TELETAJPI I KUQ / Ja çfarë diskutuan Doktori dhe I Gjati në linjën sekrete! 

22 Qershor 2026, 17:08Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I Gjati duke i gjetur gabimet ortografike Doktorit gjatë një fjalimi

SURREL / PALLATI i Lirisë, rruga e Salës – Linja sekrete e teletajpit të kuq mes Të Gjatit dhe Doktorit, që sipas marrëveshjes, vihet në punë një herë në muaj, ka qenë shumë e ngarkuar këto kohë. Në rrethana krejt rastësore, përmes ndihmës së një ambasade mike, Patronazhisti ka mundur të lexojë bisedën e fundit mes dy armiqve të betuar, dhe po e sjell për lexuesit në mënyrën më besnike të mundshme.

Çentralisti Mavi – Çentrali blu, marrje, si më dëgjon! Bëhuni gati për lidhjen direkte, Kodi “Ra Faja pri fiku”.

Çentralisti Blu – Çentrali mavi, konfirmohet “Ra Faja pri Fiku”, hyjmë në lidhje, komunikimi është i hapur. Over!

I Gjati – Hë, jemi në lidhje? Po ku je o Doktor, ku je o shpellari im i preferuar…

Doktori – Edi i krimit, Edi i drogs, klyshi i kuuuq, ky Sorosian i tërbuuum! Po hë mor zotëri, si vajti kjo punë?

I Gjati – Lërë lëre, s’po marr vesh gjë fare. Jam tu pikturu për të heq stresin. Seç ka një dorë këtu që po na i trazon të gjitha planet. Ishim rehat me ato protestat e tua, tre fishekzjarre, katër molotovë dhe kaq. Edhe me këto të fundit, adoleshentët e tu më shumë digjnin njëri-tjetrin sesa bënin ndonjë zarar. Ku i kishe gjetur, aman?

Doktori – Se nga i gjeti Zeni, nga fshatrat e Mamurrcit. Hajdeni se do djegim Enver Hoxhën, u kishte thënë, u dha edhe nga një 50-çe euro. Po s’ka faj dhe ai, ç’do bëjë më parë. Ata që dinin të digjnin, janë bërë biznesmenë tani, nuk prekin gjë me dorë.

Ej, po ça bëhet kështu, nga doli gjithë ky popull? Ke ndonjë informacion, çfarë bëjnë strukturat, çfarë bën shteti? Mirë ti që e meriton burgun, se je krimbur në korrupsion, po me mua ç’kanë?

I Gjati – Ti po ti, i ndershmi i dynjasë! Le se po më plas koka. Isha dy orë në telefon me Ivankën qëparë, nuk qetësohej për qamet. Po më prish imazhin me këto protesta, më tha. Dhe kush po ja prishte, unë! Doja me i thon, ti me atë babë skizofreno-narcizisto-injoranto-delirant që po hedh në erë gjithë globin, po ta prishkam unë imazhin? Apo me atë burrë që ngjan si robot me bateri Zisi dhe s’i qesh buza kurrë… 

Po dhe ajo e shkreta ça do bëjë. I kishim shtruar gjërat mirë e bukur…

Doktori – Dëgjo dëgjo ktu. Duhet me aktivizue mediat, analistët. Vetëm nuk i ban dot t’tana. E ke parë Zenin tim? Mbron pak protestën, mbron pak dhe investimet e huaja, ka fut dhe ca çuna mes turmës… Puna asht me marr kontrollin e lëvizjes. Po e kryme ktë, atëherë shtrohemi e hamë flamingo të pjekur me pilaf, dhe hapim ndonjë shishe verë nga ato të Gysit që ja more SPAK-ut nga duart…

I Gjati – Pret puna e pilafit, pret. Kështu ke qenë ti gjithmonë, i bën petullat me ujë. Çështja është me ul numrin e pjesëmarrësve. Unë ca i bëra grekë, ca iranianë, ca gjuetarë algoritmesh, ca emigrantë luksozë që vijnë me pushime… Po ata prapë shtohen mor burrë i dheut! E di çfarë? Unë dyshoj se gjithë administrata, edhe kur nuk del vetë, çon familjen e vet në protestë. Qelpsinat, unë me bukë e ata me gurë! 

Doktori – Po për ça i ke patronazhistët o zotëri, për të shkrujt rubrika satirike? Nxirri në punë, të numërojnë, të skanojnë njerëzit. Le që shumica e gazetarëve të tu tani s’guxojnë as të të mbrojnë!

I Gjati – Janë bythecë. Vetëm Bero Maze ka dalë hapur pro meje. Të tjerët më dalin në krah vetëm kur i kam punët mirë, marrin ato lekë dhe shkojnë me pushime. Si ka mundësi mor burrë, të gjithë mendjen te lekët e kanë, hë?

Doktori – Hahahahaa! Po pra po, çudi e madhe. Ndërsa ti u këpute për kët popull! Mos na hap barkun tani, po merr masa dhe po na del situata jashtë kontrollit. Edhe SPAK-u ta futi, të doli kundër. Ti sikur e kishe në dorë gjithë prokurorinë speciale…

I Gjati – Ore tallesh ti? Unë kujtoja se e kishe ti në dorë SPAK-un! Kështu sikur e lamë…

Doktori – Po si ore unë? E kishim 60% ti, dhe 40% unë. Prandaj qenkan bërë çorap punët? Hajde Edvin Kristaq Bojalliu, hajde! Si do ja bëjmë tani? Se po u bllokua Zvërneci, bllokohen edhe kullat e Zenit, edhe resortet e tua. Pastaj do ngrohemi në diell…  

I Gjati – Diçka do bëjmë po hë. Ata nuk kanë udhëheqje, janë një mishmash që nuk merr vesh i pari të dytin. Ata gjysmë-opingat tani për tani s’kanë në dorë asgjë, ndërsa ne kemi dijen, inteligjencën, know-how’n, savior (duhet savoir) faire’n, l’eleganza, il modo di comportarsi, that certain somethin…  Mendo, janë duke protestuar edhe ata idiotët nga Maqedonia dhe Kosova. Ja se do konsultohem pak dhe me Bero Mazen.

Doktori – Kujdes me Beron, se ta ka me të futur ai. Harrove ç’më bëri mua? E mbaja me lekë e me bukë, mirë që nuk flinim edhe bashkë, dhe faap më doli kundër.

I Gjati – Epo Doktor, ja fute ti, pa ta futi ai. Kjo botë jallane kështu e ka, ca edhe mund të na e fusin. Rëndësi ka që ne t’ja fusim shumicës. Pra, siç do thoshte Bella ime, “kryesore është që bilanci i futjes të dalë pozitiv”.

Doktori – Dhelpër është qënia… Se ku i gjen edhe ti ca talente! Mua të gjithë më dalin ose kunguj, ose gomenj. Nuk na solle ndonjë të hajrit këtej, përveç Belind Këllëfit! Po edhe ai, hallvë e ftohtë më duket!

I Gjati – Jepi pak kohë djalit. Po tani llafosu këtu me mua, se na hodhe degë më degë. Linja vërtet është sekrete, por mundësia e përgjimit nuk është zero! Ça do bëjmë? Të ndihmova, bëra çmos që të të hapej rruga e Amerikës, i kam rënë aq shumë në gjunjë Ivankës, sa mezi jam çuar. Jepi një dorë shokut tat! Se unë bashkë me ty në burg nuk rri, ta dish! Le që ty nuk të fusin për arsye moshe. Ça do bëj unë? Do luaj tavëll me Lilon?

Doktori – Dëgjo Gjatosh, se e kam një plan. Unë them të hapim depot e armëve, pastaj të ngremë avionët për të goditur popullsinë me lëndë helmuese, dhe të themi që e bënë grekët…

Dale more se paskam hapur fletoren e vjetër. Fshije këtë që thashë.

Dëgjo këtu: Dil në dritaren e kryeministrisë, merr nja dy snajperista dhe urdhëro të vrasin katër vetë. Pastaj vij unë në pushtet dhe vazhdon loja si më parë…

I Gjati – Epo ti paske rrjedhur fare! Skemat e Baba Qemos më tregon ti mua? Kanë ndryshuar kohët Doktoooor! Tani ka algoritme, softuere, rrjete sociale, inteligjencëra artificialëra, manipulime turmash… Jo po do t’i vë gjoksin topit si Selam Musai!

Doktori – Epo unë të dola borxhit. Të pata thënë, vidh me karar se ka për të gjithë. Shko kërkoji ndihmë Diellës atëherë, kokrra e hajvanit!    

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-teletajp, pro-flamingo


Video