Nga komunikimi javor me qytetarët, Sali Berisha u çoi mesazh studentëve që po mendojnë të shndërrojnë protestën në lëvizje politike.
Tha se mirëpret iniciativën, por ka një këshillë për kë mendon se mund të zhdukë opozitën ekzistuese, siç ndodhi në Serbi.
“A ka ngjashmëri me skenarin serb, në qoftë se e duan një këshillë miqësore paraprake? Jo, absolutisht! Thjesht miqësore, unë u them se nuk ka ngjashmëri. Skenari serb, siç e dini, është skenar i udhëhequr i tëri nga infrastruktura shtetërore e universiteteve të Serbisë.
Me në krye rektorin e Beogradit, me në krye të gjithë dekanët, pra ishte bota akademike zyrtare shtetërore serbe që udhëhoqi lëvizjen e studentëve. Së dyti, skenari serb ishte një skenar që u zhvillua në dy vite, në 700 e sa ditë.
Së treti, lista studentore në Serbi përballej me një numër prej 30 e sa partish opozitare të vockla që shkonin maksimumi mos gabohem gjer në 7-8%. Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike.
Ndaj dhe ajo që u sugjeroj të gjithë atyre, ata kanë shumë të drejtë të ndërmarrin çdo hap, vetëm të mos besojnë në atë që nuk është reale”, përmbylli Berisha.
Incidentet në protestën e fundit, sipas kryedemokratit nuk ishin me studentët, por me individë të paguar për të provokuar.
Edhe njëherë shprehu gatishmërinë e PD për ujdi me të gjitha forcat opozitare për zgjedhjet e 9 Majit.
Kujt kushtëzon bashkëpunimin me largimin e tij si kryetar, i rikujtoi se e ka dhënë katër herë dorëheqjen, kur e ka vlerësuar të nevojshme.
Sipas Berishës, fronti opozitar duhet të jetë i bashkuar, ku synimi kryesor të jetë rrëzimi i kryeministrit Rama nga pushteti.
“Partia Demokratike është e sinqertë, është e hapur dhe absolutisht e gatshme për kompromise dhe ujdi me këto forca politike për kandidatë të përbashkët në mbarë vendin dhe për një betejë të përbashkët në rrëzimin e Edi Ramës në Tiranë dhe kudo në Shqipëri.
Dhe unë prapë shfrytëzoj këtë moment, t’u bëj thirrje drejtuesve të këtyre partive të lënë me një anë kundërshtitë dhe të bashkohemi për të shpëtuar Shqipërinë nga një e keqe e madhe që s’e ka pasur ndonjëherë. Çdo hezitim shkon në favor të Edi Ramës”, tha kryetari demokrat.