Frident Kuqi dhe Halil Gashi fitojnë ankandin 62 milionë USD për të blerë naftë bruto nga Albpetrol

26 October 2026, 22:13Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Frident Kuqi dhe Halil Gashi fitojnë ankandin 62 milionë USD për
Foto ilustrim nga Vox News

Kompania shtetërore naftënxjerrëse Albpetrol ka shitur një sasi të konsiderueshme nafte të nxjerrë nga nëntoka, e përfituar nga marrëveshjet koncesionare dhe nga vendburimet që administron vetë shteti.

Një sasi prej 101.400 tonë naftë bruto u nxor në ankand disa ditë më parë, ku në ditët e fundit është finalizuar edhe bërja e procedurës, ku rezulton se fitues janë të njëjta kompani që kanë qenë edhe më parë “kliente” për blerjen e produktit.

Vox News ka analizuar dokumentet e kësaj procedure ku rezulton se është përdorur një formulë për shitjen e kësaj lënde. “Çmimi minimal fillestar për njësi është 77.51 % e çmimit brent + K” ishte formula. Ankandi është bërë me procedurë të përshpejtuar, duke u botuar vetëm 1 javë në disa gazeta dhe më pas ka shkuar direkt te fituesi.

Frident Kuqi dhe Halil Gashi fitojnë ankandin 62 milionë USD për
Faksimile: Njoftimi i fituesit të ankandit për blerjen e naftës bruto nga kompania shtetërore Albpetrol

Në njoftimin e nxjerrë në Agjencinë e Prokurimit Publik, Albpetrol shkruan se në këtë procedurë kanë qenë pjesëmarrës vetëm bashkimi i operatorëve ekonomikë “Europetrol Durrës Albania” dhe “Bitex Refinery”. Europetrol zotërohet nga biznesmeni Frident Kuqi, që ka në pronësi pikat e karburantit “Eida”, ndërkohë firma e dytë është në pronësi të Halil Gashit dhe Yllkë Likometaj.

Bëhet fjalë për rafinerinë që operon në zonën e Metalurgjikut në Elbasan, e denoncuar disa herë nga banorët vendas për ndotje të konsiderueshme, por që deri më tani me lidhjet që kanë bërë sidomos me strukturat që duhet t’i kontrollonin, ia kanë hedhur paq.

Sipas dokumentit, oferta e tyre ishte “77.51 % e çmimit brent – 4.448 USD/bbl + K”. Çka do të thotë se, nëse mbetemi me këtë çmim për fuçi, vlera e të gjithë naftës bruto shkon në plot 62 milionë dollarë. Por, kjo s’do të thotë se kjo shumë do të shkojë në arkat e shtetit shqiptar, pasi vitet e fundit, kompania shtetërore naftënxjerrëse ka rritur pagat dhe bën tendera me shumë zero për shërbime e punë që duhet t’i bëjnë mijëra punëtorët e saj.

Tashmë firmat fituese duhet që të bëjnë sigurimin e ofertës, në vlerën e 557 milionë lekëve, në masën 10% të vlerës së përllogaritur të kontratës, siç parashikohet në dokumentat e ankandit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video