Pse hesht Trump për sulmet ndaj Europës? Biznesi amerikan në oborrin e Putinit dhe nafta ruse

10 Nëntor 2026, 17:30Pikëpamje SHKRUAR NGA FEDERICO FUBINI
Pse hesht Trump për sulmet ndaj Europës? Biznesi amerikan në
Njeriu i parë që përshkoi i vetëm Atlantikun me avion, Charles Lindbergh

Federico Fubini - Corriere della Sera 

Personi për të cilin kam menduar më shumë gjatë gjithë fundjavës është ai që shihni më sipër: një hero amerikan. Njeriu i parë që përshkoi i vetëm Atlantikun me avion, Charles Lindbergh.

Por nuk kam menduar për të për shkak të aventurave të tij ajrore në rini, kur me fluturimin e famshëm të avionit “Spirit of St. Louis” e afroi Amerikën me Europën. Lindbergh bëhet sërish aktual për shkak të bindjeve të tij politike në moshën e mesme.

Pas pushtimit të Çekosllovakisë dhe Polonisë nga Gjermania naziste, Lindbergh, i cili kishte pasur kontakte të shpeshta me regjimin e Hitlerit, kundërshtoi vendimin e Franklin Delano Roosevelt për t’i dhënë fund embargos së armëve ndaj vendeve europiane. “Nuk besoj se kjo ndihmon në mbrojtjen e demokracisë”, deklaronte ai, duke kërkuar që Amerika të ruante “neutralitetin” mes agresorit dhe vendeve të sulmuara.

Deri në vitin 1941, Lindbergh kundërshtoi edhe Ligjin për Huadhënie dhe Qira (Lend-Lease Act), përmes të cilit Roosevelt u vinte në ndihmë me armë vendeve europiane që po rezistonin kundër Hitlerit, me pagesa të pjesshme dhe të shtyra deri pas përfundimit të luftës.

Jared Kushner është pranë fitimit të një çmimi

Po, e keni njohur: Jared Kushner.

Çmimin e meriton ai, i cili duket se është pranë realizimit të marrëveshjes së jetës: kalimit të aseteve ndërkombëtare të kompanisë ruse të naftës Lukoil në duart e një grupi partnerësh biznesi të tij dhe mbështetësish të vjehrrit, Donald Trump.

Por për këtë do të flasim me hollësi pak më vonë. Tani për tani, le të mjaftojë arsyeja për të cilën do ta meritonte këtë çmim, nëse ai do të ekzistonte.

Gjatë javës së fundit kam numëruar rreth dyzet kërcënime për bomba në fluturime të rregullta europiane, një pjesë e konsiderueshme e të cilave lidheshin me qytete italiane.

Muajin e kaluar, tetë anije tregtare u goditën dhe u fundosën me dronë në Detin e Zi, përballë Rumanisë dhe Bullgarisë. Pothuajse të gjitha lundronin në linja tregtare drejt ose nga territori i Bashkimit Europian, përfshirë Italinë. Ndërkohë, edhe sistemet e lidhjes hekurudhore në korridorin e Brennerit u bënë objekt i një sulmi kibernetik.

Grupi Everest, që konsiderohet përgjegjës për këtë sulm, ka lidhje me Rusinë. Të tilla lidhje kanë edhe grupe të tjera që dyshohet se qëndrojnë pas operacioneve të fundit.

Kush mund të mendonte seriozisht se porositësi i këtyre veprimeve mund të ishte dikush tjetër?

Strategjia e errët e Putinit

Objektivi i përgjithshëm i Moskës tashmë është i njohur: të krijojë kaos dhe pasiguri në Europë, të përçajë shoqëritë brenda tyre dhe shtetet mes njëri-tjetrit, si dhe të na bindë se problemet tona do të merrnin fund nëse thjesht do ta lëmë Ukrainën në fatin e saj.

Por ekziston edhe një objektiv më konkret.

Me shumë gjasë, synimi është dëmtimi i ekonomive tona përmes frikësimit të turistëve, veçanërisht në tri vende që po shkojnë drejt zgjedhjeve dhe që varen më shumë nga turizmi.

Në Itali, industria turistike përfaqëson mbi 13% të prodhimit të brendshëm bruto, duke përfshirë edhe sektorët që përfitojnë prej saj. Në Francë kjo peshë është pothuajse 10%, ndërsa në Spanjë kalon 15%.

Nëse incidentet e javëve të fundit do të vazhdonin edhe për disa kohë, duke prodhuar tituj dhe pamje shqetësuese në mediat dhe rrjetet sociale të mbarë botës, sa turistë amerikanë, aziatikë apo europianë do të vendosnin ta shtynin udhëtimin e tyre të ardhshëm në Paris, në Val d’Orcia apo në Sevilje?

Turizmi është një nga motorët e paktë të rritjes reale ekonomike. Por edhe humbja e vetëm një të dhjetës së rezervimeve do të kishte pasoja të rënda. Për Italinë apo Francën, kjo mund të jetë pikërisht diferenca mes rritjes ekonomike dhe recesionit.

Heshtja e Trumpit

Për momentin nuk kemi arritur ende në atë pikë, të paktën në Itali. Shtatori shënoi rekorde të reja të flukseve turistike dhe deri tani nuk ka anulime të lidhura drejtpërdrejt me të ashtuquajturat sulme “hibride”.

Por kjo është vetëm një pjesë e asaj që është në lojë. Pyetja më e rëndësishme është një tjetër: në një moment tensionesh të paprecedenta në Europë, përse nuk gjendet asnjë drejtues politik amerikan që të thotë qoftë edhe një fjalë të vetme?

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, një republikan i shkollës së vjetër, na këshilloi të mos “reagojmë në mënyrë të tepruar”. Por të gjithë përfaqësuesit e tjerë politikë të administratës amerikane heshtin, sikur të mos po ndodh asgjë. Janë indiferentë, të shpërqendruar, apo pas kësaj heshtjeje fshihet diçka tjetër?

Marrëveshjet e jetës

Me siguri janë të përqendruar te dy operacione të mëdha, për të cilat, nga këndvështrimi i elitave të mbledhura rreth Donald Trumpit, është thelbësore të ruajnë marrëdhënie të mira me Rusinë.

Më konkretisht, është jetike të shkojnë mirë me Vladimir Putinin. Marrëveshja e parë është jashtëzakonisht fitimprurëse, arbitrare dhe e lidhur drejtpërdrejt me familjen e presidentit amerikan: bëhet fjalë për kalimin e aktiviteteve ndërkombëtare të gjigantit rus të naftës Lukoil në duart e një rrethi biznesmenësh të afërt me Kushnerin dhe Trumpin.

Mënyra se si po zhvillohet e gjithë kjo histori është e jashtëzakonshme. Putini dhe oligarkët rusë e kuptojnë shumë mirë këtë mekanizëm, sepse është pikërisht ai që përdorin edhe vetë: ligji shndërrohet në instrument presioni për të transferuar pasuri te njerëzit e afërt me udhëheqësin; pushteti politik përdoret për të detyruar shitjen e aseteve me çmime shumë më të ulëta se vlera e tyre reale.

Rreth pronave të huaja të Lukoil po zhvillohet një proces që pasqyron, në mënyrë të përmbysur por thelbësisht identike, atë që Putini ka bërë në Rusi: ka sekuestruar filialet vendase të Danone, McDonald’s, Volkswagen apo Nestlé dhe ua ka kaluar ato biznesmenëve aleatë të tij.

Është një histori me domethënie të madhe politike, por gjithsesi një rast konkret. Mund të shpresojmë ende se Shtetet e Bashkuara, pas epokës Trump, nuk do të bien në teprime të tilla.

Ekziston edhe një çështje e dytë që e shtyn Shtëpinë e Bardhë drejt një marrëveshjeje me Putinin, madje edhe në kurriz të Europës dhe pa marrë parasysh interesat e saj.

Është një histori ndryshe nga ajo e Lukoil. Më pak flagrante, por shumë më sistemike: ndërtimi i qendrave të të dhënave (data centers) të kompanive të mëdha amerikane në ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore.

Dhe duke qenë se ky projekt perceptohet si një interes strategjik amerikan, nuk është aspak e sigurt se do të braktiset kur Trumpi të largohet nga skena politike.

Përkundrazi.

Marrja nën kontroll e aseteve

Në Rusi, çdo transferim i një kompanie te oligarku i radhës fillon zakonisht me një akt ligjor. Një gjykatë dënon personin apo kompaninë që duhet t’i nënshtrohet grabitjes dhe më pas shpall një ankand, natyrisht të manipuluar, për shitjen e pasurive të saj.

Në rastin e Lukoil, Trumpi dhe rrethi i tij kanë nisur procedurat në të njëjtën mënyrë.

Në tetor të vitit të kaluar, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione mbi të gjitha asetet e kompanisë ruse të naftës Lukoil që ndodhen jashtë territorit të Rusisë.

Kjo solli, ndër të tjera, një pasojë të rëndësishme: aksionarët ndërkombëtarë të kompanisë, kryesisht fonde amerikane dhe europiane, u gjendën papritur me aksione të ngrira, të cilat nuk mund t’i shisnin dhe as t’i përdornin.

Në letër, kjo paraqitej si një masë bujare në mbrojtje të Ukrainës.

Bëhet fjalë për një pasuri të konsiderueshme. Lukoil kontrollon rafineri në Rumani dhe Bullgari, një rrjet shpërndarjeje në këto vende dhe në pjesë të tjera të Ballkanit, por mbi të gjitha rezerva gazi dhe deri në tre miliardë fuçi naftë në Azinë Qendrore, Irak, Meksikë, Kongo, Nigeri, Ganë dhe Egjipt.

Është një thesar i vërtetë, veçanërisht tani që Ngushtica e Hormuzit është pothuajse e bllokuar. Vlera e tij fillestare është vlerësuar në rreth 22 miliardë dollarë.

Por bëhet fjalë për një thesar të ngrirë, pikërisht për shkak të sanksioneve të vendosura nga Thesari amerikan.

Duket se më 5 shtatorin e kaluar, të dërguarit e Trumpit, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, e diskutuan këtë çështje me Putinin në Kremlin.

Që nga ai moment, shitja e aseteve të huaja të Lukoil filloi të paraqitej si një nga masat e mundshme në kuadër të marrëveshjeve “për paqen”.

Ndërkohë, për pothuajse një vit, Thesari amerikan kishte refuzuar, injoruar ose lënë praktikisht të binin ofertat për blerjen e këtyre aseteve, të paraqitura nga disa prej emrave më seriozë të kapitalizmit industrial amerikan: fondi Carlyle i David Rubensteinit, ExxonMobil, Chevron dhe të tjerë.

Dhëndri i parë dhe miqtë e tij

Deri në momentin kur në skenë shfaqet një konsorcium që duket se i ka të gjitha karakteristikat e duhura për të fituar shitjen “në emër të paqes”.

Kush bën pjesë në të?

Në krye është miliarderi nga Miami, Todd Boehly, i cili më parë kishte blerë klubin e futbollit Chelsea nga biznesmeni rus Roman Abramovich, i cili ishte gjithashtu nën sanksione.

Ekziston edhe një detaj interesant: Boehly ka dhuruar dy milionë dollarë për grupe të lidhura me Trumpin, në dy këste. Njëri pas zgjedhjeve të fundit presidenciale dhe tjetri pas ngrirjes së aseteve të Lukoil.

Boehly e ka shitur tashmë Chelsean, por zotëron ende klube të tjera sportive, përfshirë Los Angeles Dodgers në bejsboll dhe Los Angeles Lakers në basketboll.

Pasioni i tij për naftën ruse duket i papritur dhe mjaft i kohëve të fundit. Megjithatë, Boehly ka partnerë që dinë shumë më tepër se ai për sektorin e energjisë.

Njëri prej tyre është sheiku Tahnoon bin Zayed al-Nahyan, këshilltar për sigurinë kombëtare të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe vëllai i presidentit të vendit. Rastësisht, Al-Nahyan ka një sërë lidhjesh biznesi me Kushnerin dhe Trumpin.

Ai është partner në projektin e një resorti luksoz në Shqipëri, të zhvilluar nga Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan.

Gjithashtu, ka investuar shuma të konsiderueshme në fondin Affinity të Jared Kushnerit, me bazë në Miami, si dhe ka blerë gjysmën e kompanisë së kriptomonedhave të themeluar nga Donald Trump dhe Steve Witkoff.

Partneri tjetër i Boehly-t në këtë marrëveshje ruse është gjithashtu një bashkëpunëtor biznesi i Kushnerit, pra i të njëjtit person që po negocion me Putinin për transferimin e aseteve të Lukoil.

Bëhet fjalë për familjen siriano-katarase Al-Khayyat, e cila është gjithashtu e përfshirë në projektin në Shqipëri.

Ky grup i larmishëm investitorësh do të blejë pronat e Lukoil me një të dhjetën, ose pak më shumë, të vlerës së tyre reale.

Si do të ndodhë kjo? Sipas një mekanizmi tipik rus.

Së pari, Thesari amerikan mund t’u imponojë rusëve, në emër të këtij konsorciumi, çfarëdo kushti, duke kërcënuar se përndryshe nuk do të lejojë shitjen e aseteve të bllokuara nga sanksionet. Kështu, çmimi bie nga rreth 20 miliardë dollarë në vetëm gjashtë apo shtatë miliardë.

Së dyti, konsorciumi i miqve të Trumpit nuk do t’i paguajë rusët me para në dorë. Pagesa do të bëhet me aksione: me titujt e ngrirë të Lukoil që zotërohen nga investitorët e huaj dhe që Boehly e partnerët e tij i kanë blerë tashmë për më pak se një të tretën e vlerës nominale. I kanë blerë kaq lirë pikërisht sepse Thesari amerikan i kishte ngrirë.

Tani do t’ia kalojnë Rusisë këto aksione të Lukoil, me një vlerë nominale prej rreth gjashtë miliardë dollarësh, të cilat vetë i kanë blerë për vetëm dy miliardë. Dhe në këmbim do të marrin një grup ndërkombëtar të energjisë, me një vlerë prej të paktën 20 miliardë dollarësh. Një marrëveshje që të kujton privatizimet e famshme të Moskës në vitet 1990.

Një ofertë në këmbim të “neutralitetit”

Dyshoj se i gjithë ky transaksion do të përfundojë përpara janarit, kur do të nisë punën Kongresi i ri, tashmë nën kontrollin e demokratëve.

Sido që të jetë, marrëveshja do të bëhet objekt i një hetimi parlamentar.

Por e gjithë kjo do të kishte më pak rëndësi sot, nëse nuk do të ishte një histori që të kujton ofertën që nazistët i bënë Lindberghut në fund të viteve 1930.

Në atë kohë, nazistët donin t’i ndërtonin aviatorit amerikan një vilë në Gjermani për familjen e tij: aq të madhe sa ta dëshironte ai dhe pikërisht aty ku do ta dëshironte.

Në këmbim të kësaj miqësie, ata kërkonin që Lindberghu të angazhohej për «neutralitetin» e Amerikës, ndërsa Hitleri po sulmonte Europën.

Në të njëjtën mënyrë, Putini po siguron që administrata amerikane të mos thotë asnjë fjalë, ndërkohë që ai sulmon Ukrainën dhe mbjell kaos në Europë.

Nvidia në Kazakistan

Problemi është se operacioni i dytë që po zhvillohet me rusët është më pak skandaloz, por shumë më strukturor.

Më 18 tetor, Marco Rubio ndodhej në Samarkand të Uzbekistanit, ku u takua me udhëheqësit e këtij vendi, por edhe me ata të Kazakistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Kirgistanit: pra, me të gjithë përfaqësuesit e Azisë Qendrore post-sovjetike.

Projekti kryesor që intereson administratën amerikane është një valë investimesh për ndërtimin e qendrave amerikane të të dhënave, kryesisht në Uzbekistan dhe Kazakistan.

Gjiganti kalifornian i gjysmëpërçuesve dhe inteligjencës artificiale, Nvidia, së bashku me kompaninë tjetër amerikane Firebird, ka tashmë një plan investimi prej dhjetë miliardë dollarësh në të ashtuquajturën «Data Center Valley» të Kazakistanit.

Edhe Uzbekistani ka siguruar tashmë marrëveshje me vlerë gjashtë miliardë dollarë, pjesa më e madhe e të cilave vjen nga investitorë amerikanë.

Marrëveshje të tjera do të pasojnë për qendra të të dhënave amerikane me rëndësi më të ulët strategjike, ku nuk do të ruhen informacione të ndjeshme për sigurinë, ose për struktura që mund të vendosen larg territorit amerikan, si magazinat e të dhënave në cloud dhe qendrat e trajnimit të algoritmeve.

Kolonizimi teknologjik

Amerikanët shohin shumë përfitime në këtë zhvendosje të madhe teknologjike drejt Azisë Qendrore.

Ata mund të ndërtojnë disa prej qendrave të tyre të të dhënave larg Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur komunitetet lokale amerikane po i kundërshtojnë gjithnjë e më shumë këto struktura.

Mund të konkurrojnë me ndikimin kinez në një rajon me rëndësi strategjike.

Mund të operojnë infrastrukturën e tyre dixhitale në vende ku një numër autokratësh post-sovjetikë kanë mundësinë t’u imponojnë vendimet e tyre popullsive lokale, ku energjia është e bollshme dhe e lirë, ndërsa temperaturat e ulëta mundësojnë sisteme ftohjeje shumë më pak të kushtueshme.

Kështu, administrata amerikane dhe gjigantët e teknologjisë kanë nisur kolonizimin e tyre teknologjik të Azisë Qendrore.

Ekziston vetëm një problem: kjo është oborri i shtëpisë së Vladimir Putinit.

Asgjë nuk mund të bëhet kundër tij dhe as pa miratimin e tij.

Veriu i Kazakistanit është i banuar në masë të madhe nga rusë dhe i nënshtrohet presionit të vazhdueshëm të Moskës.

Për momentin, shumica e rrjeteve tokësore të kabllove që transportojnë të dhënat dixhitale nga këto vende drejt pjesës tjetër të botës kalojnë përmes Rusisë, ndonëse po ndërtohen edhe korridore alternative.

Por, mbi të gjitha, prania e qendrave gjigante amerikane të të dhënave do të ishte vazhdimisht e ekspozuar ndaj sabotimeve, nëse nuk do të kishte miratimin e Kremlinit.

Pse nuk mund t’i besojmë më Amerikës

Dhe kjo është një realitet që, ndryshe nga Trumpi dhe Jared Kushneri, nuk do të zhduket aq shpejt.

Nuk ka rëndësi nëse do të kemi një Kongres tjetër apo, ndoshta nesër, një Shtëpi të Bardhë tjetër, me drejtues dhe parti të tjera.

Big Tech do të vazhdojë të përpiqet të ndikojë mbi të gjithë spektrin politik të Uashingtonit përmes fuqisë së dollarëve të tij.

Prandaj, në Azinë Qendrore, Shtëpisë së Bardhë do t’i duhet gjithmonë të gjejë një marrëveshje mirëkuptimi me Putinin, për aq kohë sa në rajon do të ekzistojnë qendrat e të dhënave të gjigantëve kalifornianë të teknologjisë.

Edhe për këtë arsye, Europa nuk mund të vazhdojë të besojë se Amerika do ta mbrojë nga Rusia.

Me Trumpin apo pa Trumpin.

Në heshtjen e ditëve të fundit të Uashingtonit, ndërsa vazhdojnë sabotimet kibernetike dhe kërcënimet për bomba, fshihet një mesazh që do të jehojë për shumë vite: Europa duhet të fillojë të mendojë për sigurinë e saj pa e marrë më si të mirëqenë mbrojtjen amerikane.


Video