Ende pa u mbyllur plaga e madhe e vetë shtetit me Aeroportin e Vlorës, ku ortakët që fituan koncesionin po zihen me njëri tjetrin për aksionet, apo ku klane të mëdha të qeverisë po mbështesin njëri apo tjetrin, ja ku vjen projekti i radhës, sërish me lojëra aeroportesh.
Deri më tani kemi parë ndërtime të pistave, braktisje të projekteve, bërjen e tenderave të studimit, të projektimit. Janë shpenzuar dhjetëra miliona euro me idenë për t’a shndërruar Shqipërinë në hartën e udhëtimeve, qoftë ato komerciale, turistike apo edhe sezonale.
Megjithatë ajo më skandalozja është se projektet zvarrisin, hidhen dhjetëra apo qindra miliona euro dhe sërish Shqipëria ka vetëm një aeroport, edhe atë të dhënë me koncesion, ndërkohë që Vlora po zvarritet e Kukësi s’ka asnjë lëvizje.
Ditët e fundit, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur një procedurë tepër të dyshimtë, ky synohet që të studiohet tregu para se të vendoset për dhënien me koncesion të një sipërfaqe të stërmadhe në Gjirokastër, atje ku ka funksionuar për shumë vite aerodromi i qytetit, i cili është funksional për avion të vegjël e turistikë, ndërkohë që synohet të bëhet ndërkombëtar, të paktën me letra sa për ta shtënë në dorë një pasuri të stërmadhe.
Sipas dokumenteve që disponon Vox News, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur tenderin për studimin e tregut “për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Gjirokastrës”. Kërkohet përzgjedhje e konsulentëve të jashtëm për hartimin e studimit të fizibilitetit për projektin.
“Qëllimi është kryerja e studimit të tregut me qëllim sigurimin e të dhënave të verifikueshme dhe të krahasueshme të cilat do të shërbejnë për përllogaritjen e fondit limit. Për shkak të karakterit të veçantë të projektit, studimi i fizibilitetit kërkon angazhimin e ekspertizës së specializuar në fusha të ndryshme përfshirë ndër të tjera, aviacionin civil dhe infrastrukturën aeroportuale, analizën teknike, ekonomike dhe financiare, çështjet ligjore dhe kontraktore, aspektet mjedisore dhe sociale si dhe identifikimin, vlerësimin dhe alokimin e risqeve të projektit”, thuhet në këtë dokument.
Me pak fjalë, kërkohet një firmë private që të bëjë fillimisht studimin e tregut dhe më pas do t’a japë me koncesion, ashtu si veprat më të mëdha në Shqipëri, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, në mal apo në bregdet. Vox Neës ka mësuar se disa oligarkë ia kanë vënë syrin, për të shtënë fillimisht në dorë pasurinë dhe për të operuar në një fushë që sa vjen është edhe fitimprurëse.
Në dokumente përcaktohet se konsulenti do të parashikojë kërkesën për transport ajror, zonën e mbulimit, rrjetin e pritshëm të linjave ajrore, avionin kritik/dezajnues dhe kërkesat për performancën e pistës. Gjithashtu edhe lartësinë mbi nivelin e detit dhe kushtet meteorologjike, terrenin dhe mjedisin e pengesave, modelin e synuar të operimit, operimet e pritshme, kërkesat për zhvillimin afatgjatë dhe justifikimin ekonomik dhe financiar.
Në dokumentet e tjera, synohet që marrin përgjigje disa pyetje nëse aeroporti a është teknikisht dhe operacionalisht i realizueshëm? Çfarë lloj aeroporti duhet të zhvillohet për t'iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme kërkesës së parashikuar?

Gjithashtu edhe cilat duhet të jenë karakteristikat kryesore funksionale dhe operacionale të aeroportit? Apo nëse vendndodhja e propozuar e përshtatshme nga këndvështrimi aeronautik?
“Rezultatet duhet të zhvillohen në një nivel të mjaftueshëm detaji për të mbështetur vendimmarrjen nëse projekti duhet të vijojë, analizën ekonomike dhe financiare, modelin e mundshëm PPP/Koncesion dhe, nëse miratohet, përgatitjen për Fazën pasuese të Projektimit”, thuhet në dokument. Pra, mjaft qartë se do të jepet me koncesion.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016