
Ambasadori i ri izraelit Ohad Nakash Kaynar arriti në Tiranë në kulmin e ditëve kur vendi ishte mbërthyer nga protesta studentore, ndërsa së fundmi ka komentuar revoltën e të rinjve, duke shprehur keqardhjen e tij për pasojat e protestave, bizneset e djegura dhe shkatërrimet e tjera.
Gjatë protestave në Tiranë, në rrjete sociale dhe disa media u përhapën pretendime se kishin mbërritur avionë nga Tel Avivi me shtetas izraelitë ose mercenarë për t'u përdorur në situatën e brendshme.
Mirëpo kjo gjë është mohuar nga vetë ambasadori izraelit i cili në intervistën e dhënë së fundmi për “Euronews Albania” është shprehur se kjo çështje nuk ka të bëjë fare me punën apo vendin e tij, duke shtuar se këto janë çështje të brendshme të vendit.
“Si ambasador, kjo nuk është puna ime. Nuk është kurrsesi punë e Izraelit. Megjithatë, si një izraelit që vjen këtu për herë të parë, ju keni një qytet shumë të bukur, të rrethuar nga male shumë të bukura, dhe të vish të shohësh ndërtesa të djegura të shkakton keqardhje.
Kur po ecja në Tiranë, ishte për të ardhur keq të shihje disa nga pasojat e protestave, përfshirë ndërtesat e djegura.
Më shkakton keqardhje, edhe pse nuk është puna ime. Është diçka që më bën të mendoj se diçka po ndodh”, tha Kaynar për EuroNews Albania.
Më tej, ai u shpreh se dezinformimi mi protestat ka ndikuar dhe në besimin e njerëzve në të dyja shtetet, si në Shqipëri ashtu dhe në Izrael.
“Këto ditë, fatkeqësisht, ky besim është zvogëluar pak dhe njerëzit, disa njerëz, jo të gjithë, por disa njerëz në Izrael dhe disa njerëz këtu shikojnë njëri tjetrin dhe thonë: ndoshta po na targetojnë neve me protestat.
Ndoshta po na vënë në shënjestër dhe nuk na duan. Kjo më pas ndikon çdo gjë tjetër”, shtoi më tej ambasadori.