Spanja kthehet në “fushën e betejës” të grupeve kriminale shqiptare për prishjen e pazareve të drogës, të gjithë shqiptarët që u vranë

11 Nëntor 2026, 22:19Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Spanja kthehet në “fushën e betejës” të grupeve

Spanja është kthyer ndër vite në një skenë të përgjakshme të përplasjeve mes grupeve kriminale, ku shqiptarë të përfshirë në trafikun e drogës, kanë përfunduar të ekzekutuar në atentate. Borxhet, prishja e pazareve dhe larja e hesapeve janë pistat që përsëriten në një sërë ngjarjesh të rënda.

Një prej rasteve të para është zhdukja e Tauland Malshit, në gusht të vitit 2018. Ai u zhduk në zonën e Granadës, pasi hipi në një automjet me një person tjetër. Dyshimet e hetuesve lidhen me një borxh droge apo konflikte kriminale.

Po atë vit, 43-vjeçari Fatmir A. u ekzekutua me armë zjarri në Reus të Katalonjës. Vrasja dyshohet se ishte një akt hakmarrjeje, pas një tjetër ekzekutimi të ndodhur dhjetë vite më parë.

Në mars të vitit 2019, në Mazarron, Ded Dokaj u torturua barbarisht për orë të tëra, përpara se të ekzekutohej me një plumb pas koke. Hetuesit e cilësuan ngjarjen si vrasje për prishje të pazareve të drogës.

Në dhjetor 2020, Brendon Bregu u vra në një restorant në Alicante, teksa darkonte me partneren e tij. Edhe në këtë rast, pista kryesore ishte ajo e larjes së hesapeve në trafikun e narkotikëve.

Lista e ngjarjeve të rënda vijon në vitin 2023. Në prill, 29-vjeçari Endrit Sinaj u qëllua për vdekje në Girona, pak ditë pas lirimit me kusht, ndërsa në korrik një 20-vjeçar shqiptar humbi jetën pas një përleshjeje me thika në Teruel, në një zonë ku dyshohej se funksiononin plantacione droge.

Në tetor 2024, një tjetër shqiptar u qëllua në kokë dhe u la para dyerve të një spitali në Katalonjë. Në shtator 2025, u zbulua trupi i pajetë i të riut nga Shkodra, Miklovan Danaj, i zhdukur prej muajsh në Marbella, me dyshime për konflikte të trafikut të kokainës.

Ndërsa rasti më i fundit ishte më 10 nëntor 2026, 39-vjeçari Luka Beqiraj nga Vlora u ekzekutua në tarracën e një lokali në Orihuela Costa.

Nga viti 2018 deri më sot të paktën 9 Atentate, zhdukje dhe ekzekutime. Një bilanc i përgjakshëm që rikthen në vëmendje luftën e heshtur të grupeve kriminale shqiptare në territorin spanjoll. / A2 CNN


Video