TREGIM/ Përballë Pasqyrës së një Udhë Heqësi

27 Gusht 2026, 17:21Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Udhëheqësi duke kontrolluar cilësinë e pasqyrave

TIRANË/PORADEC – Vapa e atij gushti do të mbahej mend gjatë. Ai e dinte se për lëvizjen e rradhës i duhej një mjedis i freskët. Psherëtiu. Ehhh, tha me vete, kështu është kur lind në një pëllëmbë vend dhe je i gjatë. Të përplaset koka në tavan dhe të del në vendin fqinj. Ndërsa këmbët e tua i shfaqen komshiut poshtë.

U çua dhe lëvizi perden. Poshtë te dera e oborrit, e shoqja jepte e merrte me Bellën. Nuk është këtu, dukej sikur i thoshte, eja herë tjetër. Por Bella ngulte këmbë se kishte diçka me rëndësi. Apo mos ishte e shoqja që donte të hynte, dhe Bella nuk e linte?

Fërkoi sytë. Dreq o punë, tha me vete, po shoh ëndrra me sy hapur. U përqëndrua dhe e kuptoi që nuk ishin as njëra, as tjetra, por dy ndihmëset filipineze që po përpiqeshin t’ja ngecnin shoshoqes se kush do t’ja çonte kafen udhëheqësit.

“Udhëheqës leshi që jam dhe unë”, tha me vete, “burrë tamam ishte ai, shoku Enver, që e pinte kafen në Drilon”.

U hodh përpjetë. Sa gomar, shau veten, si s’më vajti mendja më parë? Në Poradec do t’i mbledh derrat, në fresk, larg sherrnajave dhe tymnajave.

***  

Televizionet, radiot, gazetat dhe Agjencia Telepatike Shqiptare oshëtinin në gjithë vendin. Më shumë po ngjirej TV Plani:

“Udhëheqësi i gjatë dhe i lavdishëm, ka mobilizuar në qytetin e bukur të Poradecit qeverinë, partinë, dhe deputetët e Kuvendit Popullor, që me vrull të math revolucionar të vënë në jetë vendimet që mori Ay kur lëvizi perden dhe pa dy ndihmëset filipineze që ngurronin t’i çonin kafen…”.

Ai hapi sytë. Kishte dremitur në makinën 300 mijë euroshe që sapo kishte ardhur.

“Ah Sandër, Sandër,” qeshi me vete duke kujtuar pronarin e TV Planit, “edhe në gjumë do më dalësh me lajmet e tua”.

Doli nga makina. E njoftuan se hunjtë dhe kukumjaçkat e partisë dhe qeverisë ishin mbledhur dhe po e prisnin me blloqe shënimesh dhe stilolapsa në duar. Le të presin, i tha asistentes, i solle ata aborigjenët që të porosita?

Pataj urdhëroi dy truprojat të hapnin bagazhin e Benzit. Merrini këto valixhet dhe lërini mbi tavolinë, u tha. Valixhet ishin të mbushura me pasqyra.

***

Ideja ishte e thjeshtë, prandaj edhe e bukur. Tek e fundit, kishte funksionuar edhe më parë. Ai kishte menduar të thërriste disa përfaqësues të spikatur të fiseve vendase, që kishin secili nga një hall. Ishin të moshuar, të nxirë nga dielli, disa kishin ecur me orë të tëra për ta takuar dhe kishin emocione. Që kur panë makinën të tij të hynte në oborrin e rezidencës qeveritare, kishin zënë të dërsinin nga sikleti. Pastaj u mekën fare kur panë që kishte dhe kamera. Shtynin njëri-tjetrin, hyr ti i pari Pertef. Po jo bre Taqkë, ç’ay llaf, hyr tinë bre, kam respekt…

Por zëri i ngrohtë bariton i udhëheqësit u dha kurajo: Hajdeni more shokë, urdhëroni!

Aborigjenët zunë vend si mbi gjemba rreth një tavoline të madhe. Çfarë do pini, i ftoi ai, kafe, çaj, apo doni nga një jagermeister?

Miqtë u shastisën me fjalët që s’i kuptonin. Një tullaci mes tyre filluan t’i dalin ca fije floku nga stresi. Ai më i nxiri u zverdh. Vetëm një gotë ujë efendi, mezi pëshpëriti i emocionuar, jemi të ngrënë e të pirë, vetëm ju të na rroni sa malet!        

Udhëheqësi e shijonte shumë këtë pjesën e liderit të thjeshtë të popullit. Që do merrni kafe, kjo punë ka mbaruar, u tha, po unë ju pyes, e doni ekspres apo të ngrihem e të vë xhezvenë?

Të ftuarit u lebetitën dhe folën njëzëri: Jo, në asnjë mënyrë, ju i duheni popullit i freskët dhe i çlodhur. Ja, të na sjellë kjo çupka një kafe nga aparati, mjafton.

Ai filloi t’i pyesë secilin me rradhë për hallin e pazgjidhur, ndërsa kamera regjistronte.

Tullacit nuk po i pillte lopa. Të nxirit nuk po i shiteshin domatet. Ndërsa një tjetër, që kishte ecur pesë orë në këmbë, ishte zënë me gruan, por kur i tha që po shkonte të takonte udhëheqësin, ajo e kishte puthur në të dyja faqet dhe ishin pajtuar.

“Domethënë, erdhe kot,” e ngacmoi udhëheqësi me buzëqeshjen e tij të parezistueshme. E qeshura pushtoi tavolinën.

“Jo pashai im,” tha gruapajtuari, “unë erdha të të takoj, dhe tani nuk do ta laj dorën sa të kem jetë. Kaq desha në këtë dynja!”

***  

Agjencitë e huaja të lajmeve njoftuan se udhëheqësi i një vendi të vogël në zonën e tretë të krahut të majtë të perandorisë, kishte shpërndarë pasqyra në masë për njerëzit e thjeshtë dhe të padalë të popullit. Efekti kishte qenë spektakolar. Aty, të shkretët zbuluan për herë të parë se çfarë fytyre kishin, dikush kishte buzën e shtrembër, një tjetër kuptoi se ishte veshllapush, një i tretë syvëngër, e më tej individë të ndryshëm identifikuan mungesë dhëmbësh, flokë të thinjur dhe mustaqe të rritura ilegalisht.

Një popull i tërë po kënaqej duke kundruar për herë të parë veten në pasqyrë, dhe as që e kishte mendjen se çfarë bënte udhëheqësi i lavdishëm, bashkë me hunjtë dhe kukumjaçkat e tij.

Një nga komentet më të spikatura thoshte:

“Dikur kolonizatorët europianë i gënjyen fiset vendase me pasqyra dhe xhingla, pastaj pak nga pak u morën tokën, vendin dhe i dëbuan. Ky I Gjati europeist po bën të kundërtën: Pasi e ka shitur vendin copa-copa dhe ka dëbuar njerëzit, u jep pasqyra atyre pak që kanë mbetur! Edhe tek lekët e tenderit të pasqyrave do fitojë ky njeri?”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pasqyruese


Video