
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të bashkohen në protesta kundër qeverisë së Edi Ramës, duke deklaruar se opozita duhet të vijojë qëndresën deri në largimin e kryeministrit.
Gjatë një takimi me demokratët në Kamëz, Berisha u ndal te protestat e paralajmëruara për fundjavën, duke thënë se Rama nuk njeh gjuhë tjetër përveç protestës. Ai kërkoi mobilizimin e opozitës, ndërsa pranoi se mbështetësit demokratë janë të lodhur pas viteve të gjata në opozitë.
“Unë e di se opozitarët kaq vite në opozitë janë të lodhur. Unë e di se janë të rraskapitur. Unë e di se nuk kanë, se për të ardhur nga një qytet në Tiranë i duhet gjysma e pensionit. I di të gjitha. Por di dhe këtë që ne kurrë s’duhet të dorëzohemi. Tani që jemi në kilometrin e fundit, ne duhet të qëndrojmë si viganë. Edi Rama, përveç gjuhës së protestës, nuk njeh gjuhë tjetër”, tha Berisha.
Kreu i demokratëve vlerësoi edhe qytetarët që protestojnë çdo ditë, duke i cilësuar tubimet e tyre si një thirrje për mobilizimin e opozitës.
“Ka qytetarë, ka djem dhe vajza që protestojnë çdo ditë. Të bekuar janë në protestën e tyre, por ajo protestë është një kushtrim i madh për opozitën. Opozita është jo sa janë ata sot në shesh, por është 100, 200, 300 herë më e madhe se aq. Prandaj ajo duhet të tregohet. Prandaj ajo duhet të bashkohet me bindjen që nuk do i ndahet me protesta gjer në largimin e Edi Ramës”, tha kreu i PD.
Berisha foli gjithashtu për programin e PD-së, duke premtuar se në vitin e parë të qeverisjes demokratët do të adresojnë problemet ekonomike dhe sociale. Ai premtoi mbështetje për biznesin, si dhe më shumë mundësi për të rinjtë në arsimim, punësim dhe strehim.