“Lidhja” 18 vjeçare e Teutës (së Albchrome) me biznesmenin turk për të zhvatur kromin: Kush dorë i paguan?! (DOKUMENTE)

16 Nëntor 2026, 20:39Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Lidhja” 18 vjeçare e Teutës (së Albchrome) me

Një dyshe e pandarë, prej të paktën 18 vitesh, ka bërë çorap dy nga kompanitë më të mëdha në Shqipëri, të cilat shfrytëzojnë minierat e kromit dhe kanë privatizuar fabrikat e përpunimit të hekurit. “Albchrome” dhe “Kurum” aktualisht janë në dorë të firmave turke, teksa veprimet e drejtuesve të tyre, sidomos në vitet e fundit, kanë ngritur hije të mëdha dyshimi se gjithçka ka qenë e orkestruar, për të tjetërsuar pasuritë dhe fabrikat e mëdha të shqiptarëve.

Aksionet e fundit të institucioneve mjedisore dhe atyre ligjzbatuese në zonën e Metalurgjikut në Elbasan kanë evidentuar qindra tonë pluhur kancerogjen në terren të hapur, duke helmuar punëtorët dhe banorët, teksa nën akuzë janë pikërisht dy firmat e sipër përmendura. Lidhjet me pushtetin dhe pagesa e ryshfetit për institucionet vendase i kanë kthyer firmat dhe pronarët e tyre në të paprekshëm, teksa edhe vendimet e fundit për t’u hequr lejet mjedisore, vetëm sa i ka gërvishtur pak!

Por, në gjithë këtë histori abuzimesh, dy personazhe nga të dyja firmat ndërlidhen me njëri – tjetrin, duke shtuar misteret nëse e gjitha kjo ka qenë e orkestruar, apo ndonjë dorë tjetër i ka paguar për të bërë lëmsh kompanitë që kanë drejtuar dhe drejtojnë. Bëhet fjalë për administratoren e Albchrome, Teuta Üstündağ dhe Koray Zeytinoglu, i cili ka drejtuar për një kohë të gjatë kompaninë Kurum, teksa aktualisht njihet si “personi i punëve të pista” të turqve në Shqipëri, duke organizuar të gjithë skemën.

“Lidhja” 18 vjeçare e Teutës (së Albchrome) me
Në foto: Teuta Üstündağ (majtas), administratorja e Albchrome sëbashku me Koray Zeytinoglu (në mes), ish-administratori i Kurum dhe një personi të tretë (djathtas), me lidhje të fortë me pronarët e Kurum

Një foto e shkrepur së fundmi tregon shumëçka nga lidhja e fortë mes Teutës dhe Korait, të cilët kanë bashkëpunuar prej më shumë se 18 vitesh sëbashku, që nga koha kur të dy kanë qenë pjesë e Kurum. Në foton më sipër, majtas është Teuta Üstündağ, një nga administratoret më të rëndësishme të Albchrome. Në mes, është Koray Zeytinoglu, ish-administratori i Kurum, i cili ka qenë i proceduar dhe arrestuar shumë vite më parë me akuzën e mashtrimit.

Ndërkohë, djathtas është një person i tretë, e cila ka lidhje të forta me pronarët e kompanisë turke Kurum. Foto tregon forcën e madhe të Korait dhe Teutës në firmat përkatëse, ku i pari megjithëse është larguar me letra nga drejtimi, vazhdon të kryesojë operacionet speciale të firmës, marrëveshjet apo edhe “punët e pista” në Shqipëri, për llogari të pronarëve. Fakti se, megjithëse ka qenë disa herë i arrestuar dhe proceduar për akuza të rënda, nuk i ka ndodhur absolutisht asnjë gjë, tregon “forcën” e Korait në vendin tonë.

Në foton intime mes këtyre personazheve është edhe një nga administratoret e firmës Albchrome, që menaxhon minierën e kromit në Bulqizë, Uzinat e Ferrokromit në Klos, Burrel apo edhe Elbasan. Siç duket edhe nga fotoja, Teuta nga Shkodra ka një lidhje të fortë me Korain, ku duket e buzëqeshur dhe me një mbështetje të madhe prej tij. Dyshimet janë se, megjithëse janë në firma të ndryshme, ata bashkëpunojnë me njëri tjetrin, teksa lidhjet e njërit dhe tjetrit, i kanë bashkuar akoma më shumë.

“Lidhja” 18 vjeçare e Teutës (së Albchrome) me

“Lidhja” 18 vjeçare e Teutës (së Albchrome) me

“Lidhja” 18 vjeçare e Teutës (së Albchrome) me

“Lidhja” 18 vjeçare e Teutës (së Albchrome) me
Faksimile: Vendimet e kompanisë Kurum nga 2008 deri në 2011, ku Korai dhe Teuta kanë qenë në të njëjtën firmë 

Vox News ka hulumtuar dokumente të tjera të firmës Kurum, që operon në zonën e Metalurgjikut në Elbasan, ku rezulton se prej një kohe të gjatë, administrator ka qenë Koray Zeytinoglu. Emri i tij shfaqet në vitin 2008, ku Kurum ka bërë disa mbledhje të administratorëve dhe pronarëve, teksa në atë kohë, te e njëjta firmë ka qenë e punësuar edhe Teuta Üstündağ.

Në pjesën më të madhe të dokumenteve të sigluara nga Kurum, kur është emëruar Koray si administrator, apo kur i është zgjatur emërimi, shfaqet edhe Teuta, herë si përkthyese e hërë si punonjëse e protokollit. Vox News ka mësuar se dyshja ka një lidhje tepër të fortë me njëri tjetrin, ku Koray e ka pasur si një nga njerëzit më të besuar të tij. Ai i besonte verbërisht në përpilimin e dokumenteve, ndërkohë që koha ka kaluar dhe ai i ka mësuar edhe zanatin.

Dyshimet janë se, si ka mundësi që Teuta nga një përkthyese e thjeshtë të katapultohej në postet drejtuese të disa kompanive turke? Kush e emëroi si administratore e Albchrome? Dhe, më kryesorja, që pas emërimit të saj në atë pozicion, bilancet e kompanisë koncesionare kanë qenë me humbje. Një skemë për të zhvatur pasurinë e shqiptarëve dhe për ta dërguar jashtë kufijve të Shqipërisë. Një dyshe që duhet të hetohet nga strukturat e shtetit shqiptar, për të mos u gjendur në situatën e firmës Bankers apo të kompanive të tjera koncesionare që dalin gjithmonë me humbje!

(Vijon ...)

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video