
Qeveria ka nisur shpërblimet për eksponentët e opozitës, të cilët i afron sa herë ka nevojë për shërbime ekstra, në radhë të parë për të përçarë forcën më të madhe opozitare dhe në radhë të dytë për të firmosur “urdhra” që vijnë nga lart. Një rast i tillë ka ndodhur me Genc Deromemajn, i cili që nga viti 2002 e deri në 2025 ka qenë një eksponentë i flaktë i Partisë Demokratike në Vlorë, ku ka kandiduar disa herë.
Deromemaj ka kandiduar edhe për deputet nën siglën e Partisë Demokratike, deri para se ta rekrutonte mazhoranca, e cila ka tentuar kohët e fundit që të rekrutojë nga të gjitha forcat politike. Pas rekrutimit në verën e vitit 2025, Deromemaj u katapultua si drejtor i Kadastrës së Vlorës, një nga institucionet që ka pësuar ndryshime të shuma në radhët e drejtuesve, disa prej të cilëve janë proceduar e të tjerë të arrestuar.
Por, ashtu si paraardhësi, Deromemaj ka duruar vetëm disa muaj, teksa nuk dihet nëse është shkarkuar apo “misioni” i tij përfundoi në atë institucion, mjaft kompleks, i cili përfshin pronat në një sipërfaqe të stërmadhe bregdetare. Dy janë mundësitë, ose Deromemaj ka “mbaruar” punët e veta dhe të familjes, ose nga ana tjetër e kanë larguar se mund të ketë prishur ekuilibra.
Sipas dokumenteve që disponon Vox News, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka zbardhur lejen e zhvillimit me objekt “godinë banimi dhe shërbimi 17 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë”, me subjekt zhvillues shoqërinë N94 shpk.
Redaksia jonë hulumtoi dokumentet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku rezulton se pronar me 100 % të aksioneve është Genc Deromemaj, i cili në verën e vitit të kaluar, u largua vetëm nga administrimi, por jo nga pronësie. Duke qenë se mbante detyrën e kreut të Kadastrës, Deromemaj ia kaloi të afërmve drejtimin, ndërsa nga ana tjetër firmoste letra të panumërta si drejtor i Kadastrës së Vlorës.

Nga muaji nëntor i vitit të kaluar, ai u largua nga Kadastra, për t’iu përkushtuar sërish biznesit, ku rezulton se me lidhjet dhe me “kalimin e ylberit” nga opozita te mazhoranca, arriti që të marrë një super leje, në një nga qytetet më të lakmuara për të gjithë drejtuesit.
Sipas dokumenteve të KKTU-së, të siguruara nga Vox News, leja është shumë afër detit dhe në qendër të Sarandës.
“Territori ndodhet në qendrën urbane të Sarandës, rreth 200-300 metra nga vija bregdetare. Zona kufizohet në perëndim nga kompleket hoteliere dhe në lindje nga blloqet e banimit që ngjiten drejt lartësive të qytetit. Trualli i propozuar ka sipërfaqe 100 metra katrorë”, thuhet në dokumente.

Në dokumentet shoqëruese të lejes së zhvillimit thuhet se parashikohet të ndërtohet një godinë 17 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë.
“Dy katet e poshtme mbi tokë trajtohen për shërbime, ndërsa 15 katet e tjera për banim. Sipas studimit, ndërtesa përfshin rreth 66 njësi banimi, të organizuara në tipologji të ndryshme”, shkruhet në dokumente.
Një “shpërblim” shumë i mirë për ish kreun e Partisë Demokratike të Vlorës, i cili duket se ia ka parë hajrin kalimit me mazhorancën.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016