
Tirana do të mirëpresë sot Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, me temë ‘Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku’.
Aktiviteti do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, ku pritet të mblidhen liderët e vendeve të rajonit. Në qendër të diskutimeve do të jenë përshpejtimi i reformave, zbatimi i Planit të Rritjes dhe prioritetet e reja strategjike.
Një tjetër çështje e rëndësishme do të jetë integrimi ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Samiti do të nisë në orën 10:00 me mbërritjen e liderëve dhe do të përmbyllet në orën 12:30 me një konferencë të përbashkët për shtyp të kryeministrit Edi Rama dhe komisioneres europiane Marta Kos.
Samiti pritet të shërbejë si një mundësi për diskutimin e hapave të mëtejshëm drejt reformave dhe afrimit të vendeve të rajonit me Bashkimin Europian.
Samiti i Tiranës vjen dy ditë pas takimit të udhëheqësve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi mundësinë e disbursimit të një kësti të ri financiar për tri vende të rajonit.
"Këto reforma mund të zhbllokojnë 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në javët e ardhshme”, deklaroi von der Leyen.