Identifikohet shqiptari i vrarë në Spanjë, kush është 39-vjeçari nga Vlora që u ekzekutua në tarracën e një lokali

10 Nëntor 2026, 21:52Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Identifikohet shqiptari i vrarë në Spanjë, kush është
Pamje nga vendngjarja

Është identifikuar shqiptari që u vra me armë zjarri mesditën e së martës në Orihuela Costa, në provincën Alicante të Spanjës. Viktima është Luka Beqiraj, 39 vjeç, nga Vlora, i cili u qëllua për vdekje teksa ndodhej në tarracën e një lokali.

Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e kompleksit sportiv Playa Flamenca Sport Club, ku 39-vjeçari shqiptar u bë shënjestër e një sulmi me armë zjarri.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, autori është afruar pranë lokalit me një patinë elektrike dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të Beqirajt, duke i shkaktuar plagë fatale.

Menjëherë pas të shtënave, agresori është larguar nga vendngjarja me të njëjtën patinë elektrike, duke humbur gjurmët.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet e urgjencës, të cilat ndërhynë për t’i dhënë ndihmën e parë shqiptarit. Megjithatë, për shkak të plagëve të rënda të marra, 39-vjeçari nuk arriti të mbijetonte.

Policia spanjolle dyshon se vrasja mund të ketë lidhje me një larje hesapesh.

Sipas mediave lokale, hetuesit e Guardia Civil po shqyrtojnë mundësinë e një konflikti kriminal, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për motivin e ngjarjes.

Autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili vijon të jetë në arrati. Hetimet janë përqendruar gjithashtu në zbardhjen e lëvizjeve të tij para dhe pas krimit.

Autopsia pritet të kryhet të mërkurën, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e atentatit.

 


Video