Vijon vala e dorëheqjeve në institucionet shtetërore, pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama për largimin e drejtuesve të administratës. Mësohet se sot ka dhënë dorëheqjen edhe drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj.
Binaj, i cili mbante këtë detyrë prej tetorit të vitit 2024, ka paraqitur dorëheqjen në kuadër të kërkesës që kryeministri Rama u ka përcjellë ministrave për drejtuesit e institucioneve në varësi.
Ilir Binaj u emërua në krye të administratës tatimore më 2 tetor 2024, me vendim të Këshillit të Ministrave. Binaj është akuzuar se ka ushtruar presion tatimor ndaj bizneseve me porosi të caktuara.
Dorëheqja e tij vjen një ditë pasi Vox News raportoi ekskluzivisht për mbledhjet urgjente të ministrave me drejtuesit e institucioneve, gjatë të cilave u është komunikuar kërkesa për dorëheqje.
Sipas informacioneve të siguruara nga Vox News, procesi ka nisur këtë të premte dhe duhet të përfundojë deri të hënën, më 26 tetor.
Ndërkohë, mbetet ende e paqartë nëse dorëheqjet e drejtuesve do të pranohen përfundimisht apo nëse një pjesë e tyre do të rikonfirmohen në detyrë pas një procesi vlerësimi.
Ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Ilir Binajn në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016