Një shumë prej gati 7 milionë euro është tenderuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për ndërtimin e Parkut Retro në Bulqizë, ku me lekët e shtetit po ngrihen bare, restorante dhe hotele. Drejtuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, i cili njihet edhe si “biznesmeni” shtetëror, ka hapur një tjetër procedurë për parkun në Bulqizë, kësaj herë për ndërtimin e hotelit, që kush e di se kush do t’a menaxhojë.
Vox News ka kryqëzuar dokumentet e dy tenderëve të mëparshëm ku rezulton se me ato para’ duhej të ishte ndërtuar edhe hoteli, por kontratat janë modifikuar dhe aktualisht është hapur edhe një tender tjetër, që fitohen gjithmonë nga të “njëjta duar’. Dyshimet janë se shuma e akorduar së fundmi, mbi 1 milionë euro, është “shpërblimi” i Dritan Agollit për firmën ndërtuese, teksa paratë që hidhen “lumë” për atë projekt duhet të hetohen.
Nëse vetë shteti do të rikthejë vëmendjen të Bulqiza, përse nuk ndërhyn në mirëmenaxhimin e minierave të kromit? Përse i lë firmat që të dalin me humbje, duke xhiruar dhjetëra miliona euro që kush e di se ku shkojnë? Me këto para sa po shpenzohen për Parkun Retro, përse nuk u hapën vende të reja pune, rrugë e shkolla?! Nëse vetë shteti do që t’i rikthejë banorëve vendas pasurinë që merr nga nëntoka, përse po i shpërdoron në mënyrën më të keqe?
Sipas dokumenteve që disponon Vox News, ditët e fundit FSHZH ka hapur tenderin me objekt “ngritja e infrastrukturës së modeleve të integruara në zona me potencial zhvillimi, Bulqizë’. Bëhet fjalë për parkun tematik “Retro”, loti i tretë. Ky lot parashikon ndërtimin e një hoteli. Fondi limit i akorduar nga Agolli është plot 95 milionë lekë të rinj, ose mbi 1 milionë euro.
Duket se, nisma e qeverisë për të shndërruar një zonë ushtarake në Bulqizë në hotele dhe lokale, po gllabëron paratë e taksapaguesve. Dy fazat e para kanë kushtuar plot 6 milionë euro. Loti i dytë kishte si objekt ndërtimin e godinave dhe infrastrukturës në atë park dhe kishte një vlerë prej 271 milionë lekë.
Ndërkohë, në vjeshtën e vitit 2024, FSHZH-ja hapi tenderin e projektit, i cili synonte të rikthente ish-zonën ushtarake në një destinacion turistik dhe kulturor. Në atë kohë fond limit ishte 338 milionë lekë, ndërkohë që në muajin tetor 2024 u shpall edhe fituesi i tenderit, kompania “Ulza”.
Sipas dokumenteve shoqëruese, Fondi shkruan se projekti përfshin rikualifikimin e “Retro-Hotel” në ish-shtëpinë e Oficerëve, si dhe tetë banesave dykatëshe që ndodhen në të njëjtën zonë. Ndërtesa kryesore, ish-shtëpia e Oficerëve, ka një sipërfaqe prej 490 m² për kat dhe përbëhet nga dy deri në tre kate.
“Projekti synon të sjellë dhoma hoteliere të stilit retro, dhoma me kapacitet të lartë për qëndrime në grup (hostel), si dhe një dhomë muzeale që përmban mobilim dhe teknologji nga periudha komuniste. Gjithashtu, në plan është integrimi i njësive të reja për mëngjes dhe kafeteri, hapësira për administratën dhe recepsionin”, thuhet në dokumente.
©Copyright Vox News