Vetëm 10.8% e shqiptarëve besojnë tek shkenca, jemi mes vendeve të fundit në botë me Somalinë dhe Togon

10 Nëntor 2026, 20:25Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vetëm 10.8% e shqiptarëve besojnë tek shkenca, jemi mes vendeve
Foto ilustruese

Shqipëria renditet ndër 10 vendet e fundit në botë për nivelin e besimit te shkenca. Vetëm 10.8% e shqiptarëve të moshës 15 vjeç e lart deklarojnë se kanë shumë besim te shkenca, duke e renditur vendin në pozicionin e 133-të nga 140 shtete të përfshira në studimin Wellcome Global Monitor 2026. Në krahasim me rajonin, Shqipëria lë pas vetëm Maqedoninë e Veriut, ku kjo përqindje është 8.2%, ndërsa diferenca është e ndjeshme me Malin e Zi, ku 22.7% e qytetarëve shprehin besim të lartë te shkenca. Në Serbi kjo përqindje arrin në 19.1%, ndërsa në Kosovë 18.9%, përkatësisht 8.3 dhe 8.1 pikë përqindjeje më shumë se në Shqipëri.

Të dhënat bazohen në studimin ndërkombëtar të organizatës Wellcome, i cili ka anketuar mbi 140 mijë persona në 140 vende gjatë vitit 2025. Studimi mat perceptimin e qytetarëve për shkencën dhe nivelin e besimit që ata kanë në të, duke evidentuar diferenca të mëdha mes vendeve, të cilat nuk shpjegohen vetëm nga niveli i arsimit apo zhvillimi ekonomik.

Në renditjen globale, vendet me nivelin më të lartë të besimit rezultojnë të kenë përqindje më shumë se 10 herë më të larta sesa ato në fund të listës. Ndër rezultatet më të veçanta janë Uzbekistani dhe Taxhikistani, që renditen përkatësisht në vendin e tretë dhe të katërt, duke lënë pas ekonomi të zhvilluara si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

Arsimi dhe zhvillimi ekonomik nuk e shpjegojnë plotësisht besimin te shkenca

Disa nga vendet me nivelin më të lartë të besimit te shkenca janë ekonomi të zhvilluara, me sisteme të konsoliduara arsimore dhe kërkimore. Finlanda, Gjermania dhe Suedia renditen mes 10 vendeve të para në botë.

Megjithatë, Uzbekistani, ku 63.8% e qytetarëve deklarojnë se kanë shumë besim te shkenca, dhe Taxhikistani, me 60.7%, renditen përpara shumë vendeve më të pasura. Kjo tregon se niveli i arsimit dhe zhvillimi ekonomik nuk mjaftojnë për të shpjeguar diferencat në qëndrimet e qytetarëve ndaj shkencës.

Studiuesit e Wellcome nuk kanë gjetur prova bindëse për një lidhje të qëndrueshme mes besimit te shkenca dhe njohurive shkencore të popullsisë. Po ashtu, në nivel vendesh, nuk është evidentuar një lidhje e qartë mes këtij besimi, nivelit mesatar të njohurive shkencore dhe shpenzimeve publike për arsimin.

Një tjetër faktor i analizuar është besimi fetar, por edhe në këtë rast rezultatet ndryshojnë ndjeshëm. Uzbekistani dhe Taxhikistani, dy vende me shumicë myslimane, renditen ndër shtetet me besimin më të lartë te shkenca, ndërsa Pakistani, gjithashtu me shumicë myslimane, ndodhet pranë fundit të renditjes, me vetëm 9.3%.

Këto dallime sugjerojnë se përkatësia fetare, e marrë më vete, nuk përcakton nivelin e besimit te shkenca. Konteksti kulturor, besimi tek institucionet dhe mënyra se si komunitetet i interpretojnë zbulimet shkencore ndikojnë gjithashtu në qëndrimet e qytetarëve.

Besimi te shkenca ka rënë në nivel botëror që prej pandemisë

Në nivel global, besimi te shkenca ka shënuar rënie gjatë pesë viteve të fundit. Sipas Wellcome, në vitin 2025, 72% e të anketuarve deklaruan se kishin të paktën njëfarë besimi te shkenca, nga 80% në vitin 2020. Kjo përfaqëson një ulje me 8 pikë përqindjeje, ndërsa krahasuar me vitin 2018, kur treguesi ishte 77%, rënia është 5 pikë përqindjeje.

Në të njëjtën periudhë, përqindja e qytetarëve që deklarojnë se kanë pak ose aspak besim te shkenca është rritur nga 13% në vitin 2020, në 19% në vitin 2025. Rënia është vërejtur edhe te besimi i lartë ndaj vetë shkencëtarëve, nga 43% në vitin 2020, në 32% në vitin 2025.

Vetëm 10.8% e shqiptarëve besojnë tek shkenca, jemi mes vendeve

Studimi evidenton gjithashtu se besimi te shkenca lidhet me kushtet ekonomike dhe përvojat e qytetarëve me institucionet. Në vitin 2025, 39% e personave që deklaronin se jetonin rehat me të ardhurat e tyre kishin shumë besim te shkenca, kundrejt vetëm 20% të atyre që përballeshin me vështirësi financiare.

Diferenca mes këtyre dy grupeve është zgjeruar nga 13 pikë përqindjeje në vitin 2018, në 19 pikë përqindjeje në vitin 2025. Nivele më të ulëta besimi u konstatuan edhe te qytetarët me besim më të dobët tek institucionet publike dhe me perceptim më të lartë të korrupsionit.

Rezultatet tregojnë se forcimi i besimit te shkenca nuk lidhet vetëm me përparimin teknologjik apo rritjen e investimeve në kërkim. Përfshirja ekonomike, funksionimi i institucioneve dhe komunikimi i qartë me publikun janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm për mënyrën se si qytetarët e vlerësojnë shkencën dhe përfitimet e saj. /ekofin.al


Video