
Mbrojtësi i kombëtares Ardian Ismajli u shpreh optimist për ndeshjen ndaj Finlandës, duke theksuar se Kombëtarja është përgatitur mirë, synon vendin e parë dhe mbështetja e tifozëve në “Air Albania” do të jetë një faktor i rëndësishëm.
Ismajli theksoi se vendin e parë në grup kuqezinjtë e kanë obligim.
“Jemi përgatitur mirë, e dimë rëndësinë e ndeshjes. Normalisht, e kemi edhe obligim për vendin e parë. Duhet ta dëshmojmë në fushë. Ndeshjen e parë në Finlandë, hiq kartonin e kuq, kemi bërë ndeshje të mirë këto vitet e fundit. Këto episode bëjnë të vetën dhe me atë episod ndeshja iku disi. Gjithçka varet nga ne dhe shpresojmë ta mbajmë siç e kemi filluar.”
Mbrojtësi thekson se duhet të shmangen faullet afër portës.
“Dy goditje standarde, dy gola. Nganjëherë fati ta kthen edhe shpinën. Nuk kisha thënë që në atë ndeshje nuk kishim paraqitje të mirë. Edhe me një lojtar më pak, prapë fati nuk… Duhet të jemi të kujdesshëm, duhet të evidentojmë faullet afër portës, pastaj varet edhe nga situata. Dhe situata ta bën detyrën për faullet“, tha Ismajli.
Futbollisti i kombëtares u shpreh se nuk kanë stres kur luajnë para tifozëve pasi ato janë numri 12 për to.
“Nuk besoj që çunat kanë panik ose stres kur luajnë përpara tifozëve tanë. Ata janë numri 12 për ne. Sa herë kemi qenë këtu, kemi pasur paraqitje të mira. Tifozët janë pozitivë dhe kur ishim në barazim me San Marinon na kanë mbështetur. Më e rëndësishme është fitorja, ajo i mbyll të gjitha problemet. Çunat kur luajnë në Air Albania kanë një ndjenjë të veçantë, sepse këtu kemi pasur rezultate fantastike“, theksoi Ismajli.
Ai u ndal edhe tek stafi dhe trajneri që tha se kanë bërë një punë shumë të mirë.
“Gabimet ndodhin. Futbolli pa gabime nuk ka, por shpresojmë t’i evidentojmë sa më shumë, sepse po na kushtojnë ndonjëherë. Duhet të jemi më të qartë në ide. Trajneri dhe stafi kanë bërë një punë shumë të mirë. Kanë analizuar dhe na i kanë treguar në stërvitje. Shpresojmë të bëjmë atë që dëshiron trajneri dhe të marrim rezultat“, u shpreh mbrojtësi i kombëtares.
Ismajli tregoi edhe diferencën mes futbollit të ish-trajnerit të kombëtares Silvinjo me atë të Maran.
“Mbrojtja më e mirë është sulmi. Silvinjo ka luajtur futboll defensiv dhe statik. Ai futboll nuk ekziston. Futbolli modern është ai që po luan trajneri Maran dhe na ndihmon më shumë nëse dalim me presing, sepse mund ta zëmë kundërshtarin në befasi. Mund të luajmë gjithë kohës dhe nuk e kemi problem. Trajneri i ka parë gjërat tona pozitive. Secili prej nesh e ka përparësi të vetën, por të veshësh fanellën e Kombëtares është një përgjegjësi e madhe. E veshim me krenari dhe nuk kemi hezituar të vijmë e të bëjmë punën tonë për një komb. Ndeshje të lehta nuk ka. Këto ekipe janë më poshtë në tabelë, por çdo ekip kombëtar po luan futboll. Tifozët nuk mungojnë. Pika jonë më e fortë është Air Albania. Edhe nëse rezultati nuk është ai që presim, tifozët do të na përkrahin”, tha Ismajli.