
Shqipëria është përmendur sërish në deklaratat kërcënuese iraniane lidhur me mundësinë e goditjes së bazave ushtarake amerikane në Evropë, në rast të një sulmi kundër Iranit.
Mohammad Javad Larijani, drejtues i Institutit për Shkencat Themelore në Iran, deklaroi se bazat amerikane në Gjermani, Shqipëri dhe Britani mund të konsiderohen objektiva legjitime nëse përdoren për operacione ushtarake kundër vendit të tij.
“Nëse Irani sulmohet nga bazat amerikane në Gjermani, Shqipëri apo Britani, këto baza do të jenë objektivat tona legjitime”, tha Larijani, sipas Iran International.
Deklarata vjen pas paralajmërimeve të publikuara në mediat konservatore iraniane, të cilat kanë përmendur disa vende evropiane si objektiva të mundshëm në rast të një përshkallëzimi të konfliktit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Në një raportim të mëparshëm të Iran International, bëhej e ditur se gazeta iraniane Kayhan kishte përmendur infrastrukturën ushtarake amerikane dhe të NATO-s në Shqipëri, Greqi, Itali, Rumani, Qipro dhe Britani.
Larijani shkoi më tej, duke folur edhe për mundësinë e përdorimit taktik të teknologjisë bërthamore kundër objektivave ushtarake.
“Përdorimi ushtarak i teknologjisë bërthamore nuk nënkupton domosdoshmërish ndërtimin e një bombe për t’u hedhur mbi njerëzit dhe për të vrarë popullsinë civile. Edhe në fushën e armëve mund të flasim për përdorime taktike dhe goditjen e qendrave e bazave ushtarake”, deklaroi ai.
Sipas tij, goditja e një baze nga e cila kryhen operacione kundër Iranit duhet të dallohet nga sulmet ndaj civilëve apo infrastrukturës jetike.