
Një martesë në krizë, dyshime për tradhti dhe një test ADN-je që ka ndryshuar gjithçka.
Ferik Myftari, nga Fieri, i është drejtuar emisionit investigativ Fiks Fare, duke pretenduar se bashkëshortja e tij, Enkeleda Myftari, e ka tradhtuar dhe se fëmija 1-vjeçar që kanë së bashku nuk është i tij biologjikisht.
Feriku tregon se dyshimet për besnikërinë e bashkëshortes kanë nisur kohë më parë.
Ai pretendon se e ka ndjekur atë dhe e ka gjetur në një lokal, në shoqërinë e një personi, për të cilin dyshon se është babai biologjik i vogëlushit.
Për të mos i lënë dyshimet vetëm në kuadrin e akuzave, Feriku vendos t’i drejtohet një testi ADN-je. Sipas tij, përgjigjja e analizës ka qenë tronditëse: rezultati tregon se ai nuk është babai biologjik i fëmijës që ka rritur dhe konsideruar si të birin.
Kjo situatë ka rënduar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy familjeve. Përballë kamerave të Fiks Fare ka folur edhe nëna e Ferikut, e cila tregon se familja kishte pasur më herët pakënaqësi ndaj nuses.
Ajo thotë se tradhtinë mund t’ia kishin falur, por zbulimi se nipi mund të mos ishte biologjikisht i djalit të saj ishte një goditje e rëndë. Mes lotësh, ajo rrëfen se, pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur mes çiftit, është lidhur emocionalisht me vogëlushin.
Për të, ai mbetet fëmija që ka dashur dhe për të cilin ndjen mall. Nga ana tjetër, Fiks Fare ka takuar edhe Enkeleda Myftarin.
Feriku e çoi gazetaren e Fiksit në vendin ku ka ndodhur tradhtia. “Ky është shalli që i kam blerë unë, dhe ja ku kanë qëndruar bashkë”, tregon Myftari Brenda një banese të shkatërruar.
Ndërsa Enkeleda ka version tjetër për historinë, ajo e përshkruan bashkëshortin si një njeri të papërgjegjshëm dhe mohon që fëmija të jetë me personin tjetër, për të cilin dyshon Feriku. Ndërkohë, martesa e tyre tashmë është drejt fundit, pasi çifti ndodhet në proces gjyqësor për zgjidhjen e saj.
Ferik Myftari kërkon që fëmija të hiqet nga certifikata familjare e tij, duke pretenduar se përgjegjësinë për të miturin duhet ta mbajnë nëna dhe babai biologjik. Por, përtej akuzave, mohimeve dhe konfliktit që ka përfshirë çiftin, në mes të kësaj historie ndodhet një fëmijë vetëm 1 vjeç.