Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për Emiljano Shullazin dhe Lulzim Berishën.
Sipas pretencës së SPAK, për Emiljano Shullazin kërkohen 25 vite burg, ndërsa për Lulzim Berishën po ashtu 25 vite heqje lirie. Po ashtu 25 vite burg janë kërkuar edhe për Viktor Ymerin.
Ata akuzohen për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames ngjarje të ndodhura në shkurt të vitit 2005.
Hetimet e procedimeve të regjistruara për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve të veprës penale.
Banda e Durrësit funksiononte si një organizatë kriminale e centralizuar, me drejtues, bashkëpunëtorë dhe persona që kryenin detyra të ndryshme.
Ajo u bë e njohur sidomos për përplasjet e përgjakshme mes grupeve rivale në Durrës gjatë fundit të viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000.
Çfarë roli u atribuohet Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit, Plaurent Dervishajt, Indrit Taullait, Viktor Bajraktarit, Indrit Rusit dhe Luftar Reçit?
Vitet 2005 shënuan një nga periudhat më të rënda të historisë së krimit të organizuar në Shqipëri.
Dy ngjarje të rënda, të ndodhura brenda 24 orëve, tronditën opinionin publik: vrasja e Klodian Saliut në zonën e Maminasit dhe shpërthimi me eksploziv në ashensorin e një pallati në Tiranë, ku humbën jetën biznesmeni Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi.
Për vite me radhë, autorët dhe mekanizmi i këtyre ngjarjeve mbetën objekt hetimesh. Në vitin 2020, dëshmia e Luftar Reçit i dha një drejtim të ri hetimit.
Ai pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë dhe, sipas raportimeve mbi dosjen hetimore, përshkroi marrëdhëniet mes personave të përfshirë dhe dinamikën e dy atentateve.
Në këtë dosje u përmendën shtatë emra: Lulzim Berisha, Emiljano Shullazi, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai, Viktor Bajraktari, Indrit Rusi dhe vetë Luftar Reçi.
Por çfarë roli i atribuohet secilit?
1. LULZIM BERISHA
Lulzim Berisha është një nga figurat historike të asaj që njihet si Banda e Durrësit.
Në dëshminë e tij, Luftar Reçi pretendon se në fillim të shkurtit 2005 është zhvilluar një takim me Berishën, Plaurent Dervishajn dhe Indrit Taullain.
Sipas këtij rrëfimi, Berisha i kishte propozuar Reçit një marrëveshje: ky i fundit të vriste Klodian Saliun, ndërsa Berisha do të merrej me eliminimin e personit që Reçi konsideronte armik të tij.
Në të njëjtën dosje, Reçi e lidh Berishën edhe me përgatitjet që paraprinë atentatin ndaj Vajdin Lamajt.
Kështu, sipas versionit të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Berisha paraqitet si një nga figurat që kishte rol në vendimmarrjen dhe organizimin e veprimeve kriminale.
2. EMILJANO SHULLAZI
Emiljano Shullazi është një nga emrat më të njohur të kronikës së zezë shqiptare.
Në dëshminë e publikuar të Luftar Reçit, një nga pretendimet kryesore lidhet me dorëzimin e eksplozivit që dyshohet se u përdor në atentatin ndaj Vajdin Lamajt.
Sipas Reçit, ai ia kishte dorëzuar lëndën plasëse Emiljano Shullazit.
Ky element është një nga pikat kryesore të rrëfimit që lidh ngjarjen e Maminasit me shpërthimin në Tiranë.
Shullazi është marrë i pandehur në këtë dosje për akuzat që lidhen me ngjarjet e vitit 2005.
3. PLAURENT DERVISHAJ
Emri i Plaurent Dervishajt shfaqet në dëshminë e Reçit për takimin e zhvilluar në fillim të shkurtit 2005.
Sipas dëshmitarit, Dervishaj, të cilin ai e identifikon me emrin Lenti, ishte i pranishëm në takimin ku diskutohej konflikti me Klodian Saliun.
Ky element e vendos Dervishajn në rrethin e personave që, sipas dëshmisë, ishin në dijeni të marrëveshjes së propozuar. Ai është përfshirë në hetimet për ngjarjet e vitit 2005.
4. INDRIT TAULLAI
Një nga elementet më të rëndësishme të dëshmisë së Reçit lidhet me Indrit Taullain.
Reçi ka deklaruar se eksplozivin e kishte përgatitur së bashku me Taullain.
Në të njëjtin rrëfim, dëshmitari pretendon se Taullai i kishte thënë se lënda plasëse do të përdorej për të shpërthyer një automjet.
Ky pretendim krijon një lidhje të rëndësishme mes përgatitjes së eksplozivit dhe atentatit të mëvonshëm ndaj Vajdin Lamajt.
Taullai është marrë i pandehur në dosjen e vitit 2005. Megjithatë, pretendimet mbi përgatitjen e eksplozivit mbeten për t'u vlerësuar në raport me provat e administruara në gjykim.
5. VIKTOR BAJRAKTARI (IMERAJ)
Viktor Bajraktari, i njohur edhe si Viktor Ymeri ose Imeraj, është një nga personat e përfshirë në procedimin penal të SPAK-ut për ngjarjet e vitit 2005.
Në dëshminë e Reçit, emri i tij përmendet mes personave që, sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, kishin lidhje me ngjarjet.
Megjithatë, nga materialet publike të shqyrtuara nuk rezulton një përshkrim mjaftueshëm i qartë dhe i verifikuar i një detyre të veçantë që Bajraktari të ketë kryer në secilin prej dy atentateve.
6. INDRIT RUSI
Indrit Rusi është një tjetër emër që përfshihet në çështjen penale të lidhur me vrasjet e vitit 2005.
Në janar 2022, raportimet mbi përfundimin e hetimeve të SPAK-ut bënë të ditur se ai ishte ndër personat ndaj të cilëve u komunikuan akuza për ngjarjet.
Megjithatë, në burimet publike të shqyrtuara nuk gjendet një përshkrim i mjaftueshëm i veprimit konkret që prokuroria i atribuon Rusit në secilën ngjarje.
7. LUFTAR REÇI- (Bashkëpunëtori i drejtësisë)
Ai nuk është thjesht personi që identifikoi emra të tjerë. Sipas raportimeve, ai ka pranuar përfshirjen e vet në ngjarje dhe ka bashkëpunuar me drejtësinë.
Dëshmia e tij përshkruan takime, marrëveshje dhe marrëdhënie mes personave që ai i lidh me atentatet.
Në rastin e Klodian Saliut, Reçi pretendon se iu kërkua ta vriste atë në këmbim të eliminimit të një personi me të cilin kishte konflikt.
Në rastin e Vajdin Lamajt, ai ka rrëfyer për përgatitjen dhe dorëzimin e eksplozivit.
Dëshmia e tij është një element kyç i hetimit, por duhet shqyrtuar me kujdes: Reçi është një dëshmitar i përfshirë në veprimtarinë për të cilën flet, ndaj rrëfimi i tij duhet të mbështetet nga prova të pavarura.
Përçarja që ndryshoi historinë e bandës
Një nga momentet më të rëndësishme ishte përçarja mes Lulzim Berishës dhe Klodian Saliut.
Sipas përmbledhjeve të hetimeve, grupi u nda në dy fraksione rivale rreth viteve 2002–2003.
Pas vrasjes së Saliut, drejtimin e grupit të tij, sipas hetimeve të asaj kohe, e mori Endrit Dokle.
Kështu, ish-bashkëpunëtorët u kthyen në kundërshtarë. Konflikti u shoqërua me atentate dhe tentativa për vrasje.
Vrasjet që shënuan historinë e organizatës "Banda e Durrësit":
Sipas kronologjisë, këto janë disa prej ngjarjeve që lidhen me historinë e grupit:
Data Ngjarja
17 tetor 1998 Vrasja e Dritan Sallakut
29 tetor 1998 Vrasja e Viron Currit dhe Arjan Pajës; plagosja e Marsel Sotirit
22 gusht 1999 Vrasja e Marsel Sotirit
9 korrik 2000 Vrasja e Dritan Dishës
14 janar 2002 Vrasja e Ervin Lames
26 shkurt 2005 Vrasja e Klodian Saliut në Maminas
27 shkurt 2005 Shpërthimi ku u vranë Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi.
Kutojmë se vite më parë, hetimet e procedimeve të regjistruara për këto dy ngjarje u pezulluan për shkak të moszbulimit të autorëve të veprës penale.
Por SPAK rifilloi hetimet e këtyre procedimeve dhe pas regjistrimit të tyre në regjistrin e procedimeve penale ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm. .
Ndër vite, në sajë të zbardhjes së plotë të dy ngjarjeve, Prokuroria e Posaçme grumbulloi prova të cilat krijonin dyshime të arsyeshme në lidhje me autorët e këtyre dy ngjarjeve të rënda kriminale.
Për rrjedhojë, Prokuroria kërkoi nga Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj 6 të dyshuarve.
Mbi ta rëndojnë veprat penale si “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”,kundër dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Emiliano Shullazi është një personazh i njohur për policinë kriminale në vend, por veçanërisht në kryeqytet dhe në Durrës. Ndër vite, Shullazi është akuzuar për krime të ndryshme të rënda që nga vrasjet, shpërthimet me eksploziv, apo trafik dhe shitje e shpërndarje droge, si dhe akuza të tjera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, përveç vrasjeve emri i Lulëzim Berishës lidhet edhe me trafik ndërkombëtar droge, prostitucion dhe trafik armësh. Fillimisht ai u vu në pranga më 6 prill të vitit 2006 për 10 akuza, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera në vitet 98-99.
Më 26 janar të 2012, Gjykata e Krimeve të Rënda të kohës e dënoi me burgim të përjetshëm për 6 vrasje, por Gjykata e Larta, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm dhe vendosi dënimin me 25 vite burg për ish kokën e bandës së Durrësit.
Lulzim Berisha qëndroi 10 vjet e tetë muaj në burg deri kur më 5 dhjetor të vitit 2016, u lirua me kusht nga burgu. Mirëpo në maj të vitit 2022, Kushtetuesja vendosi që të rikthente në burg ish-kreun e Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016