tani përgjegjësia është e Kryeministrisë të sqarojë origjinën e informacionit.

Sepse nëse dikush brenda aparatit shtetëror po i vendos përpara Edi Ramës materiale të paverifikuara, ai person po fut në kurth vetë kryeministrin, duke e dëmtuar komplet imazhin e tij, në një kohë kohë protestash që kërkojnë dorëheqjen e tij.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video