LAJME SHKURT/ Kryeministri britanik jep dorëheqjen pas mega-skandalit “Mund të kishte punuar më mirë”!

22 Korrik 2026, 15:18Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri britanik në momentet kur dorëhiqet me paturpësi pas mega skandalit

TIRANË / LONDËR – Ka marrë vëmendjen e gjithë botës dorëheqja e detyruar e kryeministrit britanik Keir Starmer, pas zbulimit të mega-skandalit që e vuri atë në qendër të një stuhie mediatike dhe të zemërimit të opinionit publik. Siç dihet tashmë, skandali që ka marrë disa emra, si “Starmer mund të kishte punuar pak më mirë”, apo “Kryeministri nuk u ngjit dot në lartësinë që kërkon detyra”, apo “Ndjejmë njëfarë zhgënjimi se zoti Starmer i kishte pasur të gjithë mundësitë për një performancë disi më solide”, ka eklipsuar edhe ngjarjen madhore të vitit, kampionatin botëror të Futbollit, të cilin e fitoi me meritë Donald Trampi.

Duke dalë para mediave dhe publikut, Starmer deklaroi me ngashërim se pas kësaj gjëme, nuk e meritonte të ishte jo më kryeministër, por as politikan i zakonshëm.

Nuk e di si ndodhi ky turp që nuk e mban dheu, por unë kërkoj falje për këtë katastrofë. E ndjej thellë brenda vetes, se kisha pasur mundësi për të punuar pak më mirë,” tha ai me paturpësi, duke u përpjekur pa sukses të mbante lotët.     

Këtë zhvillim e komentoi dhe kryeministri shqiptar.

Ja, bota zien nga skandale të përbindshme, ndërsa mua më akuzojnë për budallallëqe. Jo po shita Shqipërinë dhe e mbusha parlamentin me hunj gardhi, jo po e mbusha vendin me para droge, jo po kam nxjerrë paratë e mia jashtë vendit se e ndjej që po afrohet një orë e zezë. E kuptoni me çfarë çikërrimash po merren shqiptarët?”, deklaroi ai në një konferencë për shtyp, teksa një ndihmës iu afrua dhe i pëshpëriti, “shef, ku t’i vë këto 10 milionët që erdhën qëparë?”.  

***

Sociologët kanë vërtetuar më në fund se e dashura jote po qan jo nga fjalët që the, por nga mënyra sesi i the. Pasi studiuan dialogun tënd me gocën e shkretë në një lokal të Tiranës dhe intervistuan të interesuarën e përlotur, ata arritën në përfundimin se aftësitë e tua komunikuese janë ato të një hajvani, të një idioti të pandjeshëm që nuk e kupton se toni që përdor nuk shpreh hiç afeksion.

Nuk më kanë prekur fjalët në vetvete, por intonacioni, a thua se po flet me dikë që nuk mbush,” tha e interesuara e tronditur, duke shtuar se ajo nuk do të të fliste kurrë në atë mënyrë.

Kur thua: Ashtu hë, paske dalë për vrap nga liqeni sot, dhe pastaj buzëqesh, kjo tregon një ironi të pamëshirshme, sikur tallesh! Nuk jam bërë unë akoma për t’u tallur ti!”, deklaroi pala e prekur.

Ajo shtoi për studiuesit se ti nuk komunikon me ndjenjë, dhe duket sikur bën muhabet sa për të kaluar rradhën.

Dhe pastaj thua se më do! Pse kështu shprehet dashuria? Po s’ke faj ti, jo. Më trego pak, kështu flet me eprorët e tu në zyrë, ti, hë?”, përfundoi e interesuara duke kërkuar një facoletë.    

***

Argumentet e 4-vjeçarit sarandiot Mario Kastraveci para prindërve, se televizori ra vetë dhe ai nuk e preku fare, u shkërmoqën brenda disa sekondave këtë të martë, teksa ai më kot përpiqej t’i bindte se ekrani ishte thyer vetvetiu. Mario po fliste gjithnjë e më pak pas një hetuesie të rreptë nga prindërit Rita dhe Loni Kastraveci.

Domethënë të keqen mami, ti po thua se sa hyre ti në dhomë, televizoi ra vetë?”, e pyeti me djallëzi 4-vjeçarin e ëma, duke marrë një dinosaur metalik nga dyshemeja, “dhe ky dinosauri – që të kam thënë kaq herë se nuk duhet ta flakësh lart e poshtë – u gjend vetë këtu poshtë ekranit të thyer?

Teksa Mario ndjente që çdo hapësirë mbrojtjeje po i ngushtohej dhe kishte ngulur vështrimin në dysheme, e ëma vazhdoi: “Hmm, shumë interesante. Po unë dhe babi s’kemi dëgjuar kurrë të thyhen vetë televizorët. Hë babi, ke dëgjuar ti?

Ndërsa ky raportim po përgatitej, burimet bënë me dije se Mario Kastraveci po përpiqej me gjithë intelektin që zotëronte, të shpjegonte se nuk ishte ai që kishte urinuar mbi tapet, po dikush tjetër.

***  

Pas ngjarjeve të fundit globale dhe rritjes së pritshmërisë që ai të kthehej dhe të vinte rregull më në fund, Biri i Perëndisë Jezu Krishti u përpoq të zbuste zhgënjimin e njerëzimit të hënën e kaluar, kur deklaroi se ai vërtet do të kthehej, por nuk do përzihej më në punët e tyre.

Edhe pse Unë së shpejti do të rishfaqem mbi mbretërinë e Tokës, dijeni se angazhimi Im i vetëm në këtë Ardhje të Dytë do të jetë vetëm hapja e një punishteje zdrukthtarie dhe mobiljesh artizanale,” deklaroi Krishti, Drita e Botës, duke shtuar se i kishte mbetur fiksim një komodinë e mbetur përgjysmë nga hera e parë.

E di bijtë e mi. Ju prisni që Unë të bëj edhe njëherë mrekullira dhe ta zhys shejtanin në një kazan me zift të valuar. Por për Zotin, më ka munguar shumë zanati. Mezi pres të sjell veglat e Mia dhe të bëj rafte, etazherë, portmanto dhe tavolina mesi,” njoftoi Mbreti i Mbretërve. Ai theksoi se ishte i interesuar për një mjedis me qera të leverdisshme, dhe dera e tij do ishte gjithmonë e hapur për ata besimtarë që donin të bënin ndonjë bufe me porosi.      

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e dhënë pas mega-skandaleve të vërteta, jo thatheshemeve të disa të rinjve të ekzaltuar


Video