
Në ndërtimin e hidrocentraleve në Bistricë, në lindje të Bosnje dhe Hercegovinës, do të investohen edhe rreth 11 milionë euro të tjera.
Punimet kanë nisur në vitin 2021 dhe po kryhen nga kompania kineze, China National Aero-Technology International Engineering Corporation (AVIC).
Për të siguruar fondet shtesë, kompania HE Bistrica ka marrë një rritje të kapitalit nga ndërmarrja e saj amë, HE na Drini, pronësinë e së cilës e ka entiteti Republika Sërpska i Bosnje dhe Hercegovinës.
Vendimi për investimet shtesë u miratua në tetor, në mbledhjen e aksionarëve të HE na Drini.
Me këtë vendim, kostoja e projektit, e parashikuar fillimisht në 103 milionë euro, ka arritur në mbi 170 milionë euro.
Ndërmarrja publike Elektroprivreda RS, e cila zotëron HE na Drini, nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për arsyet e rritjes së kostos.
Ky nuk është rast i izoluar. Edhe projekte të tjera që realizohen nga kompani kineze në Ballkanin Perëndimor, kanë pësuar rritje të vazhdueshme të kostove.
Organizata Transparency International në Bosnje dhe Hercegovinë vlerëson për Radion Evropa e Lirë se vonesat në punime, mungesa e transparencës, mbikëqyrja e dobët nga institucionet dhe, në disa raste, gabimet në planifikimin e projekteve bëjnë që kostot të rriten ndjeshëm.
Sipas organizatës, faturën e këtyre shtrenjtimitve në fund e paguajnë qytetarët.
Cilat projekte në Bosnje dhe Hercegovinë kanë shënuar rritjen më të madhe të kostove?
Marrëveshja për ndërtimin e hidrocentraleve në Bistricë u nënshkrua në dhjetor të vitit 2019, mes kompanisë kineze AVIC dhe Qeverisë së Republikës Sërpska.
Ndërtimi i tri hidrocentraleve nisi në vitin 2021, me një kosto fillestare prej 103 milionë eurosh.
Por, projekti është përballur me probleme të shumta gjatë realizimit, përfshirë një rrëshqitje dheu në rrugën kryesore Sarajevë-Foçë, që çoi në ndërprerjen e punimeve.
Që atëherë, kostoja e projektit është rritur për gati 70 milionë euro, ndërsa afati fillestar për përfundimin e punimeve, dhjetori i vitit 2026, nuk pritet të respektohet.
Autostrada Banjallukë-Prijedor po ndërtohet nga kompania kineze China Shandong International Economic & Technical Cooperation Group, e cila ka qenë e angazhuar edhe në ndërtimin e rrugëve në Serbi.
Që nga viti 2018, kostoja e projektit është rritur nga 297 milionë në 388 milionë euro, ndërsa afatet për përfundimin e punimeve janë shtyrë vazhdimisht.
Projekti financohet tërësisht nga Kina, ndërsa kompanisë kineze i është dhënë e drejta për të mbledhur pagesat e autostradës për 30 vjet.
Nëse të ardhurat vjetore nga këto pagesa janë më të ulëta se 32.5 milionë euro, diferenca do të mbulohet nga buxheti i Republikës Sërpska.
Kontrata mes Qeverisë së Republikës Sërpska dhe kompanisë kineze është mbajtur e fshehtë që nga fillimi.
Pas një sërë padish gjyqësore, autoritetet e publikuan atë, por jo edhe hollësitë e saj financiare.
Spitali në Doboj u përurua në fund të vitit 2024, me rreth një vit vonesë.
Kostoja e ndërtimit, e parashikuar fillimisht në 53 milionë euro nga buxheti i Republikës Sërpska, u rrit në mbi 60 milionë euro, për shkak të shpenzimeve shtesë për pajisjen e spitalit.
Kompania kineze që realizoi projektin, China Sinopharm International Corporation, e arsyetoi rritjen e përgjithshme të kostove me inflacionin e shkaktuar nga pandemia dhe lufta në Ukrainë.
E pyetur nga Radio Evropa e Lirë për arsyet e shtrenjtimit të projekteve, Qeveria e Republikës Sërpska tha se pyetjet ua kishte përcjellë Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Deri në publikimin e këtij artikulli, REL-i nuk mori përgjigje nga këto ministri.
Përgjegjësia e autoriteteve për rritjen e kostove
Rritja e çmimeve të energjisë ka ndikuar që projektet infrastrukturore të bëhen gjithnjë e më të shtrenjta viteve të fundit.
Por, një pjesë të përgjegjësisë e mbajnë edhe autoritetet, vlerëson për Radion Evropa e Lirë Damjan Ozhegoviq, nga organizata Transparency International në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Këtu, investitorët e huaj gëzojnë pozitë të privilegjuar, madje edhe në krahasim me investitorët vendas. Vendimmarrësit tanë u përshtaten atyre, në vend që investitorët që vijnë nga jashtë, t’u përshtaten rregullave të vendit”, thotë Ozhegoviq.
Ai shton se Bosnje dhe Hercegovina krijon kushte të favorshme për miratimin e rritjes së kostove të projekteve të mëdha infrastrukturore dhe energjetike.
Sipas tij, kjo ndodh për shkak të përfitimeve të mundshme financiare dhe politike, por edhe të paaftësisë së autoriteteve.
“Është e mundur që kostot të mos rriten qëllimisht, por për shkak të paaftësisë për t’i përllogaritur ato siç duhet që në fillim. Edhe kjo nuk është diçka e pazakontë te ne”, vlerëson Ozhegoviq.
Ai shpjegon se kjo ndodh kur, që në fillim, nuk përcaktohen të gjitha punët dhe shpenzimet që përfshin një projekt.
Sipas tij, një rast i tillë është spitali në Doboj, ku gjatë realizimit u shfaqën shpenzime shtesë që duhej të ishin parashikuar që në planifikimin fillestar.
Kina dhe garancitë shtetërore
Nga organizata Bankwatch International, e cila monitoron investimet kineze në sektorin e energjisë në Ballkanin Perëndimor, thonë se vonesat dhe tejkalimi i kostove nuk janë gjëra të pazakonta në projektet e mëdha.
Megjithatë, Pipa Galop nga kjo organizatë shpjegon për Radion Evropa e Lirë se ka arsye specifike përse projektet e financuara nga Kina në Ballkanin Perëndimor, janë më të prira të shtrenjtohen dhe të vonohen.
“Kur bankat evropiane shqyrtojnë dhënien e një kredie, ato duan të sigurohen se do t’i marrin paratë e tyre mbrapsht. Prandaj, bëjnë analiza të hollësishme për të vlerësuar nëse projektet janë ekonomikisht të leverdishme dhe të planifikuara mirë. Nga ana tjetër, bankat kineze pothuajse gjithmonë kërkojnë garanci nga shteti ose entiteti për kreditë që japin”, shpjegon Galop.
Ajo shton se kjo do të thotë që, edhe nëse projektet dështojnë, Kina përsëri i merr paratë e saj.
“Prandaj, për bankat kineze nuk është aq e rëndësishme të sigurohen që projektet janë ekonomikisht të leverdishme dhe të planifikuara mirë. Nuk dua të them se ato nuk bëjnë fare kontrolle, por, duke qenë se nuk kanë traditë bashkëpunimi me shoqërinë civile, janë të prira t’u besojnë të gjitha informacioneve që u japin qeveritë”, thotë Galop.
Si përfshihet Kina në këto projekte?
Kina ndërton dhe financon projekte në Ballkanin Perëndimor përmes tri modeleve të ndryshme. Të përbashkëta për to janë: mungesa e transparencës së kontratave, përdorimi i pajisjeve kineze dhe, shpesh, edhe i fuqisë punëtore nga Kina.
Njëri prej tyre është modeli EPC (Engineering, Procurement and Construction - projektim, prokurim dhe ndërtim), i njohur edhe si modeli “çelësat në dorë”.
Sipas këtij modeli, një ndërmarrje publike vendase nënshkruan kontratë me një konsorcium kinez, i cili merr përsipër të gjithë procesin: nga hartimi i projektit dhe sigurimi i materialeve deri te kryerja e punimeve.
Në projekte të tilla, kreditë shpesh sigurohen nga banka kineze, Exim Bank.
Modeli i dytë që Kina përdor shpesh në Ballkanin Perëndimor është ai ku kompania kineze financon ndërtimin e projektit, ndërsa pala që e ka porositur e paguan atë pas përfundimit të punimeve.
Pagesat zakonisht bëhen nga të ardhurat e shitjes së energjisë elektrike ose nga tarifat rrugore.
Ky model u përshtatet ndërmarrjeve publike në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat shpesh nuk kanë kapital të mjaftueshëm për investime të mëdha.
Për kompanitë kineze, ndërkaq, financimi zakonisht nuk përbën pengesë, pasi ato mbështeten nga kapitali shtetëror.
Në praktikë, këto projekte kushtojnë dukshëm më shumë. Kjo, sepse kompanitë që i realizojnë, marrin përsipër edhe rreziqet dhe detyrimet financiare, nga sigurimi i kredive bankare deri tek ofrimi i garancive.
Modeli i tretë që përdorin kompanitë kineze në Ballkanin Perëndimor është ai i koncesionit, i cili në Bosnje dhe Hercegovinë, deri më tani, është zbatuar vetëm për projekte infrastrukturore.
Sipas këtij modeli, kompania kineze themelon një degë të saj në Bosnje dhe Hercegovinë, siguron financimin me kapitalin e vet ose përmes kredive dhe e ndërton projektin.
Në rastin konkret, bëhet fjalë për autostradën Banjallukë-Prijedor, nga përdorimi i së cilës kompania do të mbledhë të ardhura për një periudhë të caktuar.
Edhe pse në pamje të parë duket se projekti nuk i kushton asgjë Qeverisë së Republikës Sërpska, ajo është e detyruar të mbulojë diferencën nëse të ardhurat vjetore nga pagesat e autostradës nuk arrijnë shumën e përcaktuar në kontratë.
Pas përfundimit të periudhës së koncesionit, autostrada kalon në pronësi publike.
Situata në rajon
Edhe projekte të tjera të mëdha infrastrukturore dhe energjetike, të realizuara nga kompani kineze në rajon, janë përballur me rritje të konsiderueshme të kostove, vonesa disavjeçare ose kërkesa për financim shtesë.
Kompania kineze, Shandong, është përgjegjëse për ndërtimin e rrugës së shpejtë nga Pozharevci në Gollubac, në lindje të Serbisë, e njohur si Korridori i Danubit.
Kostoja e punimeve në Korridorin e Danubit është rritur nga 337 milionë eurot e parashikuara fillimisht, në rreth 524 milionë euro.
Edhe afati për hapjen e rrugës për qarkullim është shtyrë.
Kompanisë Shandong i është besuar edhe ndërtimi i autostradës që lidh Beogradin me Novi Sadin, përmes Zrenjaninit.
Kostoja e këtij projekti, punimet për të cilin nisën në vitin 2023, është rritur ndjeshëm.
Fillimisht, ndërtimi ishte parashikuar të kushtonte 600 milionë euro, por tani shuma e mundshme e financimit është pothuajse trefishuar.
Kjo, pasi Serbia ka parashikuar mundësinë e marrjes së kredive deri në 1.7 miliard euro për realizimin e projektit.
Përmes ndryshimeve të kontratës është rritur edhe kostoja e hekurudhës së shpejtë nga Novi Sadi deri në kufirin me Hungarinë, e ndërtuar nga një konsorcium i dy kompanive kineze.
Në fund, për këtë projekt u paguan rreth 1.2 miliard euro.
Punimet janë nën hetim nga Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi, e cila, ndër të tjera, dyshon se dy ish-ministra janë përfshirë në keqpërdorimin e më shumë se 115 milionë dollarëve.
Procedurat hetimore nisën pas vdekjes së 16 personave nga shembja e një strehe prej betoni në stacionin e rinovuar hekurudhor në Novi Sad.
Tragjedia shkaktoi protesta masive, të cilat çuan në ndryshimin e pushtetit në Serbi.
Rritje të konsiderueshme të kostos ka shënuar edhe autostrada Kërçovë-Ohër në Maqedoninë e Veriut, e cila po ndërtohet nga kompania kineze, Sinohydro.
Kur u nënshkrua kontrata, vlera e projektit ishte 411 milionë euro, ndërsa kostoja e përgjithshme ka arritur në rreth 600 milionë euro.
Si arsye për këtë rritje janë përmendur kushtet e paparashikuara gjeologjike, nevoja për shpronësimin e tokave shtesë, ndryshimet në projekt dhe ndërtimi i infrastrukturës përcjellëse.
Një situatë e ngjashme është vërejtur edhe në projektin për modernizimin e termocentralit të Plevlës në Mal të Zi, i cili po realizohet nga një konsorcium i udhëhequr nga kompania kineze, Dongfang Electric International.
Kontrata fillestare, e nënshkruar në vitin 2020, kishte një vlerë prej 54.5 milionë eurosh, ndërsa deri në mesin e vitit 2026 ishin paguar 65.5 milionë euro.
Kompania shtetërore e energjisë elektrike në Mal të Zi, Elektroprivreda, e arsyetoi rritjen e kostos me punimet shtesë që nuk ishin përfshirë në kontratën fillestare.
Edhe ndërtimi i segmentit të autostradës nga Smokovci, pranë Podgoricës, deri në Mateshevë, në veri të Malit të Zi, kishte kosto shtesë.
Sipas kontratës së vitit 2014, ndërtimi i këtij segmenti nga kompania kineze, CRBC, ishte parashikuar të kushtonte 809 milionë euro.
Megjithatë, Qeverisë së Malit të Zi iu desh të merrte edhe 90 milionë euro kredi për të mbuluar shpenzimet shtesë.
Autostrada u hap për qarkullim tetë vjet pas nënshkrimit të kontratës.(REL)