FLAMINGOSKOPI I KORRIKUT / Taulant Balla, vezët dhe mielli do të hyjnë në jetën tuaj këtë muaj!

2 Korrik 2026, 19:26Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një protestues i infiltruar greko-serbo-iranian

DASHI

Nën ndikimin e planetit të errësirës, Neptunit, Edi Rama do të të bindë se protesta e bukur qytetare dhe estetike mbaroi, dhe tani doli fytyra e vërtetë e dhunës greko-serbo-iraniane, siç ai kishte paralajmëruar. Sigurisht, sa koha protesta ishte e bukur, Edi Ramës nuk ju ndje zëri i gojës as për korrupsionin, as për Shqipërinë e kthyer në çiflig ku ai ndan projekte, toka e resorte turistike si të ishte në pronat e Kristaqit, as për rininë që ka ikur nga sytë këmbët. 

DEMI

Ke shpirtin e ankesës. Do ankohesh për vapën, për ajrin mbytës, për Tiranën e pushtuar nga asfalti, çimentoja dhe ndërtimet. Dhe do shash qeverinë që e ka katandisur kryeqytetin në këtë gjendje. Por si vesves dhe kararsëz i pandreqshëm që je, sërish do ankohesh kur policia, me xhentilesë do të të freskojë ty dhe shokët e ty, me makinën ujëhedhëse përpara parlamentit. Çfarë të bëjë më shumë shteti për ty, mor qafir?

BINJAKËT

Gjysmë-lideri ruralo-sharmant Taulant Balla do të hyjë gjithë nur e hijeshi në jetën tuaj këtë muaj, duke të folur për mandatin e sovranit, për demokracinë përfaqësuese, për jetën e bukur që gëzojmë sot, si dhe për një tufë mbeturinash politike e sociale që duan të na prishin harmoninë. Duke imituar pjesë nga filmi “Balla për Balla”, Taulanti do theksojë se Shqipëria nuk do t’u dorëzohet shantazheve të Rusisë dhe as falangave kriminale të Berishës. Pastaj do ulet të pijë një kafe me Berishën, për ca porosi që i ka dhënë shefi. 

GAFORRJA

Nëse ti si protestues pajisesh me vezë, miell, kos, gjalpë, vanilje, sodë buke etj, për të shprehur zemëratën tënde kundër qeverisë që u shërben oligarkëve kur ti mezi nxjerr fundin e muajit… pse nuk bën më mirë një kek? Protesta është e gjatë, mirë është të kesh diçka për të ngrënë. Dhe po ta mendosh mirë, përderisa ke luksin të hash kek, për çfarë dreqin proteston?

LUANI

Së shpejti do të marrësh vesh se përveç Kinës, Rusisë, Vietnamit, Kubës, Koresë së Veriut dhe Mongolisë – që ti i ke shumë përzemër – në nxitjen e protestës së Tiranës janë përzier edhe Guineja Ekuatoriale, Timori Lindor, Mozambiku, Paraguaji, Xhibuti dhe Sudani i Jugut, vende këto që po bëjnë të pamundurën që Shqipëria të mos anëtarësohet në Bashkimin Europian. 

VIRGJËRESHA

Do të marrësh një email të çuditshëm nga Niko Peleshi, i cili të njofton se në llogarinë tënde sapo kanë ardhur 2 milionë euro, por më parë duhet të merreni vesh për përqindjen e tij. Do marrësh dhe një email të dytë nga Niko Peleshi, ku të kërkon falje se ta kishte nisur gabimisht, pasi edhe emri yt fillon me E.

PESHORJA

Largimi i ndikimit të Ardit Bidos në shenjën tuaj, do të t’i pakësojë në minimum luhatjet e befasishme të humorit dhe nepset e çuditshme ushqimore që të kapnin vend e pa vend. Po pikërisht atëherë kur mendon se je normalizuar, do zgjohesh në mes të natës dhe do bërtasësh në jerm: “Rama n’burg, Berisha n’burg!”

AKREPI

E vetmja arsye pse ti nuk beson tek shprehja “Kur të qëllojnë në njërën faqe, ktheju dhe faqen tjetër”, është sepse ti je njeri me dy fytyra, e rrjedhimisht, me katër faqe. Dhe me të drejtë, të hash katër shpulla nuk është dhe aq e lehtë…

SHIGJETARI

Ti përfundimisht je njeri i humorit. Kjo do vërtetohet edhe njëherë kur të shkrihesh gazit me lot këtë javë, pasi policia të të hedhë gaz lotsjellës para parlamentit. Mos u anko: Mendo sa do vuaje sikur policia të ngatërronte recetën, dhe të të hidhte lot gazsjellës! 

BRICJAPI

Je i trullosur, i shastisur, i lumtur dhe i hutuar, sportiv dhe melankolik. Nëse kjo s’bën sens, shto këtu se je njëherësh edhe një tip praktik, me axhendë dhe orare të fiksuara që nuk i ndërron sikur të bëhet nami. E vetmja rrugëdalje nga ky lëmsh, është është të shastisesh melankolikisht pak para se të merresh me sport. 

UJORI

Përparimet shkencore së shpejti do t’i mundësojnë njeriut që të udhëtojë në cepat më të paimagjinueshme të universit. Megjithatë shkenca ende nuk e ka gjetur mënyrën sesi të të çojë nga divani për të larë ato pjata që kanë tre ditë në lavapjatë. 

PESHQIT

Pushimet, relaksi, qetësia, shezlongu, ujërat e thella ngjyrë mavi të Jonit, shëtitjet me kajak dhe ngjyra e bukur e lëkurës - që do transformohet nga ulliri në çokollatë - do të të ndërpriten befasisht këtë javë nga një familje e ulur aty pranë, që vendos të ndezë radion dhe të dëgjojë me volumin në maksimum hitin e verës, “Koka në Stamboll, trupi në Janinë”. Atëherë do ta kuptosh se i vetmi shpëtim është të kthehesh në paqen e protestës së Tiranës. Hë se mos harroj: Merr dhe ndonjë flamingo rrugës së kthimit. 

Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike që shpreson që flamingot të mos dalin nga shishja


Video