
Prej dy ditësh, dhjetëra të rinj mblidhen para Ministrisë së Arsimit, për të protestuar.
Sot i vunë madje flakën.
Protestuesit studentë kërkojnë një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë, gjë që kjo Qeveri, sipas tyre, nuk e siguron.
Ka një detaj të habitshëm ndërkohë.
Ndërsa kanë reaguar shumë deputetë e ministra, e vetmja që nuk flet, është pikërisht ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, të cilës protestuesit i kanë shkuar tek dera.
Ajo nuk ka thënë asnjë fjalë, duke heshtur në mënyrë të çuditshme.
Postimi i fundit që ka bërë në rrjetet sociale, ka qenë dje para nisjes së protestës, kur bashkë me kryetarin e Bordit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim Michael Granoff, në nisjen e punës për krijimin e ambienteve të reja të Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore.
Prej atëhere vetëm heshtje, ndërkohë që duhej të ishte e para që duhej të reagonte.
E para, të ftonte studentët për të dëgjuar çfarë kërkesash kanë (ta bënte një përpjekje normale, se vështirë t'i shkonte njeri).
E dyta, të dënonte dhunën që po ndodhte para derës së Ministrisë së saj, nga të dyja krahët.
E treta, dhe kjo është pika më e vështirë për politikanët shqiptarë, të çonte ndërmend edhe dhënien e dorëheqjes, nëse kjo gjë çon në zgjidhjen e krizës.
Sigurisht që studentët nuk kanë dalë për kokën e saj, por për ata të Edi Ramës.
Por një fjalë apo një përpjekje, mund ta bënte edhe Kumbaro, për të treguar pse është ministrja më jetëgjatë e Edi Ramës.
Jo prej faktit se e ka mirë dhe i bindet këtij të fundit, por se është një politikane e përgjegjshme.
Deri më tani, e ka humbur këtë shans!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016