Korrupsioni i Gjylametit dhe Sallës me ushqimet – Kategorizim me ryshfet, kufij të pasigurtë dhe laboratorë të pa akredituar! 

16 Nëntor 2026, 22:33Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Korrupsioni i Gjylametit dhe Sallës me ushqimet – Kategorizim me
Andis Salla dhe Blerina Gjylameti

Kategorizimi i subjekteve private që prodhojnë ushqim në Shqipëri dyshohet se është bërë me korrupsion dhe ryshfet, duke njollosur të gjithë procesin të iniciuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Ministria e Bujqësisë. Në pjesën e parë të investigimit, Vox News publikoi sesi ekspertët e BE-së verifikuan stabilimentet ushqimorë në vendin tonë, ku drejtoresha e AKU-së Blerina Gjylameti dhe ministri i Bujqësisë, Andis Salla, iu kishin vënë “5 yje”.

BE-ja faktoi se, 5 nga 6 stabilimente që pridhojnë qumësht u kategorizuan më favorshëm nga AKU. Gjithashtu, të 6 stabilimentet e peshkut morën kategorizim më të favorshëm. Një skandal i paprecedentë, që vë në qendër të të gjithë skemës dy zyrtarë të lartë. Madje, është bërë abuzim i madh edhe me kategorizimin e subjekteve të shpendëve, pasi të gjitha rezultuan të vlerësuara më favorshëm nga AKU. Apo edhe 6 stabilimentet e mishin të kuq!

“Rreth 97 % e stabilimenteve të vlerësuara me listat aktuale nuk përmbushin kërkesat e legjislacionit shqiptar”, thuhej në raport, ku vetë ekspertët e BE-së thanë se subjektet privatë mund të kenë paguar ryshfet. Por, kujt?! 

Në pjesën e dytë të investigmit, Vox News, ka hulumtuar raportet e Komisionit Europian, që nxin totalisht Shqipërinë, duke nisur nga mungesa e laboratorëve të akredituar, gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore, apo edhe mos kontrollin e kufijve.

 “Nëse autoritetet mbështeten te kategorizimet ekzistuese, Shqipëria rrezikon të paraqesë një pasqyrë jo të besueshme të sektorit ushqimor. Nëse zgjidhet të mbrohen pa transparencë rezultatet e kontestuara të AKU-së, mund të cenohet rëndë besimi i partnerëve evropianë dhe mbështetja e tyre për procesin”, thotë një ekspert për Vox News.

Dhe, në gjithë këtë situatë; A do të hetohen dyshimet për favorizime, ryshfet dhe presion ndaj operatorëve, dhe a do të ndërtohet një proces i ri mbi listat e kontrollit sipas standardeve të BE-së?

Ekspertët pohojnë se kërkohet publikimi i metodologjisë, auditim i kategorizimeve të kontestuara, shqyrtim i çdo indicie për korrupsion dhe rivlerësim transparent me mbështetje teknike evropiane.

 “Përgjegjësia duhet të përcaktohet mbi prova, ndërsa programi i përmirësimit të stabilimenteve duhet të pasqyrojë gjendjen reale, jo thjesht rezultatet e një procedure administrative”, përfundojnë ata.

Korrupsioni i Gjylametit dhe Sallës me ushqimet – Kategorizim me

Korrupsioni i Gjylametit dhe Sallës me ushqimet – Kategorizim me

Korrupsioni i Gjylametit dhe Sallës me ushqimet – Kategorizim me

Korrupsioni i Gjylametit dhe Sallës me ushqimet – Kategorizim me
Në foto: Raporti i Komisionit Europian, kapitulli 12, siguria ushqimore, veterinare dhe fitosanitare  

Por, çfarë thuhet në raportin e KE-së për sigurinë ushqimore në Shqipëri? Në kapitullin 12, siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare, Komisioni Europian shkruan se duhet një bashkim i AKU-së e AKVMB-në. “Laboratorët zyrtarë ende nuk janë caktuar në përputhje me parimet e rregullores për kontrollet zyrtare. Për rrjetin e laboratorëve zyrtarë, ende duhet të vendosen metoda të validuara të kontrollit, për të garantuar besueshmërinë e rezultateve për speciet dhe kategoritë përkatëse të produkteve” thuhet në raport.

Pra, s’ka siguri! Më tej evidentohet se nevojiten përpjekje të mëtejshme për zhvillimin e kapaciteteve, akreditimin dhe validimin e metodave. “Gjithashtu, kontrollet kufitare duhet të forcohen dhe pikat aktive të kontrollit kufitar duhet të përafrohen me kërkesat e BE-së përpara anëtarësimit” thotë KE.

Edhe kufijtë s’i kemi të sigurt?

Normalë që po, pasi s’kemi as laboratorë për të bërë analizat e produkteve dhe as specialistë që duhet të kontrollojnë ushqimet. Në vend të tyre, kemi disa sekserë që, nëse paguan ryshfet, mund të fusësh çfarëdolloj ushqimi në vendin tonë, pa u kontrolluar.

KE shkruan në raport edhe për politikat veterinare. Sipas saj, gjurmueshmëria, analiza e të dhënave të mbikëqyrjes epidemiologjike dhe kapacitetet laboratorike për patogjenë të caktuar nuk janë zhvilluar plotësisht.

“Kjo kufizon aftësinë e sistemit për të identifikuar në kohë tendencat e rrezikut, për të përcaktuar prioritetet e kontrolleve dhe për të dëshmuar progresin e arritur”, thuhet në raport.

Një pikë tepër e rëndësishme për BE-në është edhe vendosja në treg e ushqimit, ushqimit për kafshë dhe nënprodukteve shtazore.

“Shqipëria duhet të trajtojë mangësitë në kuadrin ligjor, depozitimin në landfill të mbetjeve, trajnimin e veterinerëve zyrtarë dhe operatorëve, si dhe efektivitetin e sistemit aktual të kontrolleve zyrtare. Shqipëria ende nuk ka ngritur një sistem në përputhje me kërkesat e BE-së për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e nënprodukteve shtazore”, thuhet në raport.

Sipas saj, duhet një program kombëtar për përmirësimin e cilësisë së qumështit dhe nuk është raportuar asnjë progres lidhur me rregullat specifike për ushqimin e kafshëve. Në fund, shkruan se duhet të forcohen masat për parandalimin e rreziqeve të korrupsionit dhe garantimin e integritetit të proceseve të inspektimit dhe certifikimit. A mos vallë ishte një “mesazh” për Gjylametin dhe Sallën?!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video