TIRANË – Në fillim ishte çuditur se si kishte mundësi që ai vend i vockël e i bukur, i strukur në gji të Mesdheut dhe i rrethuar nga kolosë të qytetërimit, shtet-formimit, kulturës, filozofisë dhe demokracisë si Greqia dhe Italia, të kishte mbetur pa ambasador amerikan për kaq shumë kohë. Por i thanë që ashtu nuk kishin ecur ca procedura, dhe nuk e vrau mendjen më gjatë.
Ish-gjeneralit Erik Uend i mjaftonte lajmi që Duçja e kishte bënë Shqipërinë xhenet, dhe e mori me shumë qejf detyrën e re. Kur i thanë pastaj që shqiptarët janë pro-amerikanë të thekur dhe aty hahet mirë dhe lirë, ka dete, plazhe, alpe, lumenj dhe liqene të gjitha bashkë në një pëllëmbë vend, tha me vete, “ardhi dhe për tyja një ditë e bardhë, Erik djali, se mbete luftrave”.
***
E pritën si s’ka më mirë. President Barjami, i emocionuar e shikonte në dritë të syrit kur pranoi letrat kredenciale. Në fillim bile nuk donte t’i merrte.
“Shkëlqesia juaj Zoti Ambasador, nuk ka nevojë për letra, ne ju njohim, ja mirëse na erdhët!”, dhe urdhëroi stafin, “shpejt rakitë dhe mëlçitë e tiganit. Ore Safet, u poq ai qëngji apo akoma?”
Eriku u çudit, por nguli këmbë: “Letrat do t’i marrësh zoti President, se kështu e do protokolli!”
Barjami qeshi: “Mirë thua, shtëpia me tjegulla, shteti me rregulla. Prishur mos qoftë. E di që kam qenë dhe unë gjeneral, shef ushtrie bile? Jemi kolegë vëlla”.
Eriku u çudit dhe e pyeti se ku kishte shërbyer, në Irak a, në Afganistan a…
“Jo jo, me zanat jam mjek zorrësh, por u bëra gjeneral si mjek ushtarak. Ja gëzuar. Po ktheje me fund bre!”, iu përgjigj Barjami.
Eriku sa e preku pak gotën dhe e uli në tabaka. “Më fal zoti President por është herët. Po e nisa ditën me raki, deri në darkë jam bërë daulle. Pastaj më pret dhe kryeministri”.
Sa u përmend I Gjati, Barjami u bë esëll. Po po, shumë e drejtë, i tha, të shkosh, ma bëj hallall se të vonova… Po do vish prapë, mos na harro!
***
Në zyrën e të Gjatit, Erikut që është vetë po kaq i gjatë, i doli përpara një burrë me tuta dhe pantofla. Ambasadori kujtoi se i kishin ngatërruar godinën shoqëruesit. Por nga portreti e njohu: Ishte kryeministri.
I Gjati foli i pari: “Po ku je mo pasha se na thave sitë. Hajde të të tregoj pikturat”. Dhe i vuri përpara ca zhgarravina me ngjyra, si dhe disa vizatime normale shtëpish, kafshësh…
“Shumë të bukura këto shtëpitë,” i bëri qejfin Eriku, “ndërsa këto zhgarravinat me siguri i kanë bërë fëmijët, po?”
Por I Gjati e sqaroi se shtëpitë ishin të Zahos, djalit. “Këto të tjerat janë të miat. Duken sikur më është derdhur boja e lapustilit, por janë piktura të thella, ekstra-post-kubisto-avantgardiste me tendenca post-impresioniste. Nuk e di a më kupton”.
Eriku tundi kokën me miratim. “Mos ma vër re zoti Duçe…zoti Kryeministër desha të them. Dikur e kuptoja artin, por më janë prishur nervat që kur ndiqja diversantët e Hamasit”.
***
Edhe pse disa informacione i kishte marrë paraprakisht, përshtypjet surreale për vendin, ambasadorit të ri iu përforcuan me kalimin e orëve.
Mori vesh se kryeministri pikturist kishte dy qeveri: Njërën në qeveri dhe tjetrën në burg ose në ekzil. I thanë se paraardhësi i Barjamit (s’po i ikte akoma nga hundët era e qingjit të pjekur) ishte në burg. Edhe atij të shkretit i jepej për mish qingji, por kohët e fundit para se ta arrestonin, kishte filluar të merrte malet.
Pastaj i thanë se veç dy të parave, vendi kishte dhe një qeveri të tretë, të drejtuar nga Bella Ballukja, dhe sa dëgjonte emrin e saj, të Gjatit i kalonte gjuha poshtë në gurmaz nga sikleti.
Po mirë, tha me vete, vend në tranzicion është, këto janë problemet e rritjes, do kalojnë sa të anëtarësohen në Bashkimin Europian.
Por pastaj e njoftuan se vendi ka dhe një qeveri të katërt; ata që sjellin paratë e bardha borë nga jashtë, deri në Amerikën Latine, i bashkojnë me këta që vjedhin paratë nga brenda dhe ndërtojnë, vetëm ndërtojnë…
Eriku nisi të kruajë kokën i menduar. Ore, tha me vete, mos takova njerëzit e gabuar unë? Njëri hante përshesh në presidencë, tjetri zhgërryhej me bojra në kryeministri… Ku më solle, Tramp ziu, me këta katranë me bojë do t’i bësh resort Ivankës ti?
***
Ambasadori e vendosi. I duheshin informacione të sakta, të esëllta dhe të besueshme për vendin. Kërkoi takim me kreun e Shërbimit Sekret. Por i thanë që ishte femër, dhe ndodhej në arrest shtëpie sepse ashtushej me një djalë që deri vonë ishte kreu i qeverisë së pestë në vend: Ky djali nuk kishte asnjë post, por kishte çdo post: Caktonte shefa policie, drejtorë e ministra, vendoste për tendera, koordinonte paratë latine me paratë shqiptare dhe filmonte gjithkënd e gjithçka kur bënte takime në zyrën e vet. Hë, po: I çonte edhe shishe me verë të shtrenjtë të Gjatit, ndërsa Barjami mjaftohej vetëm me Pepsi.
Atëherë u çatrafilua fare. Thirri ndihmësin dhe e pyeti me takt: “Ato valixhet e mia i hapët, i vutë gjërat nëpër vende?” Po shkëlqesi, i tha ndihmësi.
“Atëherë mblidhini prapë se do ikim. Më mirë vishem prapë ushtarak dhe shkoj të luftoj me huthit në Jemen, sesa rri edhe një ditë më shumë këtu. Hë xhan, luaj duart…”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-diplomatike. Eriku është akoma në Tiranë, rrini të qetë