Kryebashkiaku Erion Veliaj ka njoftuar se sot i ka ndërguar një kërkesë kryetarit të Grupit të PS, Taulant Ballës, për të iniciuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar mbi ato që ai i cilëson si ndërhyrje dhe kërcënime ndaj tij, nga ana e kryeministrit Edi Rama, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogut.
Veliaj thotë përmes një reagimi në rrjetet sociale se ka kërkuar të hetohet nëse transferimi i tij nga paraburgimi i Durrësit në Fier është përdorur si instrument presioni nga Rama, për ta detyruar të pranojë organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati i kryebashkiakut të Tiranës.
“Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje”, thotë mes të tjerash Veliaj, i cili thekson më tej se për kërkesën e tij ka vënë në dijeni edhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri.
Reagimi i Erion Veliajt:
Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.
Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit.
Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.
Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari.
Kam vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe kam kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.
Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik.