TRIPTIKU I GUSHTIT / Gjigandi shqiptar i prodhimit të benevrekëve tërheq nga tregu disa modele ministrash

22 Gusht 2026, 19:24Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Selia qëndrore e kompanisë Rama 4

TIRANË – Kompania e njohur Rama 4 ka njoftuar së fundi se do të tërheqë nga tregu disa modele ministrash, duke pranuar se kanë dalë me difekt. Ishin ankesat e njëpasnjëshme të përdoruesve ato që e detyruan gjigandin shqiptar të prodhimit të benevrekëve të pohojë se realisht, disa lloje ministrash shfaqnin probleme në funksionim dhe nuk performonin sipas parametrave që vetë kompania kishte shpallur.

Që më herët, konsumatorët kishin shprehur publikisht pakënaqësinë për daljen jashtë kontrollit të ministrit ose ministres, për parametra tërësisht mediokër funksionimi, shkarje jashte rruge, mosfunksionim airbag-u, bllokim timoni, mungesë timoni, dërrasa mangut etj. Madje disa klientë janë shprehur edhe më troç për ministrat e tyre: “E paskam mburrur kot. Është hajvan, i paaftë, hajdut dhe mashtrues. Nuk e di si mund të kombinohen të gjitha këto vese të mira në një produkt, po ja që kompania Rama 4 paska nxjerrë çudira!”

Me difekt kanë dalë edhe modelet më të avancuara, ministrat me paketë 100% elektronike, si modeli Diella. Bëhet e ditur se në fakt, pakënaqësinë më të madhe me këtë gamë e ka vetë kompania, pasi pritshmëritë ishin që Diella të mbushte arkën e kompanisë me stil, duke vjedhur me elegancë dhe duke shpëtuar të gjithë nga burgu, pasi do t’i merrte të gjitha fajet vetë. Por Diella rezultoi një produkt i dështuar, pasi gjithë ditën nuk bën asnjë punë, vetëm përsërit “Unë jam këtu për t’u ndihmuar!” Si me qenë robot…

Doktori i bie shkurt, mban qëndrime politike duke iu referuar arkivës

Doktori, personazhi i njohur politik të cilit populli i referohet me zanatin e vjetër pikërisht se i ngjethet mishtë kur sjell në kujtesë se çfarë i ka punuar si politikan – njësoj si Piktori, Axhustatori, Montatori, Muratori, Zhavorri, Ekskavatori, Morri dhe figura të tjera të shquara – Doktori pra, deklaroi dje për mediat kur u pyet se ç’qëndrim kishte për shtetin bektashi, se mendimin e tij e kishte shprehur që në 2024-ën.

“Shifeni ça kam thënë në shtator të 2024-ës, aty e keni qëndrimin tim. Unë mbetem i palëkundur, kupton apo jo, në atë qëndrim”.

Njeriu i fiksuar pas arkivave, sidomos ato të Sigurimit të Shtetit që i shtiu në dorë që në vitin 1992 dhe me to shantazhon gjithë politikën shqiptare këto 35 vjet, e ka shpeshtuar së fundi referimin tek deklaratat e kaluara.

Burimet bëjnë me dije se Doktori nuk ka më besim tek kukumjaçkat e zyrës së shtypit për të dalë me deklarata publike për çështje të rëndësishme – kryesisht sepse nuk dinë shkrim e këndim, jo se janë njerëz të këqinj – ndaj i rikthehet herë pas herë folderit “Deklarata të vjetra” në kompjuterin e tij.   

Kështu, kur e pyetën së fundi se ç’mendim kishte për Fatos Nanon, ai deklaroi: “Shifni deklaratën time të 9 Tetorit 1994, aty i kini të gjitha”. Por pastaj e korrektoi: “Jo… më mirë shihni të qershorit 1997… një sekondë, nëntori 2000 është më e sakta. Jo jo, korrik 2005, kjo është. Aty e gjeni qëndrimin tim”.

Uron nënën për ditëlindje, mesazhi degjeneron në bisedë të plotë

Duke shfryrë dhe turfulluar nga padurimi, 27 vjeçarja Françeska Karabushi deklaroi dje për mediat se mesazhi i thjeshtë “Gëzuar ditl mam, edhe 100” degjeneroi në një bisedë të plotë dhe totalisht të panevojshme me të jëmën.

Duke shpresuar tek një reagim i shkurtër falenderues i të ëmës, maksimumi gjashtë fjalë tekst, Françeska pa e alarmuar se përgjigja e gruas që i kishte bërë kokën, dhe kishte sakrifikuar veten për ta rritur, shkolluar dhe nxjerrë në jetë, po zgjatej ca si shumë.

“Po ça je tu shkrujt mi gru…”, mërmëriti 27 vjeçarja që ndërkaq ishte duke lyer thonjtë se do dilte, “një faleminderit mjafton”.

Duke kujtuar e traumatizuar incidentin, Franci (kështu e thërrasin shoqet) pohoi se pas mesazheve “Si je shpirt i mamit”, “Ça po bën”, komunikimi pësoi një reaksion zinxhir, një efekt orteku të pandalshëm, në vend që të mbyllej këndshëm me tre zemra imoxhi, një puthje nga larg dhe ndonjë lule, maksimumi.

“Tani që e mendoj, duhej ta kisha pritur këtë katastrofë, që kur më tha Krishtlindjet e kaluara, “A do vish në shpi për Vit të Ri, zemra e mamit’. Është shumë tip i ngjitur”.

Në vijim, Françeska rrëfeu për mediat edhe kulmin e ngjarjes, kur e ëma i shkroi, “A flasim pak të ta dëgjoj zërin?”     

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që nuk beson me të shprehja e vjetër “Gsht e gunë”…


Video