TIRANË – Operacioni totalisht anti-turistik i Strukturës së Posaçme Anti-Kokainë, SPAK, që po sekuestron pjesën më të madhe të ndërtesave shumëkatëshe në Tiranë dhe hotelet me 5, 6 dhe 7 yje në plazhet më ekskluzive shqiptare, ka marrë dje përgjigjen e merituar nga qeveria shqiptare, njofton agjencia e lajmeve Rrojtore.
Siç dihet - a thua se s’ka punë tjetër - SPAK se përse është fiksuar të hetojë mbi mrekullitë më të fundit të urbanistikës dhe hotelerisë shqiptare, me dyshimet foshnjarake se shumë kulla të reja në kryeqytet dhe mjaft struktura fantastike të mikpritjes në Lalz, Dhërmi, Jalë, etj, janë ndërtuar me paratë e trafikut të kokainës nga Amerika Latine.
Është fjala për të njëjtat investime taktiko-strategjike, për të cilat qeveria largpamëse shqiptare ka dhënë leje vizionare në kuadër të operacionit Shqipëria 2030, pa pyetur për burokracira shtetërore të tipit: A është trualli me pronarë të rregullt apo është ngjitur një fletë ekstra në regjistrat e kadastrës së Vlorës apo Durrësit; nga vijnë paratë dhe përse ato janë togje-togje nëpër bodrume, të spërkatura aksidentalisht nga një pluhur i bardhë; dhe përse një pjesë e mirë e investitorëve prestigjiozë janë në kërkim nga Ekuadori, Belgjika dhe Holanda, ndodhen në burg, ose janë arrestuar menjëherë pasi kanë dalë nga zyra e kryeministrit.
Madje në shumë raste, me zhdërvjelltësinë e tij karakteristike, I Gjati u ka premtuar strategjikëve – shumica syresh me tatuazhe në krahë, zinxhirë të trashë floriri në qafë dhe syze dielli që nuk i heqin as natën – se nuk ja vlen të bëjnë letrat me shtetin që të plas buzën për një dokument; se të gjitha ua merr përsipër ai, sepse ka miq në qeveri.
Pikërisht këto diamante të turizmit shqiptar, kërcënohen të mbeten bosh për faj të protestave të ca pak dhjetëra mijë të rinjve kokëboshë, të cilëve u janë bashkuar qindra fashistë 20-30 vjeçarë që janë aq të dhunshëm saqë pastrojnë edhe vendin pasi mbaron protesta; me kontributin e dhjetëra ambientalistëve falso që nuk kanë këllqe të sjellin flamingo të vërtetë para kryeministrisë, po fryjnë me ajër ca flamingo plastike, në një kohë kur qeveria ka nxjerrë ligje moderne kundër plastikës. Pa folur pastaj për turpe të tjera, si ca blogerë e blogere që shesin kremra në rrjetet sociale dhe bëjnë poza para kullës Ejfel.
*
Ky ishte dhe shqetësimi kryesor i Të Gjatit, të cilin ai e shprehu hapur në disa raste:
“Këto protesta pa lidhje me realitetin, po kërcënojnë të dëmtojnë GDP-në time, të shumë ministrave por edhe të Doktorit dhe Zenit. Nëse kjo situatë vazhdon kështu, të ardhurat mesatare për frymë të deputetëve do të bien poshtë maksimumit jetik dhe nuk është çudi që ata të largohen drejt Gjermanisë. Prandaj thirrini mendjes dhe regjistrohuni për të filluar punë si punëtorë llaci, kamarierë dhe tundës freskuesesh në resortin e ri që do hapet në Zvërnec! Nxitoni, nxitoni, vendet janë të limituara!”
Çuditërisht, oferta bujare e Të Gjatit i zemëroi edhe më shumë protestuesit, që filluan të nxjerrin justifikime nga më banalet, si psh: “Po unë jam inxhinier ore struc me benevrekë, si të filloj punë kamarier?”
Pikërisht atëherë ndodhi dhe më e keqja. Nën ndikimin e mafies islandeze dhe krimit të organizuar të Zelandës së Re, SPAK papritur nxori urdhër arreste për shumë investitorë strategjikë, dhe ndërmori sekuestrimin e resorteve me 5 yje e lart, nga veriu në jug. Sebepi ishte qesharak: Medemek, gjithë policitë e Europës kishin sjellë të dhëna se ato ishin ndërtuar me para kokaine.
Atëherë I Gjati mori vendimin që të gjitha super-hotelet e mbetura, të klasifikoheshin vetëm me dy yje. Madje pati dhe nga ato ndërtesa që morën vetëm gjysme komete, si e si të mos binin në radarin e SPAK-ut. Nga ana tjetër, ai udhëzoi strategjikët e mbetur pa arrestuar, të hiqnin syzet e diellit dhe zinxhirët, të rruanin mjekrën dhe të qarkullonin me libra në dorë, sikur sapo dilnin nga biblioteka.
Sipas agjencisë së lajmeve Rrojtore, që kishte sjellë dhe kamera e gazetarë për të filmuar protestën, ky kundër-reagim ishte përpjekja e fundit që I Gjati të mos dilte si rruar-qethur.
“Megjithatë,” shtoi agjencia, “duket se nëse struci vazhdon të mos kuptojë pse u ngritën flamingot, atëherë nuk do ketë berber që t’i bëjë derman!”
Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike anti-fashiste që nuk i këshillon sjelljet prej struci