
Një alarm për bombë ka mbërritur në gjashtë mijë shkolla italiane, qindra prej të cilave sot janë evakuuar. Megjithatë, mediat italiane bëjnë me dije se nga ana e qeverisë është bërë me dije se hetimet nuk kanë zbuluar prova të një kërcënimi konkret.
Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi, ka zbuluar gjithashtu se për shkak të kësaj situate, Meloni ka thirrur një takim në Palazzo Chigi, të mbajtur këtë pasdite, për të shqyrtuar situatën dhe për të marrë masat e nevojshme. Ndërkaq bëhet me dije se kryeministrja do të takohet dhe me udhëheqësit e opozitës nesër në mëngjes.
Mesazhi i nënshkruar nga një shtetas i identifikuar si Mikhail Andropov, ngriti alarmin për kërcënim të qartë.
"Sapo kam lënë një pajisje shpërthyese të fuqishme, të kontrolluar nga distanca, në një qese plastike në ndërtesën tuaj", thuhet në mesazhin e nënshkruar nga një farë Mikhail Andropov, i cili e quan veten "udhëheqës i Vilajatit të Misoginistanit", ndërsa vijon më tej me kërcënimin: "Kemi ardhur t'ju shfarosim. Do të kryejmë gjenocid kundër italianëve".
Mesazhi vijon: "Jam përgatitur prej kohësh për këtë, t'ju vras secilin prej jush. Sapo kam lënë një pajisje shpërthyese të fuqishme, të kontrolluar nga distanca, në një qese plastike në ndërtesën tuaj. E kam pozicionuar në mënyrë që vala e goditjes të përhapet në të gjithë ndërtesën.
E tëra çfarë do të mbetet prej jush do të jenë kocka dhe një rrëmujë e përgjakshme. Kemi vendosur një bombë në motorin e makinës së kryeministrit tuaj". Pastaj, "do t'i vrasim të mbijetuarit me plagë thike".
Alarmi për bombë dhe mesazhe kërcënuese mësohet se ka prekur zonat e Milanos, Triestes, Padovës, Venedikut, Napolit, Breshias, Romës, Modenës, Frosinones, Potenzës, Rietit, Leçes, Palermos dhe Sirakuzës.
Ndërkaq, dyshimet janë se kërcënimi mund të shoqërohet me një sulm të ri kibernetik që synon institucionet italiane.
Gjyqësori ka ndërmarrë tashmë veprime, pasi bëhet me dije se Prokuroria e Gjenovës, ka hapur një dosje për shkaktim alarmi, ndërprerje të shërbimeve publike dhe kërcënime serioze, krime që mund të përkeqësohen nga qëllimi terrorist.
Ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto ndërhyri për të thënë se kërcënimet me bomba janë pjesë e një strategjie për të përhapur dhe krijuar shqetësim.
Mirëpo këtu vlen për t’u përmendur se alarmet nuk po prekin vetëm Italinë.
Mbi 300 shkolla në Irlandën e Veriut kanë marrë kërcënime për bomba me anë të email-it dhe disa janë evakuuar. Policia lokale më vonë konfirmoi se këto ishin alarme të rreme.