Ekskluzive/ Autogoli i Sara Milas, kallëzimi i drejtorit që rekrutoi për vota në Gjocaj i zbuloi skemën!

12 Nëntor 2026, 14:02Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ekskluzive/ Autogoli i Sara Milas, kallëzimi i drejtorit që rekrutoi
Sara MILA/ SPAK/ Bilal HASA

Historia se si deputetja Sara Mila përfundoi nën hetim dhe e pandehur nga SPAK për akuzën e shitblerjes së votave në zgjedhjet e 11 majit 2025 është sa groteske aq edhe domethënëse për të ilustruar fabulën se nëse nuk u bindesh urdhërave të të fortëve të gjen belaja. 

Qesharake është për faktin se i gjithë hetimi ka nisur pas një kallëzimi të mbështetësve të Sara Milas në ato zgjedhje, kallëzim që iu kthye në autogol, ndërsa alarmante për faktin se tregon se si funksiononte aparatura e shantazhit dhe presionit për të siguruar vota për të në qarkun e Elbasanit. 

SPAK citon në dosje emra fiktivë të përfshirë në listën e ndihmës sociale në njësinë administrative të Gjocajt në Bashkinë e Peqinit. Por si ranë prokurorët në gjurmët e kësaj liste? 

Për të mbledhur vota në njësinë administrative të Gjocajt, Sara Mila rektrutoi bashkëpunëtorin e saj, Bilal Hasën, në atë kohë drejtor i Burgut të Rrogozhinës, biznesmen dhe me origjinë nga fshati Kurtaj i kësaj njësie.

Mes mjeteve që Bilal Hasa përdori për të rritur votat për Sara Milan ishte presioni ndaj punonjësve të njësisë për të fryrë listat e asistencës sociale për familjet në këmbim të votave. 

Presioni ra mbi një nëpunës që kishte në dorë aplikimet e ndihmës ekonomike. Nëpunësi në fjalë refuzoi të shtone emra fiktivë në këto lista.

Si hakmarrje, Bilal Hasa dyshohet se përmes një punonjësi te bizneset e tij i ka bërë kallëzim për shpërdorim detyre. 

Skema e përdorur ka qenë aq e lexueshme, sa jo vetëm që prokuroria nuk mori parasysh kallëzimin e bërë, por ra në gjurmët e një manipulimi industrial të votave në këtë zonë, të udhëhequr nga Bilal Hasa për llogari të Sara Milas.  

Por kjo nuk është hera e parë që emri i Bilal Hasës lidhet me procese gjyqësore.

Në mars të këtij viti, në bodrumin e një magazine në emër të tij në fshatin Kurtaj u zbuluan mbi 4 mijë bimë narkotike, kultivimin e të cilave e mori përsipër vëllai i tij.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video