Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë ka shpallur të paligjshëm përjashtimin për 60 ditë nga punimet e Kuvendit të dy deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Gjykata ka vendosur shfuqizimin e vendimit nr. 15, të datës 12 tetor 2026, të marrë nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, përmes të cilit dy deputetëve demokratë u ishte ndaluar pjesëmarrja në seancat plenare dhe komisionet parlamentare për një periudhë 60-ditore.
Gjithashtu, Gjykata Administrative ka urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit, duke u hapur rrugën dy ligjvënësve të opozitës për t'u rikthyer në ushtrimin e veprimtarisë së tyre parlamentare.
Vendimi i gjykatës:
“1. Shfuqizimin e vendimit nr. 15, datë 12.10.2026 të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën ‘Për përjashtimin 60 ditë nga pjesëmarrja në seancë plenare dhe komisione parlamentare për deputetët Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu’. Dhënien e vendimit me ekzekutim të menjëhershëm.”
Me këtë vendim, Gjykata Administrative rrëzon masën disiplinore të ndërmarrë nga Kuvendi ndaj Bardhit dhe Balliut, duke u mundësuar atyre rikthimin në seancat plenare dhe komisionet parlamentare përpara përfundimit të afatit të përjashtimit.