Shtetëzimi i koncesionit të sterilizimit ka sjellë një luftë klanesh dhe oligarkësh për të shtënë në dorë miliardat e akorduara nga vetë shteti. Manjati i spitaleve dhe medikamenteve mjekësore, Klodjan Allajbeu, po “lufton” me të gjitha armët për të rimarrë paratë e buxhetit të shtetit, megjithëse pati një rokadë në drejtimin e ministrisë së Shëndetësisë.
Fillimisht pas shtetëzimit, Operatori që mori “frenat” e këtij shërbimi jetik për të sëmurët, hapi një tender me afat 4 vjeçar për vijimin e operimit, me një shumë prej rreth 50 milionë euro. Tenderin e paraaktuar e fitoi kompania Diaverium, e regjistruar në shtetin suedez, por pas së cilës dyshohet se është pronari i Spitalit Amerikan në Shqipëri.
Më vonë, procedura u anulua me ardhjen e ministres Klodiana Spahiu, që zuri vendin e Evis Salës, madje u ndryshua edhe drejtimi i Operatorit. Ditët e fundit, OSHIS ka hapur një procedurë tenderimi ku fitues ka dalë një kompani e lidhur drejtpërdrejt me Allajbeun dhe njerëzit e tij të besuar. Bëhet fjalë për firmën MSE, e cila më parë ka pasur si pronar Arbër Teqjan, e përjashtuar për disa kohë dhe e rikthyer sërish në vallen e tenderave.

Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit nga OSHIS për procesin e Sterilizimit, pas shtetëzimit të këtij koncesioni
Sipas dokumenteve që disponon Vox News, në datën 20 tetor 2026, OSHIS që menaxhon Sterilizimin ka shpallur fitues firmën “MSE” për tenderin e blerjeve të pajisjeve për sterilizimin me temperaturë të ulët dhe dizinfektim të sallave kirurgjikale.
Bëhet fjalë për lotin e parë, me objekt “blerje sterilizatorë mjekësorë me temperaturë të ulët për sterilizimin e pajisjeve dhe instrumentave mjekësore termosensitive" me një afat kohor prej 60 ditësh nga nënshkrimi i kontratës. Firma MSE ofroi rreth 37 milionë lekë, ose mi 400 mijë euro, ndërkohë që pati ofertë edhe nga firma Krijon, që ofroi 23.6 milionë lekë. Dukshëm më ulët sesa MSE.
Në tender mori pjesë edhe Aquarius Medical me një vlerë prej 40 milionë lekësh. Firma që ofroi më pak, Krijon, u skualifikua me arsyetimin se nuk kishte paraqitur certifikatë ISO. Gjithashtu, “janë konstatuar mospërputhje me specifikimet teknike të kërkuara në DST, lidhur me materialin e dhomës së sterilizimit, furnizimin elektrik dhe përmasat e pajisjes, si dhe mungesë dokumentimi për disa karakteristika të tjera teknike të kërkuara”. A mos vallë dokumentet iu përshtatën MSE-së?!
Gjithashtu edhe kompania e tretë, që ofroi më shumë, u skualifikua, duke ngjallur hije të mëdha dyshimi se e gjithë procedura ka qenë e paracaktuar për firmën që ka lidhje të drejtpërdrejtë me Allajbeun.

Faksimile: Vendimi i APP për përjashtimin e firmës MSE nga tenderët për shkak të mashtrimit me dokumente
18 muaj më parë, Vox News ka raportuar se kompania MSE u përjashtua nga tenderat. Më parë, MSE ka pasur pronar z. Arbër Teqja, djali i sh-nëndrejtoreshës së QSUT-së Arjana Strakosha. Arsyeja e skualifikimit kishte të bënte se kishte paraqitur dokumentacion me të dhëna të rremë, për qëllime kualifikimi në procedurën e një prokurimi po në QSUT, me një vlerë rreth 1 milionë euro.
Vox News ka denoncuar në vijimësi procedurat e institucioneve shtetërore për “aminstimin” e kësaj kompanie, që tashmë kontrollohet nga disa shtetas rusë dhe bullgarë. Ndryshimet e pronarëve janë bërë në 2023, ku është larguar ortaku Arbër Teqja dhe është shtuar ortaku “Cambridge Pathology B.V”. Pas kësaj firme qendrën në pronësi indirekte një shtetase Bullgare, Zoya Georgieva Gyurova.
Pronësi indirekte ka edhe z. Nikita Vinogradov, shtetas rus i lindur në vitin 1991. Pas këtyre shtetasve janë hedhur aludime se qëndron si Teqja ashtu edhe oligarkë të tjerë, të cilët për të kamufluar paratë publike deklarojnë pranë institucioneve shtetërore emra personash nga vende të tjera.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016