PATRONAZHOSKOPI I GUSHTIT / Kujdes ju atje, Agron Shehaj po afrohet në shenjën tuaj!

1 Gusht 2026, 20:15Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Agron Shehaj duke iu afruar shenjës suaj

DASHI

Paske qenë me fat, qerrata/qerrateshë! Kryetari i Partisë Socialiste sapo të ka dhënë Besën se do interesohet për çdo hall që të kesh, dhe nëse administrata e qelbur dhe e korruptuar nuk ta zgjidh, ai do lidhet direkt me kryeministrin se janë shumë shokë bashkë. Por edhe në qoftë se kryeministri nuk ta zgjidh dot, e ke të sigurtë që ai do të të buzëqeshë me simpati, do të të vështrojë me telepati dhe do të të këshillojë me empati: “Po ti me kryetarin e PS-së merresh a i vrarë? Ai është kokrra e mashtrusit!”

DEMI

Yjet janë rreshtuar në favorin tuaj. Jeni bukuroshe ose të paktën simpatike? Ju ka rënë bretku duke punuar për PD-në dhe s’ua di njeri? Jeni zgjedhur në ndonjë forum drejtues sa për sy e faqe dhe pastaj s’ju llogarisin fare? Nxitoni, nxitoni. Qeveria ka disa vende vakante si drejtoreshë agjencie, zv.ministreshë e diçkaje apo shefe sektori e diçkaje tjetër, pasi socialistët që ishin më parë aty, ose janë në burg, ose janë në protestë. Telefononi tani! 

BINJAKËT

Muaji gusht do t’jua heqë të gjitha iluzionet që ushqenit për Bella Balluken. Ideja juaj naive se e shkreta kishte vjedhur - krejt rastësisht - vetëm në dy tendera të Unazës së Madhe dhe në tunelin e Llogarasë, do të bjerë pas njoftimit të fundit të SPAK-ut, se Bella ka zhvatur sa herë ka marrë frymë, sa herë ka hedhur një hap, sa herë është ulur e ngritur nga karrigia, sa herë ka buzëqeshur me ëmbëlsi dhe ka shkruar sms-ra për Palloshin. Thuaj shyqyr që tani Ministrinë e saj të Rrugëve dhe Korrentit, si dhe Financat, nuk i kanë më njerëzit e saj, se do ishte bërë nami!

GAFORRJA

Afrimi i Agron Shehajt në shenjën tuaj nuk parathotë asgjë të mirë. Ruani mirë çdo copë letër të printuar, fotokopje, dispensa, fatura dritash e uji. Më mirë fshihini në ndonjë sirtar me çelës dhe vendosni sipër ndonjë libër historie ose filozofie në vend të hudhrës. Në këtë mënyrë pakësohen drastikisht gjasat që ai t’u afrohet tinëz letrave, t’i rrëmbejë dhe të largohet me vrap, ndërsa ju e ndiqni duke i bërtitur, “zotëri, ju lutem zotëri, nuk lejohet”, dhe bëni kollotumba nëpër shkallë.   

LUANI

Nepset e çuditshme ushqimore që të kapin papritur, ndryshimet radikale të humorit, nuancat e thella grykore të zërit dhe flokët që të gufohen si krifë, paralajmërojnë vetëm një gjë: Si gjithmonë në këtë periudhë të vitit, je duke u shndërruar në luan. Ose luaneshë. 

VIRGJËRESHA

Më në fund erdhi dita! Rreshtimi i favorshëm i yjeve do të sjellë për virgjëreshat… mooos, ikën dritat.

PESHORJA

Nuk mund të vazhdosh pafund me shtyrje afatesh dhe vonesa. Vjen një moment në jetë që duhet ta mbledhën mendjen dhe të vendosësh: Ti je pro që Flamur Noka të jetë sekretar i Përgjithshëm i PD-së, apo të emërohet kryetar i Akademisë së Plëncave?

AKREPI

Do të zhgënjehesh shumë kur të marrësh vesh se ideja jote brilante e biznesit, që të marrësh pjesë në tenderat e AKSHI-t, të fitosh pa bërë asgjë, t’i japësh pjesën të Madhit dhe të blesh aropllana, vapora, kështjella dhe maqina në Francë, nuk është origjinale. E kanë zbuluar të tjerë më përpara, dhe madje e kanë zbatuar. Gjynah, se do kishe bërë goxha para dhe sot do ishe në titujt e parë të mediave.

SHIGJETARI

Të gjithë njerëzit me njëfarë sensi të të drejtës do të shokohen kur të dëgjojnë se në çfarë kushtesh të mbajnë për tetë për orë në ditë, si të trajtojnë dhe çfarë duhet të dëgjojnë veshët e tu të shkretë. Por tek e fundit, duhet të ngushëllohesh: Se mos ata kanë punë më të hajrit! 

BRICJAPI

Rrugët mes teje dhe Egos tënde do të ndahen përfundimisht këtë muaj, kur të të njoftojnë se në udhëtimin që po ndërmerr, ka vetëm një vend bosh dhe duhet të zgjedhësh. Por mos u mërzit; edhe pa Ego, shenja jote e horoskopit nuk ndryshon. Maksimumi, nga Bricjap do katandisesh në Brikec.

UJORI

Edhe pse Mërkuri i është afruar rrezikshëm Afërditës këtë muaj, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Ata nuk i lidh asgjë romantike. Janë thjesht kolegë zyre që shoqërohen pak si tepër, sepse kanë shpikur një skemë për të rrujt ca lekë pa e kuptuar shefi. Pastaj ti e ke parasysh Mërkurin: A bën surrati i tij për romanca, aman?

PESHQIT

Peshqit në det, tigani në zjarr, ka thënë populli, dhe ja ka futur kot. Sepse ti pushimet je duke i bërë larg detit, dhe atyre derëzinjve që mbajnë akoma tiganin në zjarr, u ka marrë flakë vaji dhe janë përvëluar. Mirë t’u bëhet. Kështu është kur mbështetesh verbërisht tek çdo proverb qesharak që i shkrep popullit në kokë.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike horoskopike


Video