“Revolucion i flamingove rezultat i një urrejtjeje ndaj Trump”, Rama për Zvërnecin: Do jetë emblemë në Europë

11 Nëntor 2026, 21:34Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Revolucion i flamingove rezultat i një urrejtjeje ndaj Trump”,
Jared Kushner dhe Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Dublin të Irlandës, i ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA).

Ai mori fjalën para një audiencë ekspertësh të Europës e Ballkanit dhe diplomatësh mbi temën “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”

Në lidhje me protestat në rrugët e Shqipërisë, Rama deklaroi se ato e kanë bazën tek urrejtja ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.

“Ky ‘revolucion i flamingove’ është rezultat i një urrejtjeje ndaj Donald Trump. Nëse hija e Trump nuk do ishte në sfond të kësaj çështjeje mjedisore, që nuk është as mjedisore, nuk do kishit dëgjuar për flamingot në Shqipëri. Të gjithë ata që urrejnë Trump gjetën bulevardin e Tiranës për të bërë këtë betejë, njësoj si Cezari që gjeti Shqipërinë e jugut për të pasur fjalën e fundit kundër Pompeit. Kështu funksionon në një vend të vogël. Kaq shumë gënjeshtra dhe gjysmë të vërteta janë shpërndarë. Mendoj se irlandezët janë të ngjashëm me shqiptarët, ne jemi kokëfortë dhe të pajustifikuar. Francezët janë fleksibël e të sofistikuar. Ne nuk jemi kaq të sofistikuar”, tha Rama.

Për projektin e Zvërnecit, Rama nënvizoi se ai do të transformojë Shqipërinë. Kryeministri shpjegoi se Jared Kushner nuk trajtohet ndryshe nga asnjë investitor kombëtar apo ndërkombëtar, por sipas ligjeve në fuqi të vendit.

Rama vlerësoi se projekti do të jetë emblem, madje edhe në Europë.

“Kur u zgjodh Trump, më thanë se isha në rrezik, sepse isha mik me George Soros dhe është e vërtetë. Por kur kam takuar Jared Kushner dhe bëmë bisedën e parë për projektin, e ardhmja e Trump nuk ishte kaq e qartë. Ishte një kandidat për të shkuar në burg. Kushner ishte një amerikan që donte të bënte diçka në Shqipëri. Për Shqipërinë, SHBA-të është një vend mik, që e ka ndihmuar gjithmonë.

Kushner nuk duhet të shihet si dhëndër i Trump, por si person, që dëshiron të investojë në Shqipëri. Projekti do të transformojë Shqipërinë. Për projektin, ne kemi publikuar edhe fakte, se Kushner nuk ka marrë asnjë trajtim të ndryshëm nga investuesit e tjerë lokalë dhe ndërkombëtarë. Kushner nuk trajtohet ndryshe nga Shqipëria në raport me asnjë investitor tjetër. Qeveria shqiptare ka kërkuar një projekt, që do jetë emblemë në Europë. Unë shqetësohem si të bëj më të mirën për vendin tim dhe si çdo zhvillim të mbështetet në parimet dhe kufijtë ligjorë, që detyrojnë të gjithë të përmbushin ato. Unë nuk gjykoj dot se kush është i ndershëm dhe kush jo, këtë e përcakton gjykata”, u shpreh Rama.

I pyetur për ndryshimin e pushtetit në Serbi, Rama deklaroi se BE ka pasur probleme me qeverinë e mëhershme serbe. Sipas tij, edhe qeveria e re në Beograd ka të njëjtën qasje ndaj Kosovës.

“Është e vërtetë që BE ka pasur probleme me qeverinë e hershme serbe. Ka pasur probleme të theksuara për shtetin e së drejtës. Serbia po kalon në një eksperiment social. Është diçka mjaft e re, në shumë drejtime. Duket se nuk ka ndonjë hapje të normalizimit të raporteve me Kosovën. Nuk ka një hapje sa i takon sanksioneve ndaj Rusisë. Le të shohim, është interesante, por është shumë herët që të tregohemi entuziastë për ndryshimin e pushtetit. Fantazma e së shkuarës do vazhdojë që ta ndjekë Beogradin dhe katarsisi serb është i vështirë që të kryhet”, u shpreh Rama.

Në lidhje me emigrimin e shqiptarëve, kryeministri Rama nënvizoi se ka një sërë arsyesh.

Sipas tij, një i ri shqiptar tundohet lehtë që të ikë, kur sheh pamjet nga celularët të vendeve të Europës Perëndimore dhe beson se çdo gjë që sheh, është një realitet.

“Dëgjoni, më duhet t’i përgjigjem shpesh kësaj pyetjeje, por jo shpesh në një vend si ky, ku migracioni njëherë e një kohë ishte e vetmja mënyrë për të jetuar. Kjo nisi të ndryshojë, jo thjesht kur Irlanda nisi të ndryshohej, por kur Irlanda nisi të japë arsye tek njerëzit një zgjedhje mes qëndrimit e largimit. Kjo është diçka që do vijë edhe për ne. Është edhe një botë e re, që të rinjve ju shkon përmes ekraneve të smartphonëve, që shfaqet me ngjyra të mrekullueshme e jo me ngjyra të vërteta.

Një i ri në Shqipëri thotë se një orë larg e kam diçka të mrekullueshme dhe thotë se pse mos të shkojë tek e ardhmja menjëherë. Nuk duhet të harrojmë se shqiptarët kanë qenë në një regjim, ku nuk lëviznim dot dhe largimi nga vendi ishte tradhti e lartë. Ka dhe njerëz që edhe po kthehen. Realiteti do ndryshojë, kur Shqipëria të ketë që të japë më tepër për qytetarët e saj”, përmbylli Rama.


Video