TIRANË/HIMARË – Njoftimi i fundit i Prekurorisë së Posatëshme kondra Rrahjes së Kafshëve dhe Vagabondazhit, SPAK, duhet të shërbejë si mësim për mediat dhe reporterët e papërgjegjshëm, po edhe për analistët fluturakë që të maten mirë para sa të njollosin emra të spak-atur të jetës publike dhe asaj politike në vend, duke ua veshur atyre të gjitha ngjarjet e papëlqyershme që ndodhin në Shqipëri.
Pas kësaj introdukte, le të kthehemi tek lajmi: Prekuroria e Posatëshme ka deklaruar se pas një verifikimi të kujdesshëm dhe vëzhgimeve në terren, është konstatuar se dy prej 157 vilave në bregdetin e Palasës, Himarë, përfundimisht dhe jashtë çdo dyshimi, nuk janë të ish zv.kryeministres dhe ish ministres së infrastrukturës, energjisë, transportit, aropllanave, aroporteve dhe vaporëve që prodhojnë korrent, Bella Ballukja.
“Nuk ka asnjë gjasë që ato dy vila të jenë të saj,” sqaroi njoftimi për shtyp, “sepse përveçse kemi kontrolluar dokumentacionin e pronësisë, pagesat bankare, identitetin e njerëzve të përfshirë etj, kemi vëzhguar për një vit rresht se kush i përdor ato banesa, kush hyn e kush del, çfarë pazaresh bën, sa rri etj. Edhe pse u çuditëm, ishim të detyruar të mbërrinim në përfundimin se dy nga 157 vilat e Palasës, nuk janë të zonjës Ballukja dhe nuk lidhen në asnjë lloj mënyre me të. Ato u takojnë dy gazetarëve të revistës Bota e Re, të cilët në zarf mbajnë emrin e tyre, ndërsa në revistë seç vënë një llagap të çpifur”.
***
Është më e pakta që mund të thuhet, se lajmi në fjalë e ridimensionon të ashtuquajturin ‘skandali Ballukja’, që në fakt është paraqitur si një zinxhir i pandalshëm skandalesh nga më të larmishmit: Vjedhje me tendera tunelesh, caktim segmentesh rrugore për ndërtim me klientelizëm, tentakula në energji, ministri të brendshme, polici etj. Madje janë hedhur dyshime se edhe një vilë në Surrel të Tiranës, realisht është pronë e saj, pavarësisht se banohet përkohësisht nga një artist bohem që shet kuaj me çizme meksikane dhe zhaba në allçi, dhe i nënshkruan punët e tij me emrin e artit, Palloshi.
Sipas komentatorit politik Zhuljan Këllira, zbulimi në fjalë tregon se sa kollaj shqiptarët nxitohen të hedhin baltë mbi figura të politikës dhe jetës publike, duke akuzuar pa fakte dhe duke prishur karriera të ndërtuara me mund.
“Çfarë nuk thanë për zonjën në fjalë. Jo është grifshë, jo është shtrigë, jo po s’ka lënë vilë në bregdet pa ndërtuar, nga Velipoja në Ksamil. Po tani çfarë do thoni? Do t’i kërkoni falje, po sa para bën? A rikthehen më zemra e lënduar, netët pa gjumë, stresi? I bëj thirrje Prekurorisë t’i pushojë të gjitha çështjet ndaj saj,” komentoi Këllira.
Ndërkaq, vetë e lënduara nuk u prononcua gjatë për këtë njoftim që i vuri në vend dinjitetin dhe personalitetin e një shërbëtoreje shembullore të popullit. Ajo u mjaftua me një fjali para se të merrte avionin për të shkuar në zyrë: “E vërteta vonon, por nuk harron”.
***
Nga ana tjetër, Prekuroria e Posatëshme sqaroi se edhe 155 vilat e tjera të Palasës, nuk janë tamam të Bella Ballukes. Ajo mund t’i ketë frekuentuar ndonjëherë, por në shumë prej tyre pronarë me dokumente rezultuan 12 ish futbollistë dhe drejtues sportivë, talente të tenisit, këngëtarë operistikë, gjithë grupi polifonik i Bënçës, ekipi kombëtar i ping-pongut etj.
Deri tani, Prekuroria nuk e ka parë të arsyeshme ta pyesë Bellën për këtë çështje, por ditët e fundit janë parë të ndalojnë para SPAK-ut autobuza me artistë e sportistë që u morën në pyetje.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro vilave që njerëzit e shkretë të kenë ku të fusin kokën