“Fatin e atdheut e kemi në duart tona” – Një apel i Ismail Kadaresë, që duket aktual edhe sot

18 October 2026, 16:09Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Fatin e atdheut e kemi në duart tona” – Një apel i

Në fillim të marsit 1997 gjendja në Shqipëri u përkeqësua edhe më shumë dhe po shkonte drejt anarkisë. Atëbotë shkrimtari Ismail Kadare iu drejtua kombit me një apel, i cili edhe sot tingëllon aktual.

Lexojeni në vijim:

"Në këto javë e tërë bota ka ndjekur ditë pas dite ngjarjet tragjike të Shqipërisë. Ky ka qenë një teatër i përgjakshëm që ka zgjuar kudo ndjenjat nga më të ndryshmet. Në shumicën e rasteve keqardhje dhe dhimbje. Po, në rastet e tjera natyrisht më të rralla nuk ka munguar dashakeqësia dhe cinizmi. Teza e vjetër se shqiptarët si ata që jetojnë në Shqipëri dhe si ata që jetojnë në Kosovë nuk e meritojnë as lirinë e as demokracinë, është ringjallur përsëri, ndonëse nuk thuhet haptas.

Shqipëria ka pësuar një rënie si rrallherë në historinë e saj. Miliona shqiptarë anekënd globit tokësor, nga Amerika e Kanadaja, në Itali, Greqi, Kosovë e Mal të Zi, Maqedoni, në viset e ndryshme të Evropës Qendrore a të Skandinavisë e gjer në Australinë e largët me gjak të ngrirë e me ankth kanë përcjellë këtë rënie tragjike të atdheut. E kanë përcjellë duke pritur orë e çast që ky tmerr e kjo rrokullimë të ndalet.

Që Shqipëria të mbledhë veten nga turbullirat fizike e mendore të saj. Që të shlirohet nga xhindët që e kanë zënë, që t’i thotë mjaft dhunës, udhëheqjes së verbët, shkatërrimit. Me fjalë të tjera që t'i thotë mjaft vetëvrasjes së saj. Shqipëria është ende e gjallë. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të ngrihet, duhet vetëm një përpjekje, një mirëkuptim, një vullnet i mirë për të kapërcyer këtë ankth.

Një mirëkuptim e një vullnet i mirë duhet nga të gjithë, nga klasa politike, nga shteti, nga opozita, nga kryengritësit, nga krejt popullsia shqiptare. Është fjala për të shpëtuar shtëpinë tonë të përbashkët, të vetmen shtëpi e të vetmin truall që kemi në këtë botë të egër. Për këtë secili mund të bëjë diçka dhe secili duhet të bëjë diçka. Ende nuk është vonë për ta rimarrë veten. Gjëja më e ngutshme është që katastrofa të ndalet.

Më pas kur mendjet të kthjellohen dhe gjaku të ftohet nga të gjithë, do të shikojmë me tmerr humnerën, ku deshëm të rrëzohemi. Dhe pavarësisht nga gabimet e bëra dhe pavarësisht nga kush u kryen ato ne do të ndihemi bashkërisht krenarë që e shmangëm katastrofën.

Me anë të zgjedhjeve të lira të kontrolluara rreptësisht nga bota, mund të zgjidhet gjithçka. Me anë të dhunës e të urrejtjes nuk zgjidhet asgjë. Populli shqiptar është i lodhur dhe i tronditur rëndë. Ai ka nevojë të rifillojë të jetojë, e jo të vazhdojë të vdesë. Dhe, ai i ka të gjitha mundësitë që të fillojë një jetë më të mirë dhe le të shërbejë kjo që ndodhi si një mësim për të gjithë, për shtetin e ardhshëm shqiptar, për krejt shoqërinë shqiptare, për demokracinë. Bota e tërë po ndjek me vëmendje dramën tonë. Ajo ka premtuar se pas kalimit të kësaj stuhie do ta ndihmojë përsëri në të gjitha fushat Shqipërinë. Ajo ndërkaq e ka bërë të qartë se shqiptarët duhet ta meritojnë ndihmën. Pra, gjithçka varet prej nesh.

Fatin e atdheut, fatin e tyre dhe të fëmijëve të tyre shqiptarët më tepër se kurrë e kanë sot në duart e tyre".


Video