
Stephen Miller, shefi i ri i stafit të Shtëpisë së Bardhë, synon të përdorë pozicionin e tij për të rikthyer në kampin republikan votuesit e rinj dhe burrat nga komunitetet minoritare, të cilët ndihmuan Donald Trump të fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, por në zgjedhjet e mesmandatit u orientuan drejt demokratëve.
Sipas dy personave të njohur me planet e administratës, të cituar nga Axios, Miller dëshiron të përqendrohet te ringjallja e agjendës populiste që ndihmoi Trump të ndërtonte koalicionin e tij elektoral, me vëmendje të veçantë te votuesit e klasës punëtore.
Miller u emërua javën e kaluar në krye të stafit të Shtëpisë së Bardhë, duke zëvendësuar Susie Wiles.
Ekonomia dhe emigracioni, faktorë në largimin e votuesve
Të rinjtë, burrat e klasës punëtore dhe votuesit nga komunitetet minoritare u larguan në numër të madh nga republikanët në zgjedhjet e javës së kaluar. Ndër faktorët që ndikuan në këtë ndryshim renditen çmimet e larta, të lidhura me tarifat e vendosura nga Trump, lufta në Iran dhe shqetësimet për ndikimin e inteligjencës artificiale në tregun e punës.
Një tjetër faktor i rëndësishëm ishte orientimi i votuesve latino-amerikanë drejt demokratëve, në një kohë kur politika e ashpër e administratës ndaj emigracionit është kthyer në një çështje gjithnjë e më të debatueshme politikisht.
Sipas burimeve të Axios, Miller dëshiron t’u japë më shumë vëmendje politikave të administratës që, sipas tij, nuk kanë marrë publicitetin e duhur dhe që mund të tërheqin votuesit e shqetësuar për ekonominë.
Prioritetet e Miller: Çmimet e ilaçeve dhe reduktimi i burokracisë
Ndër prioritetet që pritet të theksojë Miller janë eliminimi i politikave që administrata i konsideron “woke” në universitete dhe vendet e punës, ulja e çmimeve të barnave me recetë dhe lufta kundër mashtrimeve në sektorin publik dhe atë të kujdesit shëndetësor.
Ai synon gjithashtu të promovojë reduktimin e burokracisë federale dhe reformën e procedurave të lejeve për projektet e zhvillimit, duke argumentuar se këto masa mund të ndihmojnë në uljen e kostos së jetesës.
Megjithatë, burime nga komuniteti i biznesit e përshkruajnë Millerin si një figurë të drejtuar fort nga bindjet ideologjike dhe kryesisht të papërshkueshme nga ndikimi i lobimit tradicional në Uashington.
Demokratët marrin kontrollin e Kongresit
Sfidë për zbatimin e kësaj agjende pritet të jetë kontrolli i Kongresit nga demokratët, duke nisur nga janari. Për pasojë, Miller do të duhet të avancojë planet e administratës pa mbështetjen e shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat.
Disa prej nismave mund të realizohen përmes urdhrave ekzekutivë të presidentit Trump, ndërsa të tjera, si reforma e procedurave të lejeve, do të kërkojnë bashkëpunim dypartiak.
Kjo mund të jetë e vështirë, pasi Miller ka qenë një nga figurat më të ashpra politike të administratës dhe një objektiv i shpeshtë i kritikave të demokratëve për politikat e tij të emigracionit. Kreu i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, i cili pritet të bëhet kryetar i kësaj dhome në janar, ka deklaruar se nuk ka “asnjë interes” të bashkëpunojë me të.
Ndryshimi i madh mes zgjedhjeve të vitit 2024 dhe atyre të vitit 2026
Të dhënat e një studimi të Universitetit Tufts tregojnë për një zhvendosje të ndjeshme të votës së të rinjve. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Trump fitoi votën e burrave nën 30 vjeç me 14 pikë diferencë.
Në zgjedhjet e javës së kaluar për Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët fituan këtë grupmoshë me 22 pikë diferencë, duke shënuar një ndryshim prej 36 pikësh në krahasim me vitin 2024.
Lëvizja ishte edhe më e theksuar te të rinjtë latino-amerikanë. Në vitin 2024, ata mbështetën Trumpin me një diferencë prej 2 pikësh, ndërsa në vitin 2026 votuan për demokratët me 37 pikë diferencë.
Edhe të rinjtë me arsim të mesëm ose më të ulët u zhvendosën ndjeshëm drejt demokratëve, me një ndryshim prej 37 pikësh krahasuar me zgjedhjet e vitit 2024.
Më shumë se gjysma e votuesve nën 30 vjeç renditën ekonominë dhe vendet e punës mes tri çështjeve kryesore të vendit. Ndër të rinjtë që deklaruan se gjendeshin në vështirësi financiare, 73% mbështetën kandidatët demokratë për Dhomën e Përfaqësuesve.
Miller e kishte nisur më herët apelin ndaj burrave të rinj
Përqendrimi te votuesit e rinj meshkuj nuk është një strategji e re për Millerin. Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, ai u kishte bërë thirrje të rinjve të shprehnin hapur mbështetjen për Trumpin.
Në një dalje në Fox News, pak para zgjedhjeve të vitit 2024, Miller i nxiti të rinjtë të tregonin se ishin “burra të vërtetë” dhe “jo beta”.
Ndërsa në ditën e zgjedhjeve të vitit 2024, ai publikoi në rrjetin social X mesazhin: “Merrni çdo burrë që njihni dhe çojeni të votojë”.