Pa popull me vete dhe shih si zihen…

7 November 2026, 21:13Pikëpamje SHKRUAR NGA NGA YLLI MANJANI

Pa popull me vete dhe shih si zihen…

200 petrita demokratë dhe 200 petrita gjoja studentë të koalicionit Flamingo-Qorri-Lapaj-Shehaj kanë hyrë në betejën finale për kontrollin e rrugaçërisë politike.

Jo për pushtetin. Për sheshin!

Kush e zotëron sheshin?! Kush ka tapinë e revolucionit?! Kush është pronari legjitim i opozitarizmit?!

Këto janë dilemat e mëdha të revolucionarëve tanë.

Se kush dhe si do ta rrëzojë qeverinë, flasim një herë tjetër. Për momentin, 200+200 petritat presin që Ramën t’ua rrëzojnë Ben Ahmetaj, Elisa Spiropali dhe Erion Veliaj.

Edhe me gjigande është ideja që do dalë një film në Netflix që do rrëzojë qeverinë… hahahaha...

Pra, opozita ka një projekt të qartë politik: pushtetin ta rrëzojnë socialistët, me qëllim që  ta marrin opozitarët!

Një revolucion me nënkontraktim.

Perlë!

Fillimisht u pritën helikopterët e Trump. Nuk erdhën. Ramaduro ia hodhi edhe kësaj here. U tret edhe miti i lidhjeve magjike amerikane të LaCivitës.

Madje, edhe historia me shefen e kabinetit të Trump (të cilës i uruan edhe ditën e lindjes 4 ditë para afatit) përfundoi si çdo ëndërr tjetër revolucionare.

Përfundoi me shumë zhurmë, shumë pretendime dhe asnjë helikopter në horizont.

 E pritën shumë edhe SPAK.

SPAK-u duhej të bënte katarsisin, të rrëzonte qeverinë, të pastronte politikën dhe, mundësisht, t’ua dorëzonte opozitarëve çelësat e Kryeministrisë.

Mirëpo SPAK-u ka një “defekt” të madh: heton vepra penale, jo programet elektorale. Dhe nuk shpërndan mandate deputetësh bashkë me masat e sigurimit.

Pasi dështuan me mesazhet e Bedranës, Elisa Spiropalit d.m.th, erdhi shpresa madhështore se Braçja nuk do ta jepte votën për territorialen.

Hahahahaha!

Ec Bedrana!

Kur fati i revolucionit varet nga vota e Braçes, apo mesazhet e Bedranës, nuk ke më revolucion. Ke një keqkuptim parlamentar.

Dhe kështu, u shuan shpresat te Trump, SPAK-u, socialistët e pakënaqur dhe rebelimi i brendshëm, revolucionarët u kthyen në rrugë. Tek zbardhja e udhëri të burgjeve për tranferimin e Erionit nuk del gjë…

Atëherë u kthyen në rrugë. Aty ku e kanë më të lehtë.

Por, meqë qeverinë nuk e rrëzojnë dot, vendosën të merren me njëri-tjetrin.

Tani beteja është historike dhe histerike!

Kush është opozita e vërtetë? 200 petritat e Berishës apo 200 petritat e Lapaj-Qorri-Shehajt?

Kush ka të drejtë të bërtasë? Kush ka të drejtë të protestojë? Kush e ka ekskluzivitetin e zemërimit popullor? Kush ka të drejtë të përfaqësojë popullin që nuk po i ndjek?!

Këtu satira pushon së qeni satirë. Bëhet diagnozë politike. Sepse këta kanë gjithçka që i duhet një revolucioni, përveç një hollësie të vogël: popullit.

Kanë liderë, flamuj, kamera, megafonë, ultimatume, deklarata historike dhe ego të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare madje.

Popullin shqiptar, ende jo.

Madje, sa më pak njerëz kanë pas vetes, aq më të mëdha i kanë pretendimet.

Secili sillet sikur përfaqëson shumicën e shqiptarëve, ndërkohë që nuk arrin të sigurojë as shumicën e një sheshi.

Shihni si zihen!

Për disa metra asfalt. Për një cep trotuari. Për të drejtën e autorit mbi fjalën revolucion.

Imagjinoni tani sikur këta të kishin vërtet popull pas vetes! Sikur të kishin qindra mijëra mbështetës, institucione në dorë dhe pushtet për të ndarë.

Çfarë do t’i bënin Shqipërisë?!

Do ta copëtonin sipas oreksit të secilit. Njëri do të kërkonte gjysmën, tjetri një të tretën, i treti do të shpallte revolucion kundër dy të parëve.

Në fakt, kush nuk di të ndajë një shesh me kundërshtarin, vështirë se di të ndajë pushtetin sipas rregullave të demokracisë.

Ironia bëhet edhe më therëse.

Rama nuk ka nevojë t’i përçajë. Ata janë të përçarë që në lindje. Nuk ka nevojë t’i dobësojë. Ata ia bëjnë vetes.

Nuk ka nevojë as t’i mundë politikisht çdo ditë. Mjafton t’i lërë të konkurrojnë për titullin e opozitarit më të madh.

Nuk bashkohen dot për të rrëzuar Ramën, por janë gati të përleshen për të vendosur kush do të ulet në karrigen e tij.

Duan të qeverisin Shqipërinë, por nuk administrojnë dot bashkë as një protestë.

Duan të përfaqësojnë popullin, por fillimisht kërkojnë të përjashtojnë njëri-tjetrin. Edhe me  dru madje.

Keni parë që thërrasin njerëz në protestë dhe pastaj bëhen lajm se përzenë me dhunë njerëz që shkojnë aty?!

Qesharakë, apo jo?!

D.m.th nuk duan demokraci për vendin, por monopol për veten.

Pa popull me vete dhe shih si zihen… Imagjinoni t’u japësh edhe popull, edhe pushtet!

Për fat, deri tani, shqiptarët duket se ua kanë kursyer të dyja.


Video