Suksesi i pastorit Taulant
Një lajm i frikshëm vjen nga porti i Durrësit, ku policia njoftoi se janë kapur tre kontejnerë të mbushur me gurë e guriçka, gati për t’u përdorur nga vandalët në protestën e Tiranës. Zbulimi i këtyre armëve të ftohta është bërë i mundur falë skuadrës kanine të policisë dhe qenve të stërvitur posaçërisht, pas disa përpjekjeve. Kjo, sepse së pari ishte shumë ftohtë, dhe së dyti, se gurët ishin fshehur në mënyrë aq profesionale brenda pakove me kokainë, sa as skaneri nuk arriti t’i dallonte.
Kryeministri doli menjëherë në konferencë për shtyp për të falenderuar policinë e shtetit të tij dhe për të dhënë disa detaje rreth operacionit. Ai deklaroi se kjo ngjarje është edhe më e rëndë se ajo e disa ditëve më parë, kur një sasi e madhe maskash kriminale anti-gaz dhe syze mbrojtëse, u zbulua e fshehur mes pakove të zakonshme me hashash të presuar. Kryeministri shtoi se do të propozonte shpërblim të veçantë për qenin e stërvitur të policisë, pastorin librazhdas me emrin Taulant.
Sekreti i bukurisë së Ballthiut
Ditët e fundit të gjithë në PD çuditeshin me nurin e veçantë që i kishte rënë deputetit Klevis Ballthiu. Një dritë i rrëzëllinte në fytyrë, ndërsa balli që i vazhdon deri në gjysmë të kokës, i shkëlqente. Ballthiu e kuptoi mahnitjen e kolegëve, sidomos dëshirën e Belo Këllëfit për ta pyetur, ndaj ja hoqi merakun.
“Ti Belo kujton se më shkëlqen balli nga kura e zakonshme e lyerjes me paçe e pilaf, si më ka mësuar babai. Jo i dashur. Që kur notova në Lanë si shoku Mao Ce Dun që kaloi lumin Jance me not, jam bërë tjetër njeri. Ta rekomandoj. Në fillim është pak ftohtë por mësohesh; ai ujë i bekuar ma ka bërë lëkurën të pastër si mermer”.
Në fakt, duket se këshilla është marrë parasysh. Së fundi ura përballë SHQUP-it ka mbetur pa punë, sepse shumica e demokratëve kalojnë Lanën me këmbë për të shkuar në seli.
I Gjati insiston: Në demokraci vidhet me votë, jo me dhunë
Në intervistën që ka dhënë pardje për gazetën greke “To’pe To’pe o papagalos”, I Gjati ka ritheksuar se nuk do të japë dorëheqjen vetëm se duan ca kokëpalarë.
“Ju grekët duhet ta dini më mirë se unë, se keni shpikur demokracinë. Në demokraci vidhet me votë, jo me dhunë. Bujrëm, kur të më mbarojë mandati vjedhës, ta provojmë në zgjedhje, kush vjedh më shumë se unë, le të vijë në pushtet. Kush vjedh më poshtë se pragu lek-toral, nuk hyn në parlament. Ato parti që vjedhin pak, le të bëjnë koalicion dhe të bashkojnë plaçkën. Ky është ligji,” deklaroi I Gjati.
Premtimi i Doktorit po erdhi në pushtet
Sa më shumë protestuesit e duan në burg, aq më shumë Doktori ka mbështetur protestat. Bile me altruizmin që e ka karakterizuar që të vogël, ka furnizuar protestën me grupet e gatshme studentore të Kamzës, Mamurrcit dhe Laçit.
“Shkoni djem, paçi uratën. Kujdes, se ditën e parë e shkelët ca. Mos thyeni byrektoret dhe berberhanet se s’ka lezet, vetëm bankat dhe kompanitë celulare. Dhe meqë jeni aty, mbani shënim edhe ata që duan Të Gjatin në burg, ata që më duan mua në burg, dhe ata që na duan të dyve brenda,” i porositi ai.
Ndërkohë, me pasion dhe me lot në sy, ai ka mbrojtur protestuesit e dhunuar nga policia e krimit.
“Aaaa një sekondë, unë të garantoj tyyyy! Protestuesi asht i shenjtë mor zotëri, ai nuk preket!
Unë ju siguroj juuu, se po erdha prapë në pushtet, policia nuk do prekë as qimen e flokut të protestuesve: Po, mund të vras nga dritarja e zyrës 3, 30, apo 300 protestues, por ata nuk do t’i ngasë kush me dorë! Rama ik!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro protestës ndaj dhunës… dhunës protestuese… protestës së dhunshme… dhunës ndaj protestuesve… diçka e tillë pak a shumë