“Zgjedhorja” ul PS dhe PD në tryezë, Berisha tregon “vijat e kuqe”!

9 Nëntor 2026, 12:39Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Zgjedhorja” ul PS dhe PD në tryezë, Berisha tregon
Sali Berisha

Reforma Zgjedhore rikthen në tryezë Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, ndërsa opozita ka bërë të qarta kushtet e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar se listat e hapura për zgjedhjet parlamentare dhe për këshillat bashkiakë janë një kërkesë e panegociueshme për opozitën. 

Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi bashkëkryetarin socialist të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, se po përpiqet të përcaktojë në mënyrë të njëanshme axhendën e punimeve, pa marrë miratimin e bashkëkryetarit nga opozita.

Sipas Berishës, kjo mënyrë veprimi bie ndesh me ligjin dhe vendimin e Parlamentit për ngritjen e komisionit, pasi vendimmarrja në të duhet të bëhet me veto. Ai tha se opozita nuk e pranon axhendën e propozuar, pasi në të janë përfshirë edhe çështje që lidhen me reformën territoriale.

Berisha u ndal edhe te sistemi i listave zgjedhore, duke theksuar se opozita nuk pranon lista të mbyllura për këshilltarët bashkiakë apo për deputetët. Ai pretendoi se hapja e listave është kërkesë e përbashkët e partive opozitare.

“Në kundërshtim me ligjin, vendimin e Parlamentit për Komisionin e Reformës Zgjedhore, ka përcaktuar në mënyrë të njëanshme axhendën për të hedhur në erë komisionin. Vendmmarrja në komision është me veto. Vegla e Ramës, Damian Gjiknuri, pa votën e bashëkryetarit tjetër kërkon të miratojë axhendën, që pala jonë nuk e pranon pasi janë vendosur pika për Reformën Territoriale. Ata refuzojnë që listat për këshilltarët e bashkive të jenë të hapura. Kjo është një kërkesë e të gjitha partive politike opozitare. Ne në mënyrë kategorike nuk pranojmë asnjë listë veç asaj të hapur, për këshilltarë dhe listë plotësisht të hapur për Parlamentaret”, tha ai.


Video