
Trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, doli në konferencë para ndeshjes me Finlandën, e vlefshme për grupin C1 në Ligën e Kombeve.
Tekniku kuqezi theksoi se në këtë përballje, Shqipëria do të luajë vetëm për fitore, ndërsa shtoi se synimi është të shënojë dhe të mos pësojë.
Ndër të tjera, ai deklaroi se pjesëmarrja e lartë e tifozëve në stadium, shton përgjegjësitë për futbollistët në fushë, ndërsa theksoi se pas duelit me San Marinon ekipi e mori mesazhin.
“Çështja mentalitetit? Kjo është diçka që e kemi kuptuar menjëherë pas ndeshjes me San Marinon. Nuk ka dyshim që mesazhi është marrë edhe nga skuadra. Ndeshja mund të ishte mbyllur më herët me më shumë gola. Skuadra e ndjen përgjegjësinë.
Ne do të futemi në fushë për të shënuar dhe për të mos pësuar gol. Ndeshja me San Marinon, e ka vënë në dyshim këtë proces për të cilin po punojmë. Ndeshja me Finlandën tregoi se shënuam shpejt dhe mund të kishim shënuar, por u vendos nga episodet. Skuadra është koshiente për atë që duhet të bëjë. Shpresoj ta transmetojmë nesër.
Ajo që kam vënë re në Shqipëri është dëshira për të qenë të vendosur. Populli shqiptar e ka karakteristikë dhe duhet çuar te skuadra. Po ashtu edhe ndjenja e përgjegjësisë, është ajo që duhet dhe e kemi.
Në fakt jam duke tentuar të njoh edhe lojtarët e këtij kampionati. Është detyrë e trajnerit që të kuptojë futbollin e vendit. Mendoj se është ajo që duhet të bëjë trajneri i një Kombëtareje. Kjo është një mënyrë e imja për të respektuar kampionatin.
Mendoj se elementi më kryesor është që lojtarët të jenë të motivuar nga stadiumi. Për secilin nga lojtarët duhet të jetë diçka specifike, pa një brengë ndërgjegje, me ndjenjën se dhanë gjithçka në fushë. Rezultatit nuk i dihet, por e rëndësishme është që të japim gjithçka”, tha Maran.