Vrasja e VAJDIN LAMES/ SPAK tërheq akuzat dhe kërkon pushimin e hetimeve për Lul Berishën dhe Plarent Dervishin

4 December 2023, 13:32Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vrasja e VAJDIN LAMES/ SPAK tërheq akuzat dhe kërkon pushimin e
Shullazi, Vajdin Lamaj dhe Lul Berisha

SPAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme të pushojë akuzat ndaj Lulzim Berishës dhe Plarent Dervishajt, në lidhje me vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamajt në shkurtin e vitit 2005.

Pas më shumë se tre vitesh hetim, SPAK, ka vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme për përfshirjen në krim të Berishës e Dervishajt, në arrati prej dhjetorit 2020. Ky është një rast i pa precedent ku Prokuroria e Posaçme ka tërhequr akuzat duke bërë në këtë mënyrë një ‘mea culpa’.

Megjithatë, ndonëse SPAK pritet të kërkojë edhe shfuqizim të masës “arrest në burg” për këtë çështje, Berisha e Dervishaj nuk shpëtojnë nga përgjegjësitë penale.

Kjo për faktin se ata janë duke u gjykuar në mungesë për vrasjen e Klodian Saliut, po në vitin 2005, në të njëjtin proces me Emiliano Shullazin dhe disa të tjerë. Pas kalimit në gjykim të kësaj dosjeje, hetimi ndaj tyre mbi dyshimet për vrasjen e Lamajt u veçua.

Hetimi i SPAK për dy ngjarjet e bujshme kriminale të vitit 2005 u ndihmua nga dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi.

Sipas dosjes, Lul Berisha dhe Plarent Dervishi u dyshuan si pjesëmarrës në vrasjen e Vajdin Lamaj dhe Artan Arsit, pas dëshmisë së dhënë nga bashkëpunëtori i SPAK, Luftar Reçi, i cili ka treguar se sasinë e tritolin të përdorur në vrasjen e Vajdin Lamaj, e ka montuar Joshko Çervenkovski në prezencë të Indrit Taullait, Lulzim Berishës, Plaurent Dervishaj dhe Luftar Reçit.

Reçi pati rrëfyer se i kishte siguruar Lulëzim Berishës kontaktin me një tregtar armësh e minash, për përgatitjen e një bombe me telekomandë, për të cilën kishte paguar 1600 euro.

Sipas Reçit, mina i ishte dorëzuar Emiliano Shullazit dhe plani fillestar kishte qenë shpërthimi i saj në një automjet. Ndërsa ka pretenduar se nuk e dinte shënjestrën, Reçi ka deklaruar se në takimet me Lulin kishte dëgjuar një bisedë.

“Indriti u shpreh se Tori (Viktor Ymeri nga burgu) ka gjetur njeriun e duhur për t’ia vendosur minën personit mu pas qafe”, ishte dëshmia e Luftar Reçit.

Sipas Reçit, vrasjen e Lamajt e ka dëgjuar në media dhe se Berisha në një telefonatë i kishte thënë “këto janë punë të Indritit”. Për të njëjtën ngjarje, ka bërë edhe një bisedë me Viktor Ymerin në burg.

“Viktori më tha se edhe kur u vra Vajdini, unë nga burgu i gjeta njeriun që mbaroi punën e vrasjes së Vajdinit, se ata nuk ia kanë haberin dhe dinë vetëm të hapen”, pati dëshmuar Luftar Reçi.

Por SPAK nuk ka arritur që të provojë përfshirjen e tyre në krim.

 

 


Video