BIZNES/ Ekzekutivi blen aksionet e Legjislativit dhe Gjyqësorit, krijohet këpërata më e madhe në vend

13 Nëntor 2026, 11:53Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
BIZNES/ Ekzekutivi blen aksionet e Legjislativit dhe Gjyqësorit, krijohet
CEO I Gjatë duke firmosur shkrirjen e madhe

TIRANË – Me një lëvizje të guximshme që ka tronditur botën e biznesit, mësohet se kompania e njohur Ekzekutivi, me një shtrirje kapilare në territor dhe degë e dyqane në çdo cep të vendit, ka blerë shumicën e aksioneve të dy kompanive të tjera historike shqiptare, Legjislativit dhe Gjyqësorit. Është formuar kështu konglomerati më i madh në Shqipëri, më saktë një këpëratë me një portofol prej gati 11 miliardë eurosh dhe me një numër prej gati 100 mijë punonjësish të çdo rangu. 

Duke folur për mediat, CEO I Gjatë i Ekzekutivit deklaroi se kjo lëvizje, për të cilën ai po punonte prej kohësh, ishte një fakt një shkrirje me përfitim për të gjitha palët.

“Që kur mora këtë post, plan-biznesi ynë ka synuar zgjerimin dhe sinergjinë, gjithnjë me qëllimin për të krijuar të ardhura për kompaninë, diversifikuar fushat e investimeve dhe për të shtuar impaktin në komunitet,” tha I Gjati duke përhapur një buzëqeshje në fytyrë si gjalpi mbi fetën e bukës.

I Gjati qetësoi aksionerët dhe investitorët, duke sqaruar se nën dirigjencën e re nuk do të ketë shkurtime stafesh.

“Punonjësit, nga shefat dhe drejtorët e deri tek qehallarët dhe hyzmeqarët, të rrinë rehat se punën e kanë të sigurtë,” tha I Gjati, “unë kërkoj vetëm punë dhe disiplinë, rregull dhe qetësi. Hë, se mos harroj: Në çdo rast, do t’u bindeni urdhrave të një njeriu tim të besuar”.

***  

Megjithë historinë e tyre të pasur të këtyre 35 viteve të fundit, duhet pranuar se Legjislativi dhe Gjyqësori kanë patur probleme me performancën, burimet njerëzore dhe import-eksportet.

Kështu, janë bërë herë pas here publike rastet kur Legjislativi importonte njëthundrakë dhe pas procesimit prodhonte zagarë, apo kur gjyqësori investonte në hunj dhe në fund nxirrte vetëm kopaçe. Në ndonjë moment të mirë të tyre, të dyja kompanitë ëndërronin të shndërroheshin në këpërata apo të siguronin fitime të rangut të 200 milionë e 800 mijë e 700 mijë e 574 mijë eurove, por ato mbetën vetëm ëndrra. Në tregun e vështirë shqiptar, Ekzekutivi ishte gjithmonë mbizotërues dhe efikas: Falë teknologjive moderne dhe ushqimit të balancuar me metoda matematikore, në Ekzekutiv hynin keca dhe dilnin derra e lopë, Ose hynin apartamente 1+1 dhe dilnin vila në seri, me një marzh fitimi 1500%.

***  

Edhe vetë drejtuesit e kompanive të shkrira e pranojnë se konglomerati i ri do ta çojë punën përpara.

“Harxhonim mund e meleona leka kot, nxirrnim zagarë e nuk na shiteshin”, deklaroi ish CEO i Legjislativit, Piko Meleshi, “tani me shefin e Gjatë, plani dy-vjeçar do na sjellë bagëtinë… më falni, begatinë”. Meleshi sqaroi se asnjë nga stafi i tij nuk do pushohet nga puna. Ata thjesht do trajnohen në sektorë të rinj me perspektivë zgjerimi, si bërja e kuajve me çizme meksikane dhe zhabave në allçi.

“Në muzetë e Vjenës këto vepra blihen me flori,” theksoi Pikua.

Ndërkaq, bashkimin e madh e vlerësoi edhe gubernatori i Bankës së Shqipërisë, Bejko Sejko. Sipas tij: “Të dhënat indirekte të tremujorit të dytë sugjerojnë se ritmi i rritjes ekonomike ka qëndruar në nivele solide. Ritmi pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë dy viteve të ardhshme, duke krijuar premisa për një balancim më të mirë të kërkesës me ofertën agregate”.           

Me këtë rast, gubernatori siguroi se dobësimi i euros vjen vetëm nga turizmi, ndërsa paratë e drogës nuk kanë gisht hiç në këtë punë.

P.S. Pas shkrirjes, i vetmi biznes që do shkurtohet, është mini-marketi Presidenca që ndodhet tek presidenca.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë ekonomiko-satirike   


Video